Uji Dea

Nexhmia s’ia kthen Kadaresë “Dimrin…”, ma ka falë

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Tiranë – Një ditë pas publikimit të lajmit se Ismail Kadare ka hedhur në gjyq Nexhmije Hoxhën për dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” zbardhen detajet.

Në intervistën dhënë “Gazetës Shqiptare” dje shkrimtari i mirënjohur tregonte se e ka mësuar faktin që dorëshkrimi i një prej librave më të rëndësishëm të tij, gjendej në duart e Nexhmije Hoxhës, e ka mësuar prej Muzeut Historik Kombëtar dhe arkivave.

I jemi drejtuar dje pikërisht këtyre institucioneve për të mësuar mbi shumë mbi letërkëmbimet që ato kanë pasur me zonjën Hoxha. Nga këto letra, faksimilet e të cilave mund të shihni të botuara mësohet se Muzeu e ka kërkuar dorëshkrimin për ta ekspozuar në vitin 2009, ndërsa drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për ta ruajtur bashkë me dorëshkrime të tjera të kësaj natyre. Të dyjave këtyre kërkesave e veja e diktatorit iu është përgjigjur negativisht.

E ndërsa ka kritikuar Muzeun Historik Kombëtar për mënyrën se si ky i fundit ka trajtuar figurën e bashkëshortit të saj dhe për vendin se ku ruhen objektet e tij personale, Arkivit të Shtetit ajo i ka dërguar një fotokopje të dorëshkrimit origjinal. Më poshtë po publikojmë sqarimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe dy letrat që ish-drejtori i Muzeut Kasem Biçoku i ka dërguar Nexhmije Hoxhës.

Hidromorava

Për të mësuar më shumë mbi bisedat që institucionet shtetërore kanë bërë me Hoxhën, iu drejtuam zonjës Nevila Nika, drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ose e njohur ndryshe si Arkivi i Shtetit. Nga materiali që zonja Nevila Nika na vë në dispozicion bëhet më e qartë çështja e dorëshkrimit.

Mbasi Arkivi i Shtetit deklaron zyrtarisht se nuk e disponon origjinalin, bën me dije se pas një sërë kërkesash drejtuar Nexhmije Hoxhës, arkivi ka mundur të marrë prej saj, vetëm një fotokopje të dorëshkrimit origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” me autor Ismail Kadarenë. Fotokopja në fjalë është bërë nga vetë Nexhmije Hoxha. “Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ekziston një fond i veçantë me numër reference arkivore 779 për Z. Kadare në përputhje me Ligjin Nr. 9154, datë 06.11.2003 ‘Për arkivat’, i ndryshuar.

Fondi është krijuar në vitin 2004 mbas dhurimit që vetë z. Kadare i bëri këtij Institucioni të disa veprave të tij (fotokopje) duke filluar nga viti 2002”, – thuhet në letrën që Nevila Nika në emër të Arkivit të shtetit na jep. Sipas saj, bëhet me dije se fondi 779 është klasifikuar, domethënë është përpiluar inventari përkatës, por dorëshkrimi origjinal i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” aktualisht nuk ndodhet në këtë fond. “Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i është drejtuar prej disa vitesh familjes Hoxha për të dorëzuar dorëshkrimin origjinal, me qëllim ruajtjen dhe kryerjen e shërbimeve të ndryshme arkivore.

Mbas shumë përpjekjesh, vetëm vitin e kaluar më 17.06.2011 arritëm të merrnim nga znj. Nexhmije Hoxha me anën e një akt dhurimi një fotokopje të bërë nga ana e saj të dorëshkrimit origjinal”, – sqaron Nika. Më tej, ajo shprehet se “Dokumenti ka këtë përshkrim arkivistik: Roman/ Gjuha shqip/ Viti 1970/ Fotokopje 1255 (njëmijë e dyqind e pesëdhjetë e pesë) fletë”. Në këtë pikë ajo përfundon sqarimin mbi çështjen.