Fundamenti

Sulmi në veri, ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Kosovën, BE dhe SHBA të veprojnë qartë

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani në seancën plenare, foli për zhvillimet më të fundit në veri të Republikës së Kosovës.

“Mbështetja dhe solidariteti ynë shkon për popullin dhe qeverinë e Kosovës, të cilët sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka dënuar me forcën më të madhe sulmin terrorist, kriminal, ndaj policisë së Republikës së Kosovës, më 24 shtator, në veri të vendit. Ai sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm agresioni kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, rendit dhe sigurisë së Kosovës. Sulmi është, gjithashtu, një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë, me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët”, u shpreh ai.

Sipas kryediplomatit shqiptar, vrasja e një polici të Kosovës në krye të detyrës e bën edhe më tragjik dhe të dhimbshëm këtë akt agresioni.

“Edhe njëherë shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjen e oficerit të policisë Afrim Bunjaku, që humbi jetën dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë policit të plagosur. Mbështetja dhe solidariteti ynë shkon për popullin dhe qeverinë e Kosovës, të cilët sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës, ndërkohë që bëjnë përpjekje për të ndërtuar një të ardhme evropiane, të begatë për të gjithë qytetarët e saj”, vijoi Hasani.

Ministri theksoi se autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të nxirren sa më shpejt para drejtësisë.

“Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja të pakthyeshme të mundshme”, shtoi ai.

Po ashtu, Hasani theksoi se ngjarjet më të fundit janë një tregues tjetër i qartë se nuk ka alternativë ndaj zbatimit të sundimit të ligjit në gjithë Republikën e Kosovës.

Eco Higjiena

“Policia e Republikës së Kosovës ka legjitimitetin e plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Qetësimi dhe depërshkallëzimi i situatës tani është kyç dhe e vetmja rrugë përpara. Në anën tjetër, dita e zisë, e shpallur nga Beogradi për pjesëtarët e grupit të armatosur që u neutralizuan nga forcat e sigurisë së Kosovës, pasi vranë një oficer policie, është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit tonë dhe komunitetit euroatlantik”, theksoi ai.

Hasani nënvizoi se kemi pritur që Serbia të niste një hetim serioz për grupin kriminal potencialisht të përfshirë në një konflikt të armatosur në veri të Kosovës, dhe lidhjet e tij me trafikantët e armëve dhe individë, apo subjekte të tjera në Serbi, apo diku gjetkë.

“Në vend të kësaj, duke shpallur këtë ditë zie, Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur. Është pozitive që ushtria serbe nisi tërheqjen nga kufiri me Kosovën por është njëkohësisht shumë negative që ajo ushtri përdoret për shfaqje të tilla. Ky është gjithashtu, momenti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë qartë dhe në mënyrë të vendosur, nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës”, theksoi Hasani.

“I bëjmë thirrje komunitetit euroatlantik që të intensifikojë përpjekjet për t’i ulur pa vonesë Kosovën dhe Serbinë në një proces autentik dhe të përforcuar bisedimi për normalizimin, nën mbikëqyrjen dhe garancitë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është sot më shumë se kurrë një domosdoshmëri strategjike për ligjin dhe rendin në Kosovë dhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë dhe të ardhmen e tij euroatlantike”, theksoi ai.

Kryediplomati shqiptar nënvizoi se “qëndrimi ynë ndaj procesit të dialogut të normalizimit, mbetet i pandryshuar dhe është në harmoni të plotë me qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Hasani tha se “Shqipëria vlerëson se fillimi dhe përfundimi i procesit të themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, është kyç për një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj në familjen evropiane”.

Në këtë kontekst, vijoi ai, “kërkesa publike për ndihmën e SHBA për draftin e asociacionit, nga Presidentja e Republikës së Kosovës është pozitive dhe është një hap në drejtimin e duhur”.