RCCOLA

Ngjitja në 6962 metra për flamurin shqiptar

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Florian Hackaj, alpinist, ishte iniciator i ekspeditës për t’u ngjitur në majën „Aconcagua“, në lartësi 6962 metra. Pasi i ngrinë këmbët ai vetë nuk arriti të pushtonte atë lartësi por iu gëzua suksesit të shokëve që e bënë këtë.

Ai rrëfen për albinfo.ch për sfidën në këtë rrugëtim dhe të rrezikshëm për jetën.

Jo të gjithë alpinistët ia dolën të përballonin ngjitjen e vështirë në mes të kushteve ekstreme atmosferike me erëra të fuqishme, rrallim të oksigjenit e temperatura deri – 30 gradë nën zero.

„Çdo pjesë e alpinizmit, edhe rreziqet na tërheqin dhe janë malet me rrezikshmëri më të lartë që të bëjnë të ndjehesh një alpinist i vërtetë. Si mali i dytë më i rëndësishëm në botë, pas Everestit, edhe rrezikshmëria gjatë ngjitjes ishte e lartë. Rreziku dhe adrenalina janë pjesë e pandashme e ngjitjeve», thotë alpinsiti Hackaj.

Çdo ditë e ekspeditës ku bënte pjesë edhe Floriani, kalonte në marshim dhe ngjitje prej 6-7 orësh, ku synohej një maje dhe një lartësi e caktuar. Por, në fund pason edhe shpërblimi.
„Pas një ngjitjeje kaq të gjatë e të lodhshme, e gjeje qetësinë në natyrën që të rrethonte dhe shpërbleheshe me një pamje përrallore që të ofronte një qetësi shpirtërore e indirekt edhe fizike“, kujton entuziazmin e ngjitjes, Hackaj.

„Pas 5 orësh ngjitjeje (në 6500 metra) mua më kishin ngrirë këmbët në atë mënyrë që nuk i ndjeja më fare pjesët e gishtërinjve. Të tre udhërrëfyesit në formë urdhërore më “këshilluan” të kthehem dhe me një ftohtësi që vret e më thanë në fund pasi unë po këmbëngulja të vazhdoja: Janë gishtat e tu, Florian! Nëse do t’i presësh, punë për ty dhe më lanë të vazhdoja… Unë vazhdoja ngjitjen dhe mendoja shumë… mendoja: jam 30 vjeç dhe nuk kam ardhur në mal të bëhem “hero filmash”, s’kam përse ta vazhdoj jetën time me disa gishta më pak”, rrëfen për problemet e ngjitjes Floriani…

Në fakt, alpinisti i mirë duhet të dijë të thotë edhe “stop” në momente delikate….

“U ngjita dhe 200 metra deri në 6700 metra, ku më kishin ngelur edhe 262 metra deri në majë. Nga grupi prej 10 vetash, kishim ngelur vetëm unë, Mateo Begeja si dhe dy alpinistë të tjerë. Mendova që deri në maje, edhe pse vetëm 262 metra, në mungesë të oksigjenit dhe gradës së ngjitjes, më duheshin edhe 4 orë e gjysmë ngjitje, 3 orë e gjysmë zbritje, pra 8 orë. Duke e ditur që edhe pasi të arrija majën nuk do të mund të kthehesha të bëja një dush të ngrohtë e të rrija pranë ngrohëses… jo, do flija prapë në 6000 metra në -25 gradë ftohtësi dhe të nesërmen do më duhej të zbrisja 1700 metra në akull me peshë të madhe në kurriz dhe këmbët copë… Këmbët e mia do të shihnin vetëm përkeqësim… Vendosa ta mbyll me aq! Pasi i lashë amanet flamurin Mateos dhe udhërrëfyesit me Mateon, me lot në sy u ndamë dhe unë nisa të kthehem i vetëm”, tregon Floriani për momentin dëshpërues të kthimit.

Ai ishte aq pranë majës dhe kthehet detyrimisht për shkak të ngrirjes së shputave të këmbëve, por krenar në atë lartësi me një pamje madhështore, ku dukej edhe korja e rrumbullakët e tokës.

“Edhe sot pas disa javësh akoma nuk i ndiej gishtat e këmbëve. Gëzimi i asaj dite ishte kur në orën 14:05 erdhi lajmi me radio që Matego Begeja është në maje dhe valëvit flamurin shqiptar !!! Stuhia filloi dhe djemtë u detyruan të kthehen shpejt ! Përqafimi me Mateon në kamp pas 8 orësh ishte shija e suksesit të grupit tonë që, nuk u nda kurrë duke ecur si trup i vetëm, ashtu siç duhet të ecin shqiptarët kudo që janë për të qenë më të fortë”, e përshkruan aventurën e ngjitjes në majën “Aconcagua“, alpinisti Florian Hackaj

Hidromorava

“Prindërit e mi janë të lindur në Tiranë, por gjyshërit jo. Ata fatkeqësisht kanë vuajtur dëbimet famëkeqe serbe e malazeze që në 1909, kur u dëbuan nga Podgorica, Gjakova, Dibra e Madhe… Për këtë arsye në familje jemi rritur me frymë shumë atdhedashëse/patriotike dhe kemi dashur gjithmonë t’i motivojmë shqiptarët dhe t’ia rrisim krenarinë me mënyrën tonë. Kjo mënyrë është ngritja e flamurit në sa më shumë maja”, thotë Floriani .

Në vitin 2012 Floriani u ngjit në majën e Dufour në Zvicër, bashkë me babanë e tij, maja më e lartë midis Zvicrës dhe Italisë, në kuadër të 100-vjetorit të Shqipërisë.

“Vendosa logon e UÇK-së në jaknen time, logo që e mbaj çdo herë, për të respektuar të gjithë dëshmorët që kanë rënë në gjithë këto 100 e ca vjet të shtetit shqiptar. Momenti i ngritjes së flamurit është momenti që më heq lodhjen e më bën të harroj vështirësitë, më bën të mendoj se bëra diçka të mirë për popullin tim, që aq shumë ka vuajtur këta shekujt e fundit”, thotë alpinisti Hackaj…

Babë e bir më 1 shtator 2013 arritën edhe në majën e malit Dom

“Dom, si mali më i lartë i Zvicrës, me lartësinë e tij prej 4545 metrash ishte shumë i lodhshëm dhe teknik. Dita e “sulmit” të majës na mori për 1605 metra ngjitje plot 8 orë dhe 4 orë zbritje. Vërtet na u desh të ngjitshim me litar, kthetra, kazëm dhe kacavarrje në shkëmb me 90 gradë pjerrtësi”, flet për ngjitjen në malin Dom, Floriani.

7 maja, në 7 kontinente

Flori Hackaj është pjesë në Shoqatën “Dajti Alpino Turistik” në Tiranë dhe si shoqatë ata kanë ndërmarrë nismën botërore “7 Summits” /7 maja në 7 kontinente. Si grupim e shoqatë ata tashmë janë ngjitur në 5 nga këto maja në botë.

Mont Blanc 4810 metra në gusht 2008, “Kilimanjaro” 5895 metra dhe në korrik të 2010, Elbrus në gusht 2011, më madhorja ishte ngjitja e Everestit në 25 maj të 2012 për të respektuar 100-vjetorin e Shqipërisë, dhe Aconcagua këtë vit. Alpinistëve shqiptarë u kanë ngelur edhe 2 maja , një në Antarktitë dhe një në Australi.

Hackaj ka lindur në Tiranë dhe pas gjimnazit ka shkuar për studime në Gjermani. Pas Universitetit për ekonomi ka punuar për 4 vjet si menaxher në 2 kompani të ndryshme ajrore në Belgjikë e Gjermani, ndërsa tani punon si Konsulent në Cyrih, ku edhe jeton me të fejuarën.