Kamenica nis projektin për restaurimin e lumit “Përdredhur”, synohet rikthimi i ekuilibrit ekologjik përmes zgjidhjeve natyrore
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka nisur një iniciativë të re për restaurimin e lumit “Përdredhur”, përmes hartimit të një projekti që synon mbrojtjen e ekosistemit, përmirësimin e resurseve ujore dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët. Projekti do të mbështetet në zgjidhje të bazuara në natyrë dhe në ekspertizë profesionale për menaxhimin e qëndrueshëm të këtij resursi ujor.
Në kuadër të kësaj nisme, nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, së bashku me përfaqësues të tri komunave të tjera, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Programit për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K).
Me këtë rast, Bajralija ka nënshkruar edhe marrëveshjen për asistencë teknike, e cila parasheh hartimin e vlerësimit të fizibilitetit dhe projektit kryesor për restaurimin e lumit “Përdredhur”.
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet që projekti të mbështetet në analiza profesionale, të cilat do të identifikojnë mundësitë dhe ndërhyrjet më të përshtatshme për rehabilitimin e lumit, duke respektuar karakteristikat e tij natyrore dhe ekologjike.
Nisma mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa asistenca teknike pritet të sigurojë ekspertizën e nevojshme për hartimin e një projekti të qëndrueshëm.
Nënkryetarja Arta Bajralija e ka vlerësuar këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e pasurive natyrore të Kamenicës dhe përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore.
“Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së pasurive natyrore, përmirësimit të resurseve ujore dhe krijimit të një mjedisi më të shëndetshëm e më të qëndrueshëm për qytetarët e Kamenicës”, ka deklaruar Bajralija.
Përmes këtij projekti, Komuna e Kamenicës synon të avancojë politikat mjedisore dhe të forcojë bashkëpunimin me institucionet vendore e ndërkombëtare, me fokus në mbrojtjen e lumenjve dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore.
Restaurimi i lumit “Përdredhur” pritet të nisë me fazën e studimit të fizibilitetit dhe hartimit të projektit kryesor, ndërsa realizimi i ndërhyrjeve konkrete do të përcaktohet në bazë të rezultateve të këtyre vlerësimeve./rajonipress/

