Eko Higjiena

Qasje diskriminuese

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Institucionet publike dhe ato private në Kosovë po i diskriminojnë shumë të rinj kosovarë përmes konkurseve publike. Kriteret si njohja e disa gjuhëve të huaja dhe përvoja e punës për Valbona Rracin, eksperte në projektin “Rritja e punësimit për të rinjtë”, janë diskriminuese. Ajo thotë se nga kjo po preken sidomos të sapodiplomuarit.

Pothuajse çdo konkurs që shpallet nga institucionet private e publike kërkon që aplikuesit të kenë së paku një vit përvojë pune dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja. Këto kritere vlejnë si për të sapodiplomuarit, por edhe ata të rinj që nuk e kanë asnjë ditë përvojë punë.

Drejtuesit e projektit “Rritja e punësimit për të rinjtë”, këto kritere po i vlerësojnë si diskriminuese për shumë të rinj kosovarë. Ky projekt po zbatohet nga “Helvetas Swiss Intercooperation dhe MDA” dhe ka për qëllim t’i ndihmojë të rinjtë nga mosha 15 deri 30 vjeçare për t’u integruar në tregun e punës.

Në një intervistë për Express, ekspertja e lartë e këtij projekti, Valbona Rraci, ka thënë se nga hulumtimet e kryera ka dalë se të rinjtë ndihen të diskriminuar që në start të karrierës se tyre profesionale.

Sipas saj, shumë nga institucionet publike dhe private në Kosovë përmes konkurseve po i diskriminojnë të rinjtë që sapo kanë diplomuar e nuk e kanë asnjë ditë përvojë pune.

“Nga hulumtimet tona ka dalë që të rinjtë në Kosovë ndihen të diskriminuar që në start të karrierës se tyre profesionale, për shkak se konkurset për vende pune kërkojnë se paku një vit përvojë pune. Përderisa në anën tjetër, nuk u jepet mundësia që ta krijojnë këtë përvojë”, ka thënë Rraci.

Në këtë aspekt, ajo thotë se projekti do të bashkëpunojë me sektorin privat për mundësinë e praktikës dhe punësimit për të rinjtë.

Po ashtu, ka dalë se një ndër barrierat për qasjen e të rinjve në tregun e punës është edhe kërkesa e punëdhënësve për njohjen e shumë gjuhëve.

Uji Dea

“Sidomos kërkesa ku përfshihet gjuha serbe, që për gjeneratat e pasluftës është sfidë, pasi gjuha serbe nuk mësohet në sistemin shkollor kosovar”, ka vlerësuar ajo.

Grupet e fokusuara përmes këtij projekti janë të rinjtë nga mosha 15 deri 30 vjeçare, që e përfundojnë aftësimin profesional apo fakultetin për t’u integruar në tregun e punës.

Rraci vlerëson se kapaciteti aktual i sektorit privat për të absorbuar numër më të madh të të rinjve për punë është i ulët. Po ashtu, edhe shkathtësitë e të rinjve nuk janë konform nevojave të tregut.

Edhe shërbimet ndërlidhëse për punë në mes të punëkërkuesve dhe punëdhënësve nuk janë në mënyrë të mjaftueshme të zhvilluara.

Në harmoni me këtë, Rraci pohon se projekti do të fokusohet në intervenimet sipas konceptit “të bërit e tregut funksional për të varfrit”, që nënkupton ndryshime sistematike në tri fusha.

“Stimulimi i sektorit privat përmes investimeve të reja, në mënyrë që të krijohen mundësi të reja për punësim në sektorët relevantë që dërgojnë te rritja e shanseve për punësim për të rinjtë. Promovimi i qasjes te shërbimet për zhvillim të shkathtësive që ofrojnë edukim dhe trajnim adekuat për t’i plotësuar kërkesat e sektorit privat. Ngritja e kapacitete dhe resurseve të shërbimeve ndërlidhëse për punë që vijnë nga sektori privat dhe publik”, ka thënë ajo.

Ndryshe, ky projekt do të mundësojë përmirësimin e kushteve të tregut të punës për të rinjtë në Kosovë. Duke u bazuar në nevojat e sektorit privat, projekti do t’i mbështesë shërbimet e zhvillimit të aftësive profesionale, duke ofruar arsim dhe aftësim adekuat që do të rezultojë në krijimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu do t’ju mundësojë punëkërkuesve qasje më të mirë në vendet e lira të punës dhe marrjen e vendimeve adekuate për orientim në karrierë të bazuar në informata.

Projekti implementohet nga Helvetas-Swiss Intercooperation (HSI), udhëheqëse e konsorciumit me Management Development Associates (MDA) dhe kostoja e përgjithshme e tij është 7.2 milionë euro.(express)