KEDS njofton për ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike sot në zonën e Kamenicës
Gjilan – Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se sot do të ketë ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa lokalitete të Komunës së Kamenicës, për shkak të punimeve të domosdoshme për sigurinë e sistemit dhe mirëmbajtjes preventive të rrjetit.
Sipas njoftimit, nga Nënstacioni 110/20(10 kV) Kamenicë, dalja 10 kV Ropotova do të ndërpritet nga ora 10:30 deri në 13:30. Pa energji elektrike do të mbesin fshatrat Bozhec, Busavatë, Drenoc, Drenoc i Ulët, Drenoc i Epërm, një pjesë e Dubovës, Gllogoc, një pjesë e Hodecit, një pjesë e Miganocit, Pançellë, Petroc, Ranillug, Ropotovë e Madhe, Ropotovë e Vogël dhe Tomanc.
KEDS ka bërë të ditur se ndërprerja është e nevojshme për kalimin e kabllove 10 kV nga kthina ekzistuese e daljes së Ropotovës në kthinën e re për daljen e Busavatës, me qëllim rritjen e sigurisë së sistemit.
Ndërkohë, nga TS 110/10 kV Kamenicë, në daljen 10 kV Strezovci – Stabiliment – Ajnovc, do të ketë ndërprerje të energjisë nga ora 10:00 deri në 15:30.
Gjatë kësaj periudhe pa furnizim me energji elektrike do të mbesin lokalitetet Meshinë, Buxhenicë, Strezoc, Bushincë, Tirincë, Bolec, Carec, Krilevë, Leshtar, Vaganesh, Kremenatë dhe Rahovicë.
Sipas KEDS-it, punimet kanë për qëllim mirëmbajtjen preventive të rrjetit, eliminimin e defekteve dhe adresimin e gjetjeve të evidentuara gjatë inspektimeve të kryera me dron./rajonipress/


