Eko Higjiena

Përdhosja e talentit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nga Daut Dauti – Në Kosovë takova dy të rinj që nuk po më hiqen nga mendja. Njëri 24 vjeç kurse tjetri 26. Që të dy të shkolluar deri në fund, të talentuar dhe të mençur deri në mahnitje. Janë të përgatitur sikur që kanë dalur nga universitetet elitare britanike.

Ekziston vetëm një dallim: të përgatiturit e universiteteve britanike gjejnë punë menjëherë kurse këta dy nuk kanë gjasa të punojnë.

Kanë provuar në shumë konkurse, por pa asnjë rezultat. Nuk besojnë më në punësim për shkak se shenjtëria e konkursit në Kosovë është përdhosur.

Gjithnjë e më shumë forcohet përshtypja se në Kosovë nuk i do askush të talentuarit dhe besoj që kjo gjë është njësoj edhe në Shqipëri e Maqedoni te shqiptarët. Askush nuk mendon për sistemimin e tyre.

Këtu punësohen vetëm ata që kanë lidhje politike, familjare ose klanore.

Mobi Casa

Në këtë skemë pranohen në punë edhe idiotët, por jo të talentuarit.Kur i takon këta të talentuar, gëzimi është i madh. Por, dëshpërimi, njëkohësisht, edhe më i madh.

E vetmja këshillë (shumë e tmerrshme) për ta është: ikni nga ky vend që ua mbytë talentin dhe ardhmërinë.

Këshillat e karakterit patriotik janë përtej humorit.Këta ma kujtojnë rininë time. As unë nuk kam pasë rast të punësohem pas shkollimit.

Por, në atë kohë ne kemi jetuar nën okupim dhe aparthejd ku nuk bëhej fjalë për punësim. Tashti, në liri dhe nën qeverisjen tonë, për ta gjërat nuk kanë ndryshuar. Prandaj, nuk ndalet ikja e të rinjëve në këtë mënyrë.

Sidomos kur tashti është bërë e qartë se në Perëndim gjasat e përparimit të të talentuarve janë reale kurse në vendin e tyre nuk kanë gjasa as për mbijetesë.