Fundamenti

Privatizimi mafioz, NSH-të prodhuese u bënë depo tregtare

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Pothuajse të gjitha pronat e shitura gjatë procesit të privatizimit me ‘Spin-Off Special’ nuk e mbajtën veprimtarinë e përcaktuar dhe u shndërruan në hapësira për veprimtari tregtare apo për ushtrime të ndryshme të punëve joprodhuese. Njohësit e kësaj fushe e tregojnë se si janë mbyllur dhe kamufluar këto raste nga të gjitha ish-bordet e AKP-së.

‘Spin-off-ët Specialë’, një histori kriminale kosovare

“Bordi dhe udhëheqja aktuale e AKP-së duhet që të bëjnë hetime imediate, për të verifikuar se sa u janë përmbajtur blerësit kushteve të privatizimit, përkatësisht se këtyre NP-ve u është ndërruar destinacioni”, thotë Salih Salihu për “Kosova Sot”

Pothuajse të gjitha pronat e shitura gjatë procesit të privatizimit me ‘Spin-Off Special’ nuk e mbajtën veprimtarinë e përcaktuar dhe u shndërruan në hapësira për veprimtari tregtare apo për ushtrime të ndryshme të punëve joprodhuese. Njohësit e kësaj fushe e tregojnë se si janë mbyllur dhe kamufluar këto raste nga të gjitha ish-bordet e AKP-së.

Sipas analistëve, bordi dhe udhëheqja aktuale e AKP-së duhet që të bëjnë hetime për të verifikuar se sa u janë përmbajtur blerësit kushteve të privatizimit . Veç saj, është shtruar pyetja se përse Prokuroria Speciale asnjëherë nuk u mor me këtë çështje, të këtij privatizimi të egër, për të ndriçuar rastet se përse fabrikat e dikurshme u shndërruan në markete e restorante të pushtetarëve dhe të të afërmve të tyre, kurse shteti nuk bën asgjë? Me gjithë pyetjet e drejtuara në adresën elektronike të Prokurorisë së Shtetit, zyrtarët e saj nuk kanë dhënë përgjigje. Ndërsa, zëdhënësi nga Njësia për Marrëdhënie me Publik dhe Medie në AKP, Ylli Kaloshi, ka thënë për “Kosova Sot”, se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) monitoron ndërmarrjet e privatizuara me ‘Spin-Off Special’ dhe ato me kushte, të cilat akoma nuk janë liruar nga raportimi në AKP. “Gjithsej 26 ndërmarrje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit janë privatizuar me metodën ‘Spin-Off’ special, dhe të gjitha këto në kohën e ish- AKM-së”, u shpreh ai.

Pritet aplikimi i Ligjit për Investime Strategjike

Kaloshi ka thënë se si trashëgimtare e ishAKM-së, AKP-ja ka trashëguar kontratat e ‘Spin-Off”-ëve dhe ka mbikëqyrur procesin e përmbushjes së obligimeve kontraktuese nga ana e blerësve të tyre. “Nga 26 ndërmarrje, AKP-ja ka bërë tërheqjen e aksioneve për ndërmarrjet, të cilat nuk kanë përmbushur kushtet kontraktuese të investimeve. Aksionet janë tërhequr për hotel ‘Grand’, ‘Llamkos’, Miniera e Strezovicit dhe Goleshit. Sa i përket hotelit ‘Grand’, AKP-ja është duke administruar me këtë hotel, i cili është i gatshëm për t’u ofruar për privatizim, qoftë edhe përmes Ligjit për Investime Strategjike, i miratuar së fundmi nga Kuvendi i Kosovës”, u shpreh ai. Kaloshi ka deklaruar se AKP-ja do të koordinohet me Qeverinë e Kosovës në gjetjen e investitorëve relevantë nga fusha e hotelerisë në privatizimin e hotelit ‘Grand,’ aset ky i një rëndësie të veçantë. “Sa u përket Minierave të Strezovicit dhe Goleshit, AKP-ja edhe në këto raste do të shfrytëzojë përparësitë e Ligjit të ri për Investime Strategjike dhe do të koordinohet me Qeverinë në gjetjen e investitorëve strategjikë në fushën e minierave. Ndërmarrjet e privatizuara me ‘Spin-Off Special’ apo me kushte monitorohen vetëm për periudhë të caktuar kohore, ndërkaq pas vendimit për lirimin e tyre nga monitorimi, AKP-ja më nuk ka kompetenca mbi ato ndërmarrje dhe për çfarë- do ndërrimi të veprimtarisë së tyre AKP-ja nuk mban përgjegjësi”, vijoi më tej Kaloshi.

Ndërrimi kriminal i destinimit të NSH-ve

Lidhur me temën që trajtohet ka qenë deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), që për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk ka asnjë dyshim, se shumica e pronave të shitura gjatë procesit të privatizimit, që janë bërë me “Spin-Off Special” nuk e mbajtën veprimtarinë e përcaktuar dhe kjo vërtet është për keqardhje. “Dhe, që e keqja të jetë edhe më e madhe,atyre bizneseve dhe kompanive u është ndërruar në tërësi destinimi i tyre. Kjo, sepse shumica e tyre janë shndërruar në hapësira për veprimtari tregtare apo për ushtrime të ndryshme të punëve joprodhuese, si është rasti i Fabrikës së Mobilieve ‘Tefik Çanga’ në Ferizaj, që është bërë Qendër Tregtare”, vlerësoi ai. “Do të ishte mirë që në Kuvendin e Kosovës të debatohej për të mësuar se çfarë u bë me këto biznese, përkatësisht se përse fabrikat e dikurshme si ajo në Ferizaj e shumë raste të tjera u shndërruan në supermarkete dhe restorante prapa të cilave qëndrojnë pushtetarët dhe të afërmve të tyre dhe përse shteti nuk po bën asgjë”, vijoi më tej Salihu. Sipas tij, dëmin më të madh vendit ia krijuan me papunësinë këto ndërmarrje që janë privatizuar, ngase ato kanë pasur një numër të konsiderueshëm të punëtorëve dhe tashmë që nga privatizimi i tyre këta punëtorë kanë ngelur pa vende pune.

Uji Dea

Goditja e tokës dhe punësimit

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se procesi i privatizimit nuk solli ndonjë të mirë. “Kjo duket më qartë kur kemi parasysh që një numër i madh i ndërmarrjeve nuk janë aktivizuar, sipërfaqe të tëra të privatizuara kanë mbetur djerrinë, janë shuar shumë vende të punës, pra nuk ka pasur gjenerim të punësimit dhe ndërmarrje të shumta nuk ekzistojnë fare. Privatizimi dhe metoda që Kosova ka aplikuar nuk ka qenë adekuate dhe se do të duhej që blerësit e rinj të kushtëzohen që t’i aktivizojnë këto ndërmarrje dhe nëse kishte qenë nevoja t’u jepen falas blerësve, por duke i kushtëzuar me numrin e të punë- suarve dhe riaktivizimin e tyre”, u shpreh ai. Analisti Beqiri përkujton se procesi i privatizimit në Kosovë ka filluar në vitin 2003 dhe deri më tani janë shitur 1290 asete të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore me një vlerë prej mbi 660 milionë euro. “Por, edhe pas 13 vjetësh, të pashitura kanë mbetur edhe 1865 asete. Prej tyre, 1685 prona janë brenda territorit të Kosovës, kurse 180 prej tyre janë jashtë vendit”, ka thënë ai. “Forma e privatizimit të tokës bujqësore dhe të pasurive të tjera të Kosovës lënë shumë për të dëshiruar, ka disa aktakuza për keqpërdorime, por pa një epilog të mirë, andaj privatizimi i ndërmarrjeve kosovare ka dështuar, nuk e di ende një ndërmarrje e privatizuar a ka arritur të jetë shembull i suksesit pas privatizimit, nëse marrim ‘New Feronikelin’ siç po shihet ka shumë keqpërdorime dhe është afër falimentimit, pastaj ‘Llamkosi’ veçse ka falimentuar, pastaj kemi edhe shumë të tjera që janë në proces të shuarjes”, vlerë- soi analisti Beqiri.

Pritjet e mëdha, sukseset e pakta

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se “Spin Off-ët Specialë” kanë pasur një afat të caktuar që të vazhdojnë me veprimtarinë ekzistuese dhe të bëjnë shuma të caktuara të investimeve. “Besoj se këtyre afateve iu kanë përmbajtur shumica prej tyre, sepse përndryshe AKP-ja e ka pasur aksionin e artë që në çdo moment ka pasur të drejtë ta kthejë mbrapa privatizimin e caktuar”, u shpreh ai. Sipas Abazit,” disa privatizime me “Spin-Off Special” kanë qenë shumë të suksesshme, siç janë:”Trofta” në Istog; Venaria “Stone Castle”, në Rahovec, ” Uji Kllokoti” në Viti; ” Banja e Pejës” në Pejë, motel “Nora” në Klinë, Fabrika e Gypave me Tegel në Ferizaj dhe hoteli “Swis Diamont” në Prishtinë. “Sigurisht se ka ndonjë që ka dështuar në ushtrimin e veprimtarisë së njëjtë dhe pas mbarimit të afatit të mbikëqyrjes ka ndërruar veprimtarinë. Ndryshimi i veprimtarisë dhe falimentimi janë normale në ekonominë e tregut dhe kjo ndodh çdo ditë edhe me ndërmarrjet puro private”, vlerësoi ai. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se përkundër pritjeve privatizimi u tregua jo i suksesshëm mos të themi i dështuar e aq më shumë ato raste me “Spin-Off Special”, që pritjet kanë qene më të mëdha, pikërisht këtu ishte dështimi. “Privatizimi me ‘Spin-Off Special’ i trajtonte ndërmarrjet e mëdha, të cilat mund të absorbonin numër të madh të punëtorëve dhe do të ndikonin në revitalizimin e industrisë së rëndë, por praktika tregoi të kundërtën duke mos iu përmbajtur kontratave si në punësim, prodhim dhe duke ndërruar edhe destinimin e biznesit, duke ulur në mënyrë drastike numrin e punëtorëve dhe uljen në paga po ashtu edhe ndërrim të natyrës së të bërit biznes, si dhe duke i lëshuar hapësirat e këtyre ndërmarrjeve në qendra tregtare dhe parkingje për vetura”, potencoi ai.

PROKURORIA TË HETOJË AFERAT “Edhe Prokuroria Speciale e Kosovës duhet që ta hetojë në detaje këtë çështje, të këtij privatizimi, që lirshëm mundet të cilësohet se ka qenë një privatizim i egër. Kjo, ngase fabrikat e dikurshme u shndërruan në markete e restorante të pushtetarëve dhe të afërmve të tyre, kurse shteti nuk bëri asgjë në këtë drejtim, që mos të ndodhë kjo dhe punëtorët të ngelin pa vende të tyre të punës”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.

SHKELJET E KONTRATËS “Kjo praktikë tanimë është funksionale dhe ndodh para syve të institucioneve relevante dhe është e habitshme se si nuk po reagon AKP-ja dhe Prokuroria, sepse këtu kemi shkelje të kontratës me dy këmbët, së paku Prokuroria e ka obligim ndaj qytetarëve, sepse paguhen nga këta taksapagues që nuk kanë fuqi për veprime të tilla, sepse më këtë po e humbin kuptimin e ekzistimit të tyre si institucione”, tha Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot”, duke folur për ndërrimin e destinimit nga NSH-të.

Proces korruptiv

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se procesi i privatizimit tek ne jo vetëm që është proces i dështuar dhe i përcjellë me korrupsion, por e keqja është se ai edhe nuk ka ndikuar në zhvillim ekonomik, por e ka komplikuar dhe ngadalësuar tej mase procesin e tranzicionit ekonomik në Republikën e Kosovës. “Shumë pak ndërmarrje e kanë ruajtur aktivitetin e tyre ekonomik që e kanë pasur para privatizimit, gjithashtu edhe shumë pak ndërmarrje që janë privatizuar me ‘Spin-Off Special’ nuk i kanë përmbushur kontratat për ruajtjen e veprimtarisë si dhe në punësimin e punëtorëve. Tek ne privatizim në vend që të zbutë papunësinë, ai e ka rritur këtë, në vend se të ndryshojë strukturën e ekonomisë dhe të jetë një ekonomi prodhuese, ekonomia e jonë është bërë ekonomi tregtare që po i shesim produktet e vendeve të rajonit”, theksoi ai. “Me këtë privatizim dobi kanë vetëm ata që i kanë blerë këto ndërmarrje me çmime të lira dhe kanë përfituar vetëm për interesa të veta personale. Prandaj, është në interes që të rishikohet privatizimi në tërësi dhe të shqyrtohen në tërësi kontratat që janë nënshkruar në mes të pronarëve dhe Agjencisë së Privatizimit se a i kanë përmbushur detyrimet e parapara me kontratë me rastin e privatizimit”, shtoi më tej Neziraj. Sipas tij, është mirë të përmbyllet privatizimi dhe procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore si parakusht për kthimin e mjeteve të Fondit të Privatizimit dhe aktivizimin e tyre në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

(Kosova Sot)