Fundamenti

Qeveria godet bizneset

/ 4 minuta lexim

Qeveria është ndër borxhlinjtë me të mëdhenj të bizneseve kosovare. Llogaritet që mbi 80 milionë euro ka arritur këtë vit vlera e borxheve të Qeverisë për investime kapitale. Biznesmenët kosovar, janë në gjendje të japin edhe ryshfet për t’i marrë paratë e tyre. Me këtë, qeveria po godet bizneset të cilat nuk kanë as ku të ankohen.

Ka biznese në Kosovë që me vite presin t’u kryhen obligimet financiare nga Qeveria për punët që janë kontraktuar. Por, ka edhe prej atyre që do të jepnin edhe ryshfet për paratë e tyre. Duke mos inkasuar mjetet e tyre, këto biznese po pësojnë kriza financiare dhe vështirësi në veprimin e tyre. Me këto mospagesa edhe po zgjerohet zinxhiri i borxhlinjve në treg.

Biznesmeni N.I ka rrëfyer për Express, në kushte anonimiteti, se ka disa muaj që nuk po i kryhet pagesa prej 100 mijë eurove. Këto para ai i ka futur në një projekt qeveritar, por edhe pse janë kryer punimet, pagesa nuk po i kryhet.

Sipas tij, kjo e ka vënë kompaninë e tij në rrezik, duke e futur në borxhe dhe duke ia zvogëluar potencialin investues. Sa u përket gjykatave, thotë se është i pafuqishëm të ndjekë këtë çështje, pasi që, sipas tij, dihet puna e tyre.

“Jam në gjendje që t’i jap para dikujt vetëm që të më kryhet kjo pagesë”, ka thënë ky biznesmen, që nuk ka dashur t’i përmendet emri nga frika se mund të dëmtohet në marrjen e tenderëve. Organizatat buxhetore publike janë jashtëzakonisht të këqija në ekzekutimin e pagesave në lidhje me kontraktuesit e tyre.

Këtë çështje më herët e pati ngritur edhe Shoqata e Naftëtarëve në një takim me ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza. Bizneset patën deklaruar se vonesat e pagesave i kanë detyruar ata të marrin kredi të pafavorshme, por ka ndodhur që edhe kanë falimentuar. Nga Komisioni për Buxhet dhe Financa kanë vlerësuar se mbi 80 milionë euro llogaritet të arrijë vlera e borxheve të Qeverisë për investime kapitale. Këtë e tregon edhe një vendim i marrë se fundi nga Qeveria për të marrë borxh nga buxheti i vitit 2013, që t’i kryejë obligimet e pashlyera financiare të bartura nga viti 2012.

Fundamenti

Në një vendim të datës 30 janar, ekzekutivi i ka kërkuar Ministrisë së Financave mjete shtesë për mbulimin e borxheve të bartura për investime kapitale. Në vendimin e Qeverisë thuhet se mjetet duhet të merren nga linja buxhetore për investimet kapitale të planifikuara për këtë vit.

“Aprovohen ndryshimet për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga vitit paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare në bazë të nenit 7 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, në Tabelën 3.2 Projektet kapitale për vitin 2013”, thuhet në vendimin e Qeverisë në mbledhjen e mbajtur në fund të janarit. Përfaqësuesit e bizneseve thonë se me këto vonesa në kryerjen e pagesave, Qeveria po i rrezikon seriozisht bizneset. Kjo pasi shumë kompani vendore po detyrohen që të hyjnë edhe kredi, duke e zvogëluar edhe numrin e punëtorëve. Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se me këtë po rrezikohet likuiditeti i bizneseve.

“Këto vonesa e rrezikojnë likuiditetin e bizneseve dhe mund t’i sjellë ato në pozita të palakmueshme. Shto këtu edhe faktin se qasja e bizneseve në financa është shumë e vogël dhe kamatat e larta”, ka thënë Rukiqi.

Se bizneseve u bie të presin edhe me vite për t’i marrë paratë e tyre tregon edhe bartja e borxheve nga viti në vit. Në vitin 2009 kanë qenë 4 milionë euro borxhe të bartura, vitin 2010 – 28 milionë, vitin 2011 – 40 milionë euro. Nëse vazhdon kështu, vlerësohet se këtë vit do të jenë 80 deri 90 milionë euro borxhe të bartura, që tregon se institucionet u kanë hyrë obligimeve pa mbulesë financiare. Me probleme të ngjashme bizneset ballafaqohen si në nivelin qendror, po ashtu edhe në pushtetin lokal. Ka shumë prej pronarëve të bizneseve që nuk preferojnë të flasin publikisht, nga frika e sanksioneve.

“Bile me komunat kemi vonesa edhe më të mëdha. Nëse një ministri i vonon pagesat për gjashtë muaj, komunat i vonojnë pagesat me vite”, thotë njw ndërtimtar kosovar.

Ai ka preferuar të mbetet anonim nga frika se do të shantazhohet me likuidimin e pagesës nga komuna dhe ministria që ai ka furnizuar.