Uji Dea

Rregullorja e re e BQK-së, Mehmeti: Dinari ka qenë anti-ligjore kaher, euro është valuta zyrtare e Kosovës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, thotë për Ekonomia Online se në Kosovë vetëm valuta euro është zyrtare dhe se ndalimi i valutave të tjera nuk mund të bëhen me rregullore, përderisa ekziston ligji.

Mehmeti thotë se në Kushtetutën e Kosovës tregohet qarte se duhet të përdoret vetëm një valutë e vetme dhe se ndalimi i dinarit ka ndodhur që nga vitit 1999, në kohën e konvertimit të markës gjermane.

“Që nga paslufta, çështja e dinarit ka qenë shumë sfiduese në Republikën e Kosovës dhe për këtë arsye në vitin 1999, më kujtohet saktë ka qenë një rregullore, ku në atë kohë është përdorur marka gjermane e cila ishte valutë zyrtare në Kosovë, nuk ka pasur valuta tjera. Më pastaj, ju e dini konvertimi kur ka ndodhë prej markës gjermane në euro, është me rregulloren 2001/24, ku euro sipas kësaj rregullore është valuta zyrtare për territorin e Kosovës. Pastaj, kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, më saktë me nenin 11-të, pastaj me nenin 16, me nenin 17 dhe 18 të Ligjit të Bankës Qendrore, ku më saktësisht neni 16 e specifikon kur thotë se ‘është valuta e vetme që do të përdorët’”, thotë Mehmeti.

Mehmeti tregoi edhe dallimin se kur dhe ku mund të përdoren valutat që nuk janë në vlerën euro.“Valutat tjera mund të përdorën për ruajtje fizike, në llogari për pagesa ndërkombëtare por jo më shumë. Pra kemi një valutë të vetme zyrtare që është valuta euro. Pa dashtë me elaburu rregulloren por rregullorja e adreson atë çka thuhet në ligj e që ky ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare në maj të 2012-ës”, deklaroi Mehmeti për EO.

Mobi Casa

E ndalimin e kartëmonedhave 500-she, Mehmeti e konsideron si vendim të kahershëm. Thotë se ndalimi i këtyre kartëmonedhave ka ndodhur në kohën sa ka qenë guvernator i BQK-së.

“Ndër tjera, në këtë rregullore përmendet edhe çështja e kartëmonedhës 500 euro, ku mediat e interpretuan se kinse ‘nuk ka më kartëmonedha 500 euro’, që faktikisht ka vite më herët që Banka Qendrore Evropiane ka marrë vendim ta ndalojë prodhimin e këtyre kartëmonedhave dhe ka vite më herët kur ne kemi kërkuar prej institucioneve financiare e bankare që duhet t’i pranoni kartëmonedhën 500 euro, mirëpo nuk keni të drejtë ta hidhni në qarkullim por ato duhet të kthehen në BQK e më pastaj ato të rikthehen në origjinën ku janë emituar”, thotë Mehmeti.

Ish-guvernatori i BQK-së e thekson si anti-ligjor qarkullimi i dinarit. Thotë se veprimi i institucioneve është në përputhje me Kushtetutën.“Është fakt që asnjë rregullore nuk mund të jetë mbi ligjin edhe bazën ligjore pikërisht kjo rregullore e ka në ligj. Këto çështje nuk rregullohen me rregullore por me ligj. Ne e kemi rregulluar me Kushtetutë, e kemi të rregulluar edhe me ligj dhe bazën ligjore e ka në këto të dyja. Ajo çka është dashur në rastin konkret është veç zbatojë ligjin. Ligji thotë se është një valutë e vetme zyrtare. Kemi pasur edhe raste kur kemi pranuar informata të ndryshme kur ka qarkullim. Tani thjesht qarkullimi i dinarit është ilegal, anti-kushtetues dhe anti-ligjor dhe çdo veprim anti-ligjor duhet të ndëshkohet por edhe në rastin konkret arsyen dhe bazën ligjore e ke për me i konfiksu. Për këtë arsye, mundësitë e veprimit janë të bazuara në Ligj dhe në Kushtetutën e Kosovës”, thotë Mehmeti.