Mobi Casa

Një vepër monumentale, e rrallë në letrat shqipe

/ 26 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Remzije Zekolli – Prend Buzhala “Gojëtaria mbretëresha e fjalës së shqiptuar”, Rozafa, Prishtinë 2017. Ese, trajtesa, studime, antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare. Vëllimi i parë.

Studiuesi i palodhur i letërsisë shqipe, me punën e tij fisnike, çdo ditë është duke na befasuar, është duke bërë mrekulli me krijimet e tij magjike. Me librin e tij të veçantë “Gojëtaria mbretëresha e fjalës së shqiptuar”, grumbullon një thesar të çmuar të kombit shqiptar. Është e para antologji, me sa e dimë, që përmbledh brenda një vëllimi fjalimet më të njohura të personaliteteve tw shquara shqiptare, që na antika ilire (me Konstantinin e Madh), vazhdon me kryefjalimet historike të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, të Pal Engjëllit etj, e deri te koha jonë, te Ismail Kadare.

1. Arkëz e pasur me fjalime të personaliteteve të shquara kombëtare

Autori e sistematizon materien e këtij libri me pedanteri. Ky vëllim përfshin, në fakt, tri shtresime tekstore. Kështu, ky vëllim ngërthen analizat e autorit për secilin fjalim veç e veç, pastaj e përfshin të plotë fjalimin e personalitetit përkatës historik. Por libri ka edhe faqe citatesh e fragmente tekstesh analitike mbi oratorinë, nga autorë e dijetarë botërorë, që nga Arsitoteli, e deri te autorët modernë evropianë e botëror.
Në këtë libër janë mbledhur fjalimet e personaliteteve të shquara shqiptare që i kanë mbajtur në raste dhe momente të veçanta. Ato janë fjalime që lidhen për një ngjarje të shquar historike, fjalime të tipit mortor me rastin e vdekjes apo të vrasjes së një personalitetit historik në të kaluarën etj. Këto fjalime i shoqëron me një vlerësim, analizë, kritikë të kuptueshme e të pranueshme për lexuesin. Është një analizë teorike-letrare e aspektit retorik dhe nga ky aspekt na jep jo vetëm informacion të bollshëm për retorikën, por edhe analiza konkrete nga ky aspekt. Tekstet autoriale ngërthejnë edhe shtresime të tjera analitike, si ato historiko-letrare, socio-historike, kulturologjike, estetike, filozofike, tekstologjike; do të thotë, se teksti analitik i Buzhalës është shumëdimensional dhe multidisiplinor. Por mbizotëron analiza e fushës së dijeve retorike.

Është një punë ë palodhur e tij, vetëm sistemimi dhe grumbullimi materies së librit është një punë që do përkushtim dhe angazhim, besa edhe flijim të madh deri tek realizimi i tij. Një libër i tillë kaherë i ka munguar letrave shqipe. Vërtet, është një përkushtim i madh me dije të spikatur vetë strukturimi i një materieje kaq specifike.

Fjalimet e tilla kanë hyrë në historinë e kombit dhe në kujtesën tij historike, qoftë për nga përmbajtja e rëndfëdia e tyre, por edhe ppr vlerat shprehëse që ato shfaqin. Prandaj autori me të drejtë përdor termin vlerësues “antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare.”Në fillim, në vend të hyrjes, vijnë dy ese analitike: “Gojëtaria, mbretëresha e fjalës së shqiptuar” ((Tryeza 1: Në vend të hyrjes. RETORICORUM)” dhe “Magjistarët a mashtruesit
e fjalimeve publike (Tryeza 2: Në vend të hyrjes. RETORICORUM)”. Te eseja e parë analitike autori thekson:
“Sa pak dihet, ndër ne, për RETORIKËN ANTIKE, përgjithësisht për retorikën, oratorinë, gojëtarinë, këtë mbretëreshë të Fjalës së Shqiptuar…
Na mungon një antologji tekstesh të retorikës, një histori e retorikës dhe një tekst-bazë e studimor i kësaj lënde…. Secili shkrim, në këtë vëllim, pretendon të jetë analizë sadopak shumështresore, që gërsheton eseizmin me argumentin historik, tekstologjinë retorike me poetikën e figurës, artin e të folurit në publik me elementet e retorikës letrare, bazat e kulturës së të folurit me reflektimet shoqërore, filozofike a me fushat e ndryshme të dijes… Retorika antike, që nga Aristoteli i moçëm, konsiderohet art i shprehjes, i TË FOLURIT BUKUR, i diskursit, që kishte të bënte me angazhimet e saj në sferën politike, në atë të poezisë, mitit dhe arsimit: për ta bindur,për të ndikuar, motivuar dhe nxitur një publik a masë të caktuar njerëzish. Kësisoj ndodhi deri në shk. XIX. Më vonë, fenomenet retorike ishin sferë e studimeve të gjuhësisë, meqë është thelbi i lëndës gjuhësore që karakterizon një tekst retorik a një fjalim të shkruar a të folur.
Gjithashtu, retorika, që nga fillimet e saj, është fushë e studimeve filozofike.Fjala retorikë rrjedh nga gr rhētorikós Greekῥητορικός, latinisht “Oratorio”, dhe gr ῥήτωρ lat orator “, FOLËS PUBLIK. Sot studimi i dikurshëm retorik, përdegëzohet në shumë dije të komunikimit e ndëkomunikimit… ”
Se çfarë ka qenë përzgjedhja, na e sqaron vetë autori:
Fjalimi, i përfshirë në këtë vëllim, sipas intencës autoriale, duhej t’i përplotësonte disa kritere:
– të jetë një Fjalim i Rëndësishëm dhe i Njohur që ndërlidhet me një ngjarje të rëndësishme,
– të jetë i dokumentuar (i ruajtur në trajtën e shkrimit), dhe jo i rikomponuar a i përfolur,
– të jetë mbajtur nga një personalitet i rëndësishëm që ka lënë gjurmë në historinë ilire, arbërore, shqiptare, a që është me këtë origjinë dhe që ka lënë gjurmë në historinë botërore,
– të ketë vlera retorike dhe gjithsesi
– të ketë etikën njerëzore historike. Janë mënjanuar fjalimet (dhe protagonistët e tyre) që shprehin urrejtje ose që përfaqësojnë ideologji totalitare.
Kësisoj, bëhet, ndoshta, përpjekja e parë që ky vëllim të pretendojë të jetë, ndoshta i pari, që përfshin fjalimet nga koha e Ilirisë e deri më sot, me pretendime antologjike.

Autori sqaron se udhëheqësit dhe politikanët, kishin pranë vetes oratorët më të mirë të asaj kohe, se ARTI I BINDJES, që kërkonte stil, pasion, gjykime e arsyetime mjeshtërore, ishte edhe objekt studimi i shumë trajtimeve të kohës sonë, se efektiviteti i një fjalimi pikësynon harmoninë e plotë në mes mendimit, veprës dhe fjalës, se vetëm personalitetet e mëdhenj (madhështia e tyre nuk qëndron tek forca e armës, por tek forca e jashtëzakonshme e veprës në dobi të njerëzimit), arrijnë që mendimet e tyre t’i paraqesin plotësisht nga pikat që ngjyrosin fjalën, prandaj edhe veprat e tyre janë aq të pastra, aq madhështore, ashtu sikundër të tilla shfaqen edhe fjalët që shqiptojnë …se një kusht tjetër, që përmendin studiuesit e retorikës për një orator, është personalitetit i folësit, oratorit, i cili patjetër duhet të ketë vlera njerëzore, si fjalimi i Kenedit më 20 janar 1960: “Mos pyetni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni për vendin tuaj. Të dashur qytetarë të botës, mos kërkoni se çfarë për ju mund të bëjë Amerika, por çfarë mund të bëjmë së bashku për lirinë e njeriut”.

Autori na bën me dije se edhe në shqip ka vepra të përkthyera fjalimesh, por edhe një vëllim fjalimesh nga vetë shqiptarët, se me titullin “Fjalimet që ndryshuan botën” përfshihen fjalime të personaliteteve botërore, që kanë vlerë tej-antologjike siç është APOLOGJIA E SOKRATIT në Gjyqin e Athinës, apo fjalimet e Ciceronit kundër Katilinit, që po komplotonte Republikën e Romës etj. në fund të këtij teskti hyrës, autori thekson:
“Vështirësi kishte në gjetjen e fjalimeve origjinale në formën e shkruar. Bie fjala, kur flitet a shkruhet për Abdyl Frashërin, studiuesit e tij thonë se ai mbajti “një fjalim të zjarrët” në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit; nga ky “fjalim i zjarrtë” autorët shkëpusin nja tri fjali. Askund nuk gjendet ai fjalim (të paktën autori i këtyre rreshtave nuk arriti ta gjente). A kanë mbajtur fjalime apo ligjërata Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim De Rada dhe cilat janë ato? Po ashtu, autorit i mbetet merak që nuk ka arritur të gjejë fjalime të tilla nga autoritete të rëndësishme të historisë, kulturës a letërsisë sonë. Prandaj ky libër u konceptua si Vëllimi i Parë, për të mos i vënë pikë mbylljes vetëm me këto shkrime e me këto prezantime fjalimesh.”

Kështu, në vazhdim vijnë, tesktet e fjalimeve a ligjëratave të tyre, këta perdoanlitete historike: Kosntantini i Madh Ilir, Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, Pal Engjëlli, Pjetër Bogdani, Fjalimi që ka mbajtur në Kuvendin e Arbënit 14-15 Janar 1703 Vinçenc Zmajeviku, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Hoxhë Hasan Tahsini, Át Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Petro Nini Luarasi, Ismail Qemali, Avni Rrustemi, Mithat Frashëri, Fan Noli, Át Gjergj Fishta, Dom Lazër Shantoja, Hasan Prishtina, Faik Konica, Át Anton Harapi, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ali Kraja, Marije Shllaku, Musine Kokalari, Shën Nëna Tereze, Don Simon Jubani, Aristidh Kola dhe Ismail Kadare.

2. Gojëtaria e vjetër shqiptare dhe mendime të personaliteteve të shquara botërore për gojëtarinë

Paradigma historike e ndërgjegjes së lirisë, titullohet shkrimi për fjalimin e Konstantinit të madh Ilir, vlen për t’u cituar e që ka të bëjë me (Ediktin e Milanos për liritë fetarei vitit 313): “Hyjnisë së lartë t’i bëjmë nderimin që me të drejtë i takon, duke iu dhënë të krishterëve të drejtën për të adhuruar të lirë. . Duke u bazuar në këtë dokument, na bën të kuptojmë se qysh në atë kohë i kanë dhënë një rëndësi të veçantë tolerancës fetare, paqes, lirisë së mendimit dhe shprehjes, duke mos ia mohuar të drejtën e adhurimit askujt. Autori flet edhe për vlerat retorike klasike të atij fjalim-edikti.

Gojëtaria, në librin e Buzhalës vazhdon rrugëtimin me Skënderbeun. Autori, ka përzgjedhur dy fjalime historike: Fjalimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga osmanët më 28 nëntor 1443 dhe Fjalimin e tij në Kuvendin e Lidhjes së Lezhës më 2 mars 1444, në kishën e Shën Kolit. Autori i vlerëson si fjalime kryehistorike, që ndërlidhen me dy ngjarje të mëdha historike. Tesktet merren nga Barleti, por jepen edhe ato të Nolit. Po shkëpusim një fragment që më la mbresa si lexuese e librit: Ashtu si ju kujtonja .ashtu ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër e bujare trima dhe besnik të pa tronditur të vendit dhe të mbretit tuaj.

Buzhala me një elegancë prej një studiuesi këmbëngulës dhe pasionant, na ofron fjalime të rëndësishme historike.
Fjalimin e radhës e titullon: Panagjeriku i Pal Engjëllit, të cilin e bënë në Raguzë, me rastin e vizitës së Skënderbeut atje. Do shkoqisim këtë frazë nga fjalimi i tij: Çka është pra më fisnike, më e ndritur dhe më e spikatur se qyteti i Raguzës, i cili jeton e qeveriset me ligjet e veta pa iu dhënë e pa iu shtruar kujt Pali e njofton për pavarësinë e Raguzës, i cili ka edhe pozitë të përshtatshme gjeografike, për ta ushtruar atë mvehtësi të tij dhe kushte për zhvillimin e tregtisë.
“Barleti ka formim klasik për shkrimin e tij: atë aristotelian, siç janë thirrjet, patosi dhe etosi”, vlerëson autori, duke shtuar se Skënderbeu, nëpërmes Barletit, na del Mbrojtës i Lirisë.: “Askund nuk përdor formula fetare të krishtera! Ani pse Barleti ishte një prift, dhe anise ai shkruan: “Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s’më kish dëgjuar kurrë të zë n’gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit…. Tingëllojnë të fuqishme edhe sot ato fjali: “Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat….” (përkthim i Nolit).

Ja si duket analiza retorike e Buzhalës:
“Për nga retorika e shprehjes, Fjalimi i Sklbnderbeut që e shënon Barleti, përdor thënie figurash të eksklamacionit, thirrmës, lavdit. Lavdi, nga heroi, kapërcen tek liridashësit. Fjalitë e tilla eksklamative, thirrmore, dhe me intonacion thirrmor, shprehin ndjenja të forta, patos të zjarrtë, etos të fortë moral, luftarak, atdhedashës dhe liridashës: ‘Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.’ Tipi i tillë i thënies retorike, shfaqet më i fuqishëm. Teksti është i pasur me gamën e gjerë të botës emocionale (shpreh atdhedashuri, liridashje, zemërim fisnik kundër armikut, habi që fuqizojnë dashurinë e trimërinë, lumturinë e gëzimin e çlirimit, shpreh keqardhje, mobilizim, fjali pyetëse që shprehin nxitje e vrull etj… Nga ana tjetër, bien në sy edhe figurat retorike të përforcimit ((auxesis), shkallëzimi i fjalive me ton gjithnjë në rritej, gjithnjë e më të ngritur, përforcime të përsëritjes së fjalëve dhe ideve, denduria epigramatike, që sintetizon thelbin e fjalisë në formë sentence që merr përmasa historike (“Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu”)… Sikur të mos ishte personalitet historik, as kjo thënie nuk do të kishte mbijetuar. Sa historikisht vetëdije-formuese është kjo thënie ndër ne!

Mesazhe të fuqishme na përcjell edhe sot”

Uji Dea

Fjalimin e radhës Buzhala e ka titulluar Biografia e heroit të kulturës: Fjalimi profetizues për shembjen e armikut, dhe kush do mund ta bënte këtë përveç Pjetër Bogdanit. Me pasion dhe punë të palodhur Buzhala na i sjellë në këtë libër këto fjalime, të cilat janë thënë në raste të veçanta, Bogdani me rastin e vdekjes së ungjit të tij Ndre Bogdabit. Buzhala jep edhe një biografi të Ndreut, për ta njohur lexuesi se kush ishe ai personalitet që mbajti fjalën e rastin. Pjetër Bogdani është i njohur me libritn e tij “Çeta e profetëve” dhe me plot të drejtë Buzhala Boganin e quan predikues të shqiptarizmit i humanizmit dhe i dijes. Oratoria e vjetër e personaliteteve të kombit përfundon me fJaimin në Kuvendin e Arbërit të Vincenvc Zmajevikut, të cilin Prend Buzhala e titullon: Mrekullia e qenies arbënore, trashëgimi shpëtimi edhe për të sotmen, në këtë fjalim përshkruhet gjendja reale e toakve shqiptare. Ai u angazhua që lutjet dhe shkolla të mbaheshin në gjuhën shqipe.

3. Nga gojtaria e rilindësve shqiptarë e deri te koha jonë
Libri vazhdon me shpalosjen e fjalimeve të rilindësve shqiptarë, të cilit i prinë Abdyl Frashëri e që autori e quan Fjalët emblematike që bënë Shqipërinë, ku këtë fjalim ai e mbajti në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Abdyl Frashëri, vëren rrezikun e gllabërimit të tokave shqiptare edhe nga fuqit tjera dhe e arsyeton domosdoshmërin e Kuvendit të Lidhjes së Prizëreni dhe thirrjen për kryengritje ku ndër tjera thekson: Porta e lartë nuk dëshiron t’u dal në ndihmë shqiptarëve , në kohën kur fshinjët mësyjnë për të rrëmbyer territoret shqiptare. . Vetëm një studiues serioz siç është Buzhala, me këtë arsenal të fuqishëm, njohurish për fjalimet e personaliteteve mund t’i sjellë lexuesit këtë arkëz të vlefshme një thesar të çmuar.

Këtu vend meritor kanë edhe mendimet e Aligerit për oratorinë ku ndër tjera citojmë: Dhe shfaqet në mbrëmje kur retorika flet përmes shkrimit, nga një distancë .
Fjalimin e At Shtefën Gjecovit, Buzhala e titullon: Etosi nacional i kuvendit dhe pleqnisë, të cilin e ka mbajtur në Krujë ditën e Shën Gjergjit. Si çdo herë Buzhala i pa përtesë, rrëfen biografinë e Gjecovit, i cili është i njohur si kodifikues i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Libri, është i pasur, me fjalimet e personalitetev të mëdha shqiptare, Luigj Gurakuqit, me rastin e hapjes se Normales së Elbasanit, Petro Nini Laurasi në Kongresin e dytë të Manastirit. Vijnë edhe këtu tekste të personaliteteve të shquara botërore dhe mendimet e tyre për oratorinë.

Po ndalemi pakës tek fjalimi i Ismail Qemailit me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, apo siç e titullon me plot të drejtë Buzhala: Fjalimi që priti pesë shekuj, natyrisht autori tregon pak histori si arriti deri tek ky fjalim: Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemra nga gazi i madh. . Buzhala vlerëson se në të kaluarën ishte vendimtare arsyeja e rezistencës atdhetare kundër pushtuesve dhe arsyeja e këtyre betejave historike është ajo që i dha rëndësi të dorës së parë SHPIRTIT SHQIPTAR. Te ky shpirt, nuk është e habitshme, prandaj, përse edhe urtia, edhe pathosi, edhe etosi nacional, i ngjyrosin fjalimet e tilla në momentet kyçe të historisë sonë: “nuk ishte e habitshme që ai edhe te Fjalimi i tij të shprehte vlera të larta intelektuale, pa e ndërlikuar me shprehje të pakuptueshme, por arrinte të spikaste prirje sintetizuese: “Së këndejmi, ky Fjalim jo vetëm që përbën vlera të shquara të elokuencës e të entuziazmit të pafund kombëtar, i ardhur në Ditën e Pavarësisë e të Lirisë së shumëpritur pas pesë shekujsh; por paraqet dhe Zërin e Edukimit Etnik të pathyeshëm… “

Libri vazhdon me personalitete të shquara, të cilat në mënyra dhe rrethana të caktuara historike kontribuuan në ndryshimin e gjendjes së popullit shqiptar. Avni Rustemi në gjyqin francez, pasi vrau tradhëtarin e kombit Esat Toptanin, fjalimin e Mithhat Frashërit me rastin e themelimit të Lidhjes së mësuesve, fjalimin e Fan Nolit në Parlamentin shqiptar, si opozitë e tij e gjatë leximit vërejmë se fjalimi i tij është mbajtur pasi është vrarë Avni Rustemi në Vlorë. Do ndalem pak tek fjalimi i At Gjergj Fishtës, të cilin e mban me rastin e varrimit të Avni Rrustemit. Buzhala këtë fjalim e quan: Porosia e madhe e Fishtës për idealizimin shqiptar. Fishta, ishte orator i madh i guximshëm dhe njeri realist. Po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombëtar do të triumfoj e Shqypnia ka me përparue e kire e lulzueme . Autori analizon: “Nëse estetika mbështetet kryesisht në zgjidhje e problemeve Të kategorisë së të bukurës, nëse etika trajton etosin (veprimtarinë e lirshme të njeriut), moralin), atëherë njeriu ka nevojë që ta shqyrtojë edhe një fushë-veprimtari të veten, siç është e vërteta. Kësisoj, edhe te Fjalimet e Fishtës përgjithësisht, po edhe te ai për Avni Rrustemin në varrimin e tij, ne lexojmë edhe bukurinë e shprehjes, edhe etosin kombëtar shqiptar, edhe të vërtetën që ai me aq pasion e kërkonte dhe të tri këto shëmbëlltyra të ndërgjegjësimit e të botës shpirtërore të njeriut, i thadron teshëmbëlltyra e Avniut.”
Autori me kujdes ka renditur fjalimin e Don Lazër Shantojës me rastin e 28 Nëntorit, pastaj të Hasan Prishtinës me rastin e varrimit të Luigj Gurakuqit, për të cilin autori analizon: “Meqë edhe ky Fjalim, rëndom i takon ligjëratës epideiktike (lavdit, lartësimi, mbrojtjes së një figure publike), atëherë pathosi apelativ i drejtohet sa shqiptarëve, sa një si bashkëbisedim e bashkëndjesi me bashkëluftëtarin, me njeriun e idealeve të përbashkëta.” Vijnë fjalime si i Anton Harapit me rastin e varrimit të Çerqiz Topullit të cilin autori e titullon: Vizioni e kodi retorik i qenies shqiptare, ai mes tjerash në këtë fjalim do të theksonte: Ku veni o burra, Cerciz e Mujo, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit para se të ndaheni. Nuk marrë parasyhs c’krahine e cet e c’besim patët, më mjafton të dij se besuet në një zot, e si Kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptarë. . Fjalime në këso rastesh e rrethanash lexuesit i vinë me këtë libër të cilën Buzhala i grumbullon me pasion.

Fjalimi i Alekzandër Xhuvanit, në varrimin e At Gjergj Fishtës, po edhe i Hafiz Ali Krajës po në varrimin e Fishtës,i cili ndër tjera thekson: Vepra yte poet o poet, ka për të formue një faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptarë,pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk je tjetër vecse me i sigurue kombit tanë të drejtata , që ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në ballkan.

Nuk kanë mbetur pa u përfshirë as personalitetet femra në këtë libër të cilat më fjalimet e tyre sidomos në gjykatë kanë lënë gjurmë në historinë e kombit. Më habit fakti si nuk u gjend asnjë fjalim apo thënie e Shotë Galicës, Zhanë Darkës shqiptare. Me vlera edhe historike edhe oratorike, vjen Fjalimi i Marie Shllakut në gjyq,i Musine Kokollari, po ashtu në gjyq. Do të ndalem tek nobelistja e vetme shqiptare deri më tani, Shën Nënë Tereza. Këtë fjalim të mbajtur në Oslo studiuesi Buzhala e titullon: Fjalimi Shën Terezian i paqes dhe mbrojtjes së jetës, mua më la mbresa ky fragment nga ai falim i saj para botës që u tubua për t’ia dhuruar çmimin Nobël për paqe: Më bën të mendoj se katërqind vjet më parë , kur Shën Francesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështërsi, që kemi sot, me që na përshtate kaq shumë. Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe. . kah fundi autori përfshin fjalimin e Don Simon Jubanit që e mban meshën e parë pas demokratizimit të Shqipërisë, të cilin autori e titullon Fjalimi i qytetërimit të lirisë dhe lirisë fetare, si i pari fjalim, prelud, i proceseve demokratike në Shqipëri.

Edhe çështja arvanitase zë vend në fjalimet e personaliteteve, të cilat Buzhala i ka mbledhur në këtë libër, si ai i Aristidh Kola-s, ligjëratë e tij e mbajtur në Athinë. Dhe Ismail Kadare e përmbyll këtë maratonë fjalimesh që autori me pjekuri, durim, mençuri na i ka sjellë në këtë libër. Fjalimin e Kadaresë e titullon: Diskursi Kadareian për lirinë, këtë fjalim Kadare e mban në Izrael, ku merr çmimin Book Fair. Në këtë fjalim Kadare mes tjerash potencon: Unë isha një shkrimtarë murg i letërisë e natyrishme të kasha një lidhje positive, hormonioze me lirinë. Po merrja një cmim të madh për lirinë në letërsi, në kohën që gjysma e veprës sime nuk ishte shkruar në liri , por në robëri. .

Përfundim

Karakteristikë e llojit të veçantë i këtij libri është fjalimet e personalitetev shqiptare, emrues oratoria që nga historia e lashtë deri tek koha e sotme. Nëse te Pal Engjëlli autori vëren poetikën panagjerike që imitojnë veprat e lavdishme të oratorëve paraardhës të tyre, si limpiacusi i Gorgias, Olimpiazi i Lysias apo Panegjeriku dhe Panathenaicus-i, fjalimi i famshëm i Perikliut (sipas Tukididit, hyn në radhën e panagjerikut), te Bogdani autori thekson se ndër shekuj, arbri e shqiptari, ka kërkuar nga Njeriu i letrave që të jetë edhe profet; se mjetet kryesore shprehëse të këtij Fjalimi, janë rrëfimi historik biografik dhe evokimet jetësore; fjalimi gërshetohet e shprehet me një EVOCATIO, sipas traditës antike romake, me anë të të cilës (evocatio, si fjalë e përnderimit hyjnor), nderohen njerëzit e shenjtë. Kësisoj, ky fjalim mandej merr edhe tone elegjiake, thuret si një baladë për gjendjen e rëndë. Paraqitjen e Jani vretos e cilëson si ligjëratë iluministe e një epoke të re, kur Vreto shfaqte interesime sociologjike, filozofike, etike, politike dhe gjithsesi, edhe të letërsisë artistike, mbasi ii ishte në korrent me veprat, mendimet e idetë e autorëve të njohur evropianë, meqë njihte gjuhë të huaja, me besim të palëkundur në forcën e arsyes njerëzore, dhe në përparimin dijeve shkencore. “Jani Vreto ligjëron si një folës i mirë përballë dëgjuesve të mirë e atdhetarë; ai flet drejtpërdrejt, por shtjellueshëm, duke ishfaqur shkallë-shkallë qëndrimet e pikëpamjet e tij”, vlerëson autori. I kësaj ryme është edhe vlerësimi për fjalimin e Hoxhë Hasan Tahsinit: Fjalimi që ndau epokën e dijes nga ajo e errësirës: “Diskursi i tij është diskurs retorik mbi dijen dhe arsimin. Gjithnjë sipas shembullit antik, aristotelian, dhe civilizimeve religjioze që erdhën më vonë; ai ndjek atë traditë që e quante retorikën si mjet të udhëheqjes së njerëzve për edukim, arsimim e formim.”

“Të shumta janë edhe Fjalimet që e shquajnë si orator Luigj Gurakuqin, një personalitet që u spikat në shumë fusha: në atë të jetës politiko-shoqërore dhe në atë të jetës arsimore-kulturore” thotë autori dhe e karakterizon fjalimin e Gurakuqit si Shpërthim në një përmasë tjetër gojëtarie, pothuajse përmasë platonike, ku edukimi ka edhe vlerat e së bukurës, edhe ato të një realiteti të epërm, dmth atë të një humanizmi si vetëdije të zgjuar moderne, si vetëdije për harmoninë shqiptare, ku shpirti i folësit duhet të ligjërojë sa më bukur, sa më ëmbël, si lyra e Amfionit dhe Orfeut dhe ku ligjërimi i bukur dhe i mirë gërshetohet me të vërtetën. Të tilla janë edhe fjalimet e rilindasve tjerë që u përmendën më lart. “Bukuria dhe porosia e amshueshme edukuese e një fjalimi” komenton Buzhala për fjalimin e Mithat Frashërit. Me vlera komentue4se retorike është edhe shkrimi “Karakterizimi e zemërimi aristoteliani Fan Nolit përballë anarkisë” (“Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”, fjalim i Fan S. Nolit i mbajtur në parlamentin shqiptar më 1924). Për Nolin autori thekson se “Një ndër mjeshtrit më të spikatur të shkrimit retorik, ka qenë Fan Noli. I njohur si Njeri i Letrave në poezi, publicistikë, përkthime, dramaturgji, historiografi, muzikologji, ai prirjet e tij folëse i shfaqi edhe si klerik dhe politikan. Dhe kudo u shqua aftësia e tij oratorike… Perëndimorja shfaqet si shpëtim, ideal, kryeideal për përparim, liri e demokraci. Aty ai merr frymë, është vetvetja, me identitetin kulturor evropian!”. Kurse për Faik Konuicën, ai na e jep profilin e tij oratorik në planin e nivelit të lartë intelektual: “Prandaj, oratoria klasike do të ishte e varfër për ta përshkuar Fjalën e tij të Shkruar. Nga ana tjetër, ai është i dalluar për qëndrimet kritike që ka mbajtur jo vetëm ndaj figurave të shquara kombëtare, që nga Naim Frashëri e deri te Noli e Gurakuqi; por edhe për qëndrimet e tilla për sa i përket karakterit të shqiptarit. “

Karakterizim interesant retorik autori e zbërthen edhe për fjalimin e Shën Nënës Tereze:

“Në strukturën e tij, ky fjalim sikur u përgjigjet tri kërkesave të Aristotelit për retorikën e ato janë: ethos-i (besueshmëria), pathos-i (hapësira e krijuar emocionale)dhe logos-i (argumentet para publikut). Nëse fjalimet me ethos të shpeshtën i karakterizon, sikundër thotë Aristoteli, besueshmëria, ato shpallin edhe misionet edhe vizionet për një botë më të mirë. Prandaj ajo shpall se ishte Misionare e Dashurisë, kurse Vizioni i saj i ishte për një Botë pa varfëri ekstreme. Ajo me këmbëngulje ishte në mbrojtje të jetës, prandaj quhet dhe Misionare e Jetës, edhe kur të tjerët shfaqën dyshime ndaj kërkesave e programit të saj në mbrojtje të jetës (sidomos ndaj abortit).”

Duke e përmbyllur karakterizimin oratorik të kadaresë, autori vë në dukje se “Ismail Kadare shquhet edhe për Fjalën e Gjallë, të drejtpërdrejtë, në disa forma të komunikimit publik: në Fjalimet ceremoniale të marrjes së çmimeve e mirënjohjeve prestigjioze botërore; në intervistat e shumta në mediet elektronike e të shkruara, në debatet me lexues etj. Duke qenë figura epiqendrore e letërsisë së sotme shqipe, padyshim që Kadare ka shuar edhe kureshtjen e të gjitha shtresave shoqërore për çështje nga më të ndryshmet: për letërsinë, për aktualitetin, për Kosovën, identitetin nacional dhe për problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare.”
Kjo do të thotë se Buzhala ofron një tryezë të pasur nocionesh, analizash, komentimesh, observimesh, një gërshetim të mahnitshëm dijesh dhe burim frymëzues intelekti, gjithnjë me një citatësi tejet të pasur nga retoristët e të gjitha kohëve.

Libri i Prend Buzhalës “Gojëtaria mbretëresha e fjalës së shqiptuar. Ese, trajtesa,studime,antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare” (Vëllimi i parë), është një vepër monumentale e rrallë në letrat shqipe. /rajonipress/