Fundamenti

Pa VETTING nuk ka konfiskim të pasurive të paligjshme

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Pavarësisht që ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është shprehur këto ditë se gjatë vitit në vijim 2019, do të fillojë konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale, njohësit e kësaj fushe nuk po mund të besojnë akoma se ky premtim i tanishëm i ministrit të Drejtësisë së Kosovës do të vihet në jetë.
Preteni: Ministri nuk konfiskon, ministri nuk burgos. Si mundet politika të premtojë diçka që nuk është kompetencë e tyre?!

Nt. “Drejtësinë në Kosovë për të vepruar dhe për të funksionuar e ka penguar politika, politikanët qeveritarët dhe prokurorët e gjyqtarët, të cilët vetë ata janë problemi dhe antiligji. Shprehja dhe deklarimi i ministrit janë tipike si një premtim verbal politik elektoral dhe asgjë më shumë. Duhet tjetër gjë të bëhet i besueshëm ministri… ai pse nuk e merr angazhimin për miratimin në Parlament të VETTING-ut, i cili do ta bënte të mundur reformimin dhe pastrimin e drejtësisë prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët e kanë kapur drejtësinë dhe nuk e zbatojnë ligjin. Nëse dëshiron me të vërtetë konfiskimin e pasurive të pushtetarëve të lartë, të atyre që e kanë bërë pasurinë në rrugë të paligjshme, e pyesim përsëri ministrin se kush do t’ua konfiskojë pasuritë edhe të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të cilët e kanë fituar edhe shumë nga ata me korrupsion dhe duke abuzuar me ligjin?! ”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Pavarësisht që ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është shprehur këto ditë se gjatë vitit në vijim 2019, do të fillojë konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale, njohësit e kësaj fushe nuk po mund të besojnë akoma se ky premtim i tanishëm i ministrit të Drejtësisë së Kosovës do të vihet në jetë.

Ekspertët e kësaj fushe me të drejtë e shtrojnë pyetjen se si mund të konfiskohet pasuria, pa u çuar në burg pushtetarët, ata të cilët janë fajtorët kryesorë pse shteti është me korrupsion dhe krim të organizuar dhe si mund të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni me këta prokurorë e gjyqtarë që janë vegla të politikës, pasi që edhe deri më tani Kosova nuk ka pasur pengesë dhe mungesë të ligjeve, por e faktit se ato nuk ka kush t’i zbatojë.

Tani përsëri shprehet dyshimi që në këtë zotim të ri të ministrit do të bien viktima vetëm disa individë të fokusuar, sepse pushtetarët e inkriminuar do të provojnë t’i shantazhojnë kundërshtarët e tyre përmes sistemit të drejtësisë, të cilin e kanë tërësisht në duart e tyre. Për këtë qëllim,analistët dyshojnë se është blerë heshtja e prokurorëve me rroga 3 e 4 mijë euro.

Kapiti: Deklaratën e ministrit të Drejtësisë nuk e beson ndokush

Fundamenti

Njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti, mendon se edhe nëse kjo qasje e paralajmëruar e ministrit Tahiri provon të jetë dhe bëhet serioze, ajo nuk do të lejohet të vihet në zbatim nga grupet kriminale, pasi që ato akoma janë më të fuqishme se drejtësia dhe se vullneti politik i ndonjë individi, në këtë rast edhe vullneti personal që mund të ketë ministri Abelard Tahiri. Prandaj Kapiti thotë se pa VETTING nuk beson që mund të realizohet ky zotim. “Deklaratën e ministrit të Drejtësisë z. Tahiri, se në vitin 2019 do të fillojë konfiskimi i pasurive të zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale , nuk e beson ndokush. Atëherë pyesim se përderisa Ju i njihni dhe i dini se kush janë këta individë të pozitës së lartë, të cilëve u duhen konfiskuar pasuritë e fituara në mënyre të paligjshme, kush ju paska penguar Ju, institucionin tuaj dhe paraardhësit tuaj që t’i kallëzoni ata në prokurori dhe t’i padisni në gjykatë?! Ju nuk mund t’ua konfiskoni askujt pasuritë pa vendimmarrje gjyqësore. Kjo tregon se gjykata dhe prokuroria pritkan urdhrat tuaj, të politikës dhe të pushtetit për të vepruar, pasi dhe përderisa politika dhe pushteti e paska të sajën edhe drejtësinë. Pyetje tjetër mosbesimi që i bëhet këtij ministri është edhe kjo: Edhe nëse ministri e ka seriozisht angazhimin dhe vullnetin për konfiskimin e pasurive dhe të luftimit të grupeve kriminale, a janë në një linjë me të drejtësia, gjyqtarët dhe prokurorët e sotëm”, u shpreh ai.“Pra, nëse ka krim, korrupsion, padrejtësi dhe grupe kriminale, kush i ka penguar këta gjyqtarë dhe prokurorë për hetimin dhe ndëshkimin e tyre deri më tani. Përgjigjja është e lehtë, se drejtësinë në Kosovë për të vepruar dhe për të funksionuar e ka penguar politika, politikanët qeveritarët dhe prokurorët e gjyqtarët, të cilët vetë ata janë problemi dhe antiligji. Shprehja dhe deklarimi i ministrit janë tipike si një premtim verbal politik elektoral dhe asgjë më shumë. Duhet tjetër gjë të bëhet i besueshëm ministri, të paktën pse ai si ministër bashkë me deputetët e grupit të tij parlamentar të subjektit politik prej të cilit ai ka marrë postin e ministrit, madje edhe po qe se mund të ishte deputet i pavarur, ai pse nuk e merr angazhimin për miratimin në Parlament të VETTING-ut, i cili do ta bënte të mundur reformimin dhe pastrimin e drejtësisë prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët e kanë kapur drejtësinë dhe nuk e zbatojnë ligjin. Nëse dëshiron me të vërtetë konfiskimin e pasurive të pushtetarëve të lartë, të atyre që e kanë bërë pasurinë në rrugë të paligjshme, e pyesim përsëri ministrin se kush do t’ua konfiskojë pasuritë edhe të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të cilët e kanë fituar edhe shumë nga ata me korrupsion dhe duke abuzuar me ligjin?! Pra, lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk bëhet me deklarata e premtime politike sa për t’u dukur dhe për konsum publik, por duhet një ndërmarrje e thellë dhe rrënjësore për të çmontuar krimin dhe korrupsionin nga sistemi. Dhe këtë e bën vetëm VETTING-u, ashtu si në Shqipëri, ku fillimisht llogaridhënie po japin gjyqtarët dhe prokurorët për pasuritë e tyre”, vlerësoi Kapiti për “Kosova Sot”.

Preteni: Politika duhet të mbetet 100% jashtë Gjyqësorit

Edhe sipas Hasan Pretenit, njohës i mirë i kësaj fushe, madje për dy mandate në krye të Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ky zotim i ministrit Tahititingëllon bukur, por pyetja shtrohet se si mund të zbatohet, me çfarë sigurie është lëshuar kjo deklaratë nga ana e ministrit.“Si veprohet kështu kur ministri siguron se do të bëhet konfiskimi. Ministri dhe Qeveria duhet të krijojnë kushte optimale të punës, duhet t’i dërgojnë projektligjet në Kuvend dhe të sigurojnë buxhet të mjaftueshëm për punë. Ministri nuk konfiskon, ministri nuk burgos. Si mundet politika të premtojë diçka që nuk është kompetencë e tyre. Prokuroritë duhet të zgjohen nga gjumi, ato duhet të ngrenë aktakuza të bazuara në fakte, ato duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe profesionale. Pra, si mund të sigurohet se do të ketë konfiskime vitin tjetër. Nëse ka prova pse po e presin vitin tjetër. Pse e kanë taktizuar dhe nuk kanë vepruar këtë vit ose këtyre viteve. Kjo na lë përshtypjen se i kanë provat dhe se nuk kanë vepruar derisa të vjen viti 2019. Të gjitha këto deklarime dhe qëndrime të politikës nuk janë reale dhe nuk janë pjesë e mandatit të politikës. Sidoqoftë, unë uroj që të lëvizet nga pika zero, uroj që të ketë progres, por në anën tjetër unë jam shumë skeptik. Nuk po punohet dhe nuk po logjikohet mbarë. Politika duhet të mbetet 100% jashtë Gjyqësorit. Mesazhi im për ministrin është shumë i sinqertë, është kërkesë: Krijoni kushtet për punë dhe kërkoni transparencë dhe llogaridhënie”, tha ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni.
Propaganda politike

Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani, shprehet skeptik, duke vlerësuar se deklarimet e tilla janë thjesht për konsum të kotë në opinion publik.“Nuk ka asnjë gjykim të kësaj fushe që është afër përfundimit, e të mos flasim se ka përfundimtar, e lëre më të flasim edhe për të pasur konfiskim, kur dihet se një numër i madh kundër të cilëve duhet vepruar janë anëtarë të partisë së tij. E dyta, çështje që dua të përmend është ajo që vazhdimisht e kemi thënë se ai nuk e kontrollon gjyqësinë, se ai nuk zbaton ligje të natyrës penale, për të dalë e për t’i dhënë vetes të drejtë të thotë se do të ketë ose nuk do të ketë konfiskime të pasurisë. Këto thjesht janë deklarime politike pa mbulesë për rendin dhe ligjin. Kjo punë duhet dhe varet vetëm nga faktet dhe vetëm nga organet e drejtësisë se çfarë do të ndodhë, është shqetësuese kur s’ka asnjë aktgjykim të formës së prerë për njerëz të pasuruar pa bazë, përmes korrupsionit, zhvatjes, keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Pak e hiç nuk ka besim në këtë temë, pra kjo çështje duhet të jetë ekskluzive për organet e drejtësisë, pa politikë dhe fjalë pa mbulesë, por me veprime të sigurta për të ndalë dhe ndëshkuar keqbërësit e shumtë me rrjete të tëra kriminale, që kontrollojnë shtetin, paranë publike dhe asetet publike, ku veprimi i paligjshëm dominon pikërisht nga aktorët e politikës”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)