Uji Dea

Një vepër e rikthimit të identitetit tonë kombëtar

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në Gjilan, në kuadër të Manifestimit tashmë tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit, edicioni i katërt 2013, është prezantuar romani më i ri i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Jusuf Buxhovit, “Jeniçeri i fundit”.

Manifestimin kulturor në fjalë e filloi Sabit Rrustemi, krijues e organizator, i cili tha se, ky evenimet kulturor po e begaton jo vetëm Gjilani me rrethinë, por po e begaton edhe krejt Kosovën. Pse jo? Po i tubon njerëzit e lapsit nga meset tona, si nga Prishtina, Vitia, Kamenica, Bujanoci e mes te tjera, të cilët po e nderojnë Ars Clubin “Beqir Muslu”, një emër i madhe i kulturës sonë në përgjithësi. “Kësaj here, si shtoi ai në këtë Manifestim është i ftuar shkrimtari ynë i madh, Jusuf Buxhovi, një intelektual dhe krijues i të gjitha zhanreve të shkrimit. Pra, po i kthehet nami kohës para 30-vjetësh, kur Jusuf Buxhovi me shokët e tij: Beqir Musliun, Ramadan Mehmetin, Faik Shkodrën e disa të tjerë, kanë qenë krijuesit më të shquar të kësaj ane të Anamoravës.

Shihni, në edicionin e parë ishte i ftuar shkrimtari ynë gjilanas, Haxhi Vokshi, ai i cili ditë më parë ndërroi jetë. Kjo na është një dhimbje e madhe për të gjithë. Ftoj një minut heshjte. Në vazhdim tha, “nëse ai sot na mungon, këtu e kemi veprën e tij, ku së shpejti më 2 nëntor do të jetë një Akademi përkujtimore për Haxhi Vokshin”. Me këtë rast, Sabit Rrustemi, poet, tha se sot, në mesin tonë e të juajin gjendet Jusuf Buxhovi, një shkrimtar i 35 veprave të zhanreve të ndryshme, i cili u lind më 4 gusht të vitit 1946 në Pejë. Një shkrimtar më i shquari në mesin e shkrimtarëve të tjerë kosovar, i cili, gjer më sot ka botuar vepra në prozë, vepra tregimtare, drama, vepra historike por ka shkruar edhe vepra publicistike etj. Në vitet 1962, Jusuf Buxhovi ishte korrespondent i gazetës “Rilindja” nga Boni i Gjermanisë.

Një njeri është shkrimtar shumë i frytshëm dhe krijues që po sfidon të gjitha kohërat tona. Ai hulumtoi shumë arkiva të huaja, të cilat i shërbyen autorit për të njohur realitetin e historisë së popullit tonë. Kësaj here, Jusuf Buxhovi na vjen me romanin e tij më të ri, “Jeniçeri i fundit”, një roman, i cili, si ka shtuar në faqet e para të veprës, është”Libër për vetveten”. Ramadan Musliu, kritik dhe krijues nga Prishtina tha se, Jusuf Buxhovi është njëri nga shkrimtarët poliedrik dhe shumë dimensional, i cili, me veprat e tij po ngjallë interesim të veçantë tek lexuesi ynë shqiptar dhe jo vetëm shqiptar. “S’ka dyshim se ky autor shkroi vepra tregimtare, vepra historike, proza të gjata, drama e zhanre të tjera, të cilat janë një veprimtari e gjerë dhe shumë e rëndësishme për ne. Libri në fjalë “Jeniçeri i fundit” nuk është libër i tij i fundit, por libri i 35 me radhë i tij. Ky libër i prozës së gjatë po shërben për interpretime aktuale. Sikur për një personazh (Jeniçerin), i cili është i fundit i një kohe, por autori këtë personazhe e kthen dhe bën kthesa historike, pra të organizimit të jetës së tij që gjendet dhe donë të shkëputet nga procipatat shqiptare. Ai është një njeri tipik shqiptar. Por, vepra e tij “Jeniçeri i fundit”, e cila vepër e tij është e fundit e botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, sikur kuptohet se kjo vepër është për vetë autorin, i cili e brumos dhe e shtjellon veprën për shumë probleme të jetës sonë”.

Ai duke folur për thellësinë e veprës tha se, “Ky roman është një krijim poliedrik, ku flasin e dëgjohen shumë zëra. Pra, vepra flet për një kohë, kohën e fillimeve të jetës sonë të identitetit. Jeniçeri është personazh kryesor i veprës, ku e përdor imagjinatën për të mësuar nga e kaluara tonë, e cila lidhet me vendlindjen, familjen e “sende” të tjera të autorit.

Personazhi kryesor është në një moshë të thyer. Mandej, ngjarja lidhet me gurin, që është një simbolikë e tij. Gjithashtu, vepra e Jusuf Buxhovit shquhet për anën e shkrimit. Është një shkrim konciz, ku autori është njohës i mirë i gjuhës dhe i figurave metrike, që vepra e tij del e plotë edhe në aspektin artistik, letrar e shkencor. Te gjitha këto “shenja” janë të një përkushtimi të zgjedhjes së fjalëve dhe fjalive, të cilat janë aty ku e kërkon vepra artistike. Në qendër të veprës është rrëfimi i shekullit XIX, periudhë e hershme e historisë sonë. Flitet për formacionet fetare të bektashinjve, ku, të kësaj kohe na dalin probleme të fushës së teologjisë etj. Ai shtoi edhe këtë se, “këtu ndeshen dijet e reja me ato të vjetra. Me një fjalë, autori i veprës na bënë me dije për një kohë të ruajtjes së identitetit, pra identitetit të popullit tonë të vjetër, i cili, këtë identitet e ka nga pellazgët e vjetër.

Fundamenti

Jusuf Buxhovi, autori, me veprën “Jeniçeri i fundit” shpalosi konfliktet e asaj kohe. Vepra është një rrëfim për vetë autorin, ku ka shumësi idesh, temash, me të cilat është marrë autori, i cili, lexuesit i sjellë një vepër tejet interesante, joshëse dhe shumë me vlerë letrare e artisktie”. Nexhat Rexha, krijues dhe kritik i letërsisë tha se, sot kemi një përurim të një vepre që radhitet ndër romanet më të konsoliduara në letërsinë e sotme shqiptare, si në aspektin leksikor e në fjalë formimin gjuhësor dhe në letërsinë e tij ai krijon e po vazhdon të krijojë faqe të konsolidimit në identitetin tonë kombëtar e artistik. “Së pari, unë këtë vepër e kam lexuar më vëmendje dhe e kam bërë këtë shënim timin me titull “Rikthimi në identitet”. “Në këto faqe komplekse me intuitën prej njeriut të përvojës e hulumtimit vjen edhe romani i Jusuf Buxhovit “Jeniçeri i fundit”, në të cilën vepër autori trajton temën e historike, shpalos rrënjë të dridhjeve të mëdha nëpër periudha nga më të ndryshme. Enigmat e gjakut dhe ngjyrat e tij për fatin e njeriut tonë kanë kaluar nëpër shtylla të lëkundura gjatë proceseve historike, të cilat lëkundje kanë edhe anë të e errëta të tyre.” Ai tha se vepra e J. Buxhovit, “në kontinuitet e në etimologji ka brumosje të kapshme, sepse në të është ruajtur porosia e Amës, Atit edhe tek jeniçerif për vite të tëra:, si (Gur- Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut), kurse Gjarpri i Shtëpisë dhe Gjarpri i Pemës ose Gjarpi i Qiellit…, janë testamente, relikte mitologjike që kanë lidhje të hershme në kulturën tonë”. Ai tha edhe këto fjalë se, “Në këtë vorbull të kohëve vijën edhe kombinimet e dijeve të Vjetra dhe Dijeve të Reja.

Në letërsinë tonë në përgjithësi, njohja e Bektashizmit është njohur vetëm në pika të shkurtra. Në romanin e autorit J. Buxhovi mjaft bukur ka shfaqur e ndriçuar ardhjen e kësaj doktrine fetare në trevat tona, por në këtë vepër ajo ka topografinë e vet të lokalizuar, e cila ka shtrirje në një trevë ku autori ka jetuar edhe me këto elemente të zhvillimit të saj”.

Duke folur për rëndësinë te teqeve, ai shtoi edhe këtë se, “Lindja e teqeve në këtë trevë ka edhe misionarët e vetë, të cilët në shumë raste kanë dhënë shfaqje të dukshme në orientimin e popullatës. Prandaj, si shtoi Nexhat Rexha, kritik letrar, “romani “Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit kërkon njohje më të thella të shënimit të disa ngjarjeve nëpër rrjedhat e saja reale, vetëm e vetëm për të kuptuar mesazhin dhe veprimet e të ndodhurave nëpër rrjedhat historike të etnikumit tonë, sepse, si shto ai, -Dijet e Vjetra, Dijet e Reja, Vargjet e Rumit, Pellazgjia, Perandoria Dardane, profetet hazreti Musai, hazreti Ibrahimi, Jesusi apo hazreti Isai, Biblioteka e Aleksandrisë, pastaj, luftërat dhe lëvizjet e Ali Pashë Tepelenës, Kara Bushatit etj, si dhe: Kështjella e Damastionit, Kështjella e Hijes, Kështjella e Drilonit, Kështjella e Pasqyrave, numri shtatë, pastaj vdekjka e piktorit Gropan Muzaka si dhe Juria e Hijeve, nuk janë vetëm identifikim, por më shumë saktësojnë realen e të ndodhurave jetësore”, shtoi në fund. N. Rexha, kritik nga Dardana.

Shkrimtari dhe redaktori i librit në fjalë, Nazmi Rrahmani tha se, po gjendem në një vend shumë tërheqës dhe të këndshëm për promovimin e librit. “Është kënaqësi të jesh këtu jo vetëm para jush, që jeni adhurues të librit, por në një vend, si është kjo sallë e KK të Gjilanit, ku po nderohet libri dhe autori. Shihni, ky libër, të cilin e ka botuar Shtëpia Botuese “Faik Konica” e ka jo vetëm përgatitjen solide, por edhe format tjera. Ne Jusuf Buxhovit ia kemi botuar të gjitha librat, të cilat, disa prej tyre janë ribotuar edhe për të pestën herë, siç është fjala me romanin e tij “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit. Vepra e autorit po përurohet dhe po lexohet me ëndje, për faktin se, autori është një rrëfyes i madh i ngjarjeve të jetës sonë.

Jusuf Buxhovi, nuk është vetëm letrar, por edhe historian, madje njëri nga historianët më të zëshmit të kohës së sotme, i cili, me veprën kapitale “Historia e Kosovës I,II dhe III” po e pushton lexuesin shqiptar, ku brenda vitit, kjo vepër është ribotuar pesë herë. Nuk po shtoj më tepër, sepse të tjerët para meje e thanë fjalën kryesore, por do të them edhe këtë fjali se vepra “Jeniçeri i fundit” është vepër për vetë autorin ose vetveten”.

Në fund, Sabit Rrustemi tha se, Manifestimi kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit 2013” do të jetë më 2 nëntor, ku kësaj herë do të jetë një Akademi përkujtimore kushtuar poetit e krijuesit Haxhi Vokshi, i cili, edhe kësaj here ishte i ftuar, por, ja vdekja e mori para kohe dhe ai na mungon. Por, jo! Vepra e tij jeton dhe ajo jeton me ne. /Tefik Selimi/rajonipress/