RCCOLA

Një opozitë për gjynah

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Opozita në Kosovë përveç që është e dobët, është edhe jokredibile. “Veprimi” i vetëm i partive opozitare është pritja që kryeministri të gabojë dhe “dikush” ta ndëshkojë për gabimet e veta. Andaj Albin Kurti i ka duart e lira të bëjë çfarë të dojë, të sillet e të qeveris me arrogancë. Opozitë për gjynah.

Plot akuza për antiamerikanizëm e prishje me aleatët janë bërë nga partitë opozitare ndaj kryeministri Albin Kurti dy javët e fundit. Veprimet e fundit të tij në veri dhe më pas reagimet veçanërisht nga Washingtoni kanë bërë që opozita ta vë në shenjestër Kurtin, duke i dhënë epitete nga më të ndryshmet. Nuk kanë munguar as iniciativat për mocion mosbesimi qeverisë. Ka pasur nga opozitarët që gjithë kundërshtimin e vet për qasjen e Kurtit karshi kërkesave të aleatëve e kanë përmbledhur me postimin e flamurit amerikan në Facebook, siç ishte rasti me ish-kryeministrin Avdullah Hoti. Megjithatë, përveç zhurmës në parlament e në studio televizive, nuk është se janë parë veprime më radikale opozitare që do ta rrezikonin pushtetin e Kurtit ose që do ta largonin atë nga pozita.

Askush nuk e mohon që opozita kosovare është e dobët, e ngathët, dembele, kalkulante. Me një opozitë të tillë është normale që Kurti të ndihet rehat në pushtet dhe të bëjë çfarë të dojë. Me një opozitë të tillë, e cila problem tjetër ka edhe mungesën e kredibilitetit, mungesën e besueshmërisë, gjasat janë që Kurtit të mos i prishet “tymi i duhanit”.

Në një situatë kur jo vetëm opozita, por edhe shoqëria civile dhe mediat ngrenë alarmin për rrezikun e dëmtimit të marrëdhënieve me amerikanët, nuk mjaftojnë fjalimet në parlament e as “beteja” kush po tingëllon më ashpër ndaj Kurtit. Nëse situata është kaq serioze, atëherë opozita mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mosveprim. Në të tilla situata, opozita së pari duhet të gjejë rrugën që të bind qytetarët se Kurti po rrezikon vendin me këtë qasje. Në këtë mënyrë, do të mund të krijohej masa kritike për reagim.

Por, në mënyrën se si po sillet e si po vepron, opozitës po i beson pakkush. Aq më pak kur qëndrimet e opozitarëve shpesh janë të mjegullta, nuk janë të qarta dhe lënë hapësirë për interpretim.

KKVITI

Problem kryesor i partive opozitare është mungesa e kredibilitetit, veçanërisht në raport me veriun. Si pret opozita që të reagojë një qytetar i Kosovë, kur Kurti kritikohet nga dikush që ka bashkëpunuar me elementë që kontrollojnë krimin e kontrabandën në veti? Si t’i besohet opozitës kur kritikat për pushtetin vijnë nga deputetë të papërgjegjshëm për atë që thonë, deputetë bullizues e plagjiatorë? Si t’iu besohet partive opozitare, kur eksponentë të tyre, të cilët kanë qenë në pushtet, vite me radhë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim serioz për veriun, ndërkohë që atje krimi dhe kontrabanda kanë fituar terren?

Sfiduesi më i madh i Albin Kurtit në veprimet e veta tash në veri, por edhe në mënyrën e qeverisjes në fusha të tjera, do të ishte një opozitë kredibile. Por, nuk është kështu. Nuk mund ta fajësosh pushtetin për gjëra që nuk i ke bërë as vetë në të kaluarën. Nuk mund të jetë kauzë jotja e vetme opozitare “të jesh a të mos jesh me Amerikën”. Nuk të beson askush dhe je i destinuar të dështosh.

Andaj Albin Kurti i ka duart e lira të bëjë çfarë të dojë, të sillet e të qeveris me prepotencë, arrogancë. Andaj ai nuk ia ka frikën opozitës, e cila në shumicën e rasteve sillet ”as mish, as peshk”.

Qasja opozitare nuk është në proporcion me alarmin që opozita ngre për veprimet e Kurtit. Nuk mund të konstatosh që Kurti qenka shumë i rrezikshëm dhe i dëmshëm, e në anën tjetër të mos bësh asgjë për t’i parandaluar veprimet e rrezikshme e të dëmshme të tij. Nuk mund të presësh që Kurti të gabojë e të ndëshkohet nga “dikush”. Ky nuk është opozitarizëm – është dorëzim. Është dështim jo vetëm për partitë që tash nuk janë në pushtet, por kanë qenë dikur. Është dështim edhe për shoqërinë që nuk sheh alternativë serioze përballë Kurtit. Më shumë bëjnë mediat e shoqëria civile, se partitë opozitare. Për fat të keq.