Vitia u shndërrua në qendër të folklorit botëror, mbahet nata qendrore e festivalit “N’Karadak Krisin Tupanat”
Viti – Sheshi i qytetit të Vitisë ishte mbrëmë skena e një spektakli të pasur me kulturë, traditë dhe ngjyra folklorike, ku u mbajt nata qendrore e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Valleve dhe Riteve “N’Karadak Krisin Tupanat”.
Qindra qytetarë, mysafirë dhe bashkatdhetarë ndoqën nga afër programin artistik, në të cilin ansamblet pjesëmarrëse prezantuan trashëgiminë e tyre kulturore përmes valleve, këngëve dhe riteve tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive dhe duke promovuar dialogun kulturor mes popujve.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti, të cilët vlerësuan rëndësinë e festivalit si një ngjarje që promovon kulturën shqiptare dhe e vendos Vitinë në hartën e festivaleve ndërkombëtare të folklorit.
Edicioni i sivjetmë mblodhi ansamble dhe delegacione artistike nga Luksemburgu, Peruja, Panamaja, Polonia, Portugalia, Meksika, Qiproja Veriore, Turqia, Egjipti, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Përmes performancave autentike, pjesëmarrësit sollën para publikut një mozaik të pasur kulturash, duke dëshmuar se folklori mbetet një urë e fuqishme që lidh popujt dhe promovon mirëkuptimin ndërkombëtar.
Festivali “N’Karadak Krisin Tupanat” organizohet me përkrahjen e Organizatës Ndërkombëtare të Festivaleve Folklorike (CIOFF), ku anëtar është edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia. Mbështetja e CIOFF-it i jep festivalit një dimension ndërkombëtar dhe e radhit atë ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të këtij lloji në Kosovë.
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen e ansambleve nga vende të ndryshme të botës dhe interesimin e madh të publikut, duke theksuar se festivali vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për promovimin e trashëgimisë kulturore, forcimin e miqësisë mes kombeve dhe prezantimin e Vitisë si një qendër e rëndësishme e aktiviteteve kulturore në Kosovë./rajonipress/



