RCCOLA

Privatizimi në skia

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Enis Veliu – Para dy vjetësh ishte premtuar se qendra e skijimit në Brezovicë do të jetë moderne dhe sivjet ishte paraparë të jetë tërësisht funksionale në shërbim të qytetarëve, të cilët kanë pasion skijimin. U fol shumë për investim qindra-milionësh, madje për llogari të investitorit privat Qeveria e Kosovës kishte filluar edhe shpronësimin e disa pronave private që gjendeshin në atë anë. Mirëpo, pas disa viteve ndodhi ajo që ishte pritur.

Përmes një vendimi, të cilin e nënshkroi vetë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, përfundimisht shpalli si të dështuar procesin e privatizimit të qendrës së skijimit në Brezovicë. Edhe kësaj here ndodhi njëjtë sikurse kishte ndodhur edhe më parë. Shteti përzgjedh kompanitë dhe në fund pikërisht është vetë shteti që në mënyrë të njëanshme anulon procesin. Kështu ndodhi edhe me rastin e procesit të privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Përmes një tenderi ndërkombëtar shteti përzgjodhi një kompani për privatizimin e saj. Por pas pak kohësh në mënyrë të njëanshme e anuloi procesin, me ç’rast shteti u rrezikua të paguajë dhjetëra miliona euro pas vendimeve që ka marrë një gjykatë arbitrazhi. Madje kështu mund të ndodhë edhe në rastin e privatizimit të qendrës së skijimit në Brezovicë. Këtë e patën paralajmëruar kompanitë që ishin shpallur fituese e që mbrapa tyre është dyshuar se qëndrojnë biznesmenë të fuqishëm vendorë.

Pas gati një dekade pritjeje, para pak ditësh Qeveria përzgjodhi një kompani amerikane për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”. Edhe ky proces së paku dy herë nisi nga pika zero e të mos çuditemi nëse pas një kohe Qeveria edhe në këtë rast do të veprojë njëjtë sikurse me rastin e privatizimit të qendrës së skijimit apo edhe të privatizimit të Telekomit të Kosovës. Ky është bërë standardi më i ri në Republikën tonë. Zhvatja e buxhetit përmes proceseve të ndryshme në gjykata të arbitrazhit është mënyra më e re e zbrazjes së buxhetit nga biznesmenët kosovarë, të cilët në disa raste qëndrojnë mbrapa kompanive të ndryshme ndërkombëtare. Procesi i privatizimeve në vendin tonë është tepër i dhimbshëm i shumë ndërmarrjeve të fuqishme që janë shitur përmes proceseve të dyshimta. Është ndoshta rast unik në Evropë, por edhe më larg, kur procesi i privatizimit në vend se të sjellë progres ekonomik solli regres. Në fillim ishte pritur se privatizimi do të vendosë në Kosovë kompani të fuqishme ndërkombëtare, do të hapë vende të reja pune. Por ndodhi e kundërta. Shumë vende pune u mbyllën me privatizimin e shumë ndërmarrjeve shoqërore.

Ndërmarrjet shoqërore u janë shitur njerëzve që paratë deri në momentin e blerjes nuk i ruanin në bankë, por nën jastëk. Ndërmarrjet që dikur ishin krenari e qytetit, por edhe e Kosovës, produktet të cilat prodhoheshin në ato fabrika e që zinin hapësirë të konsiderueshme në tregjet ndërkombëtare fatkeqësisht sot u shkatërruan plotësisht.

Fundamenti

Në të shumtën e rasteve disa pronarë të panjohur disa objekte që ishin në gjendje më të mirë i shndërruan në depo ose në hipermarkete gjersa ato të vjetrat apo edhe ato që gjendeshin në vende strategjike i prishën dhe i shndërruan në kantiere ndërtimi.

Edhe këtu procesi është i njëjtë sikurse më parë. Paratë për ndërtimin e godinave të larta në shumë raste dyshohet se u sollën me çanta dhe çuditërisht shumica e pronarëve të kompanive ndërtuese qytetarëve që ua blenë ato ua kërkojnë paratë t’i paguajnë vetëm përmes llogarive bankare.

Është e domosdoshme që procesi i privatizimit, sidomos i atyre ndërmarrjeve strategjike që janë shitur për një “pako cigareje”, duhet të rishikohet dhe ata që i kanë bërë ato manipulime duhet të dalim para drejtësisë. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Më mirë vonë se kurrë”.

Në Kosovë në vazhdimësi është kritikuar procesi, shumë persona janë akuzuar në medie, në rrugë, në kafene e madje edhe në Kuvend, por çuditërisht asnjëri prej tyre nuk është dënuar për shkeljet e mëdha, që dyshohet se janë bërë gjatë rrugës./ZËRI