RCCOLA

Nevzat Kryeziu nga Rogana, që u bë kurban për Kosovën (1936-1999)

/ 9 minuta lexim

Kamenicë – Si kronist kohe, në data të caktuara, më sillen vërdallë ide të ndryshme, sidomos përkujtimi i personaliteteve, trimave dhe heronjëve, punëtorëve të dalluar dhe bamirësve të mëdhenjë që janë shëmbëlltyra të vendit. Tani që po afrohet 19-vjetori ndërhyrjes së trupave militare e paramilitare të Serbisë, në Komunën e Kamenicës, me ç’rast vranë disa burra të kësaj komune, u përcaktova të shkruaj për njeriun që e vranë, vetëm e vetëm pse nuk deshi ta lëshonte pragun e shtëpisë. Fjala është për Nevzad Balë Kryeziun nga Rogana, të cilin mizorisht e vranë më 11 maj 1999, ditën e martë, i cili zëshëm u tha ushtarëve okupatorë serbë: “ju dhe mund të më vrisni, por nga pragu i shtëpisë nuk mund të më largoni”.

Atëbotë, kjo fjali ishte bërë pjesë e shumë kryefamiljarëve. Bacën Nevzad e njoha më për së afërmi në vitin e largët 1995, pikërisht në muajin mars, kur si student i Fakultetit të Studimeve Islame, shërbeva Imam në xhaminë e Roganës, vetëm në muajin e shenjt të Ramazanit, që në atë kohë ishte Imam i rregullt Fehmi ef. Leci.

Si nip Rogane, isha i privilegjuar që të jem më afër xhematit, qoftë në xhami ose edhe nëpër shtëpitë private. Flijimi i Nevzad Kryeziut për familjen dhe për Kosovën, padyshim, nuk guxon të kalojë në harresë. Shpresoj që roganasit ose kujdestarët e historisë shqiptare do t’i regjistrojnë të gjitha rastet e këtilla, sa për të dëshmuar për një realitet të kohës, po aq edhe për dëshmuar sakrificën e popullit për ruajtjen e pragut të shtëpisë e me këtë edhe të shtetit të Kosovës.

Daja Nevzad, ashtu siç i thosha unë sa herë që e takoja, ishte një burrë i matur në fjalë, ecte me hapa të sigurt, ashtu siç edhe fliste ngadalë dhe rrjedhshëm. Pamja e tij të bënte që kurrë mos të harrohet fizionomia e tij, me rrobat ngjyrë kafe të mbyllur dhe të zeza, me ballin hapur, me kapele të zezë ku pak i dukeshin edhe flokët e thinjura. Kishte pak edhe zërin e grisur ndërsa fytyra, kur fliste, i buzëqeshte ndërsa muhabetin e shoqëronte me një humor të lehtë e të arsyeshëm për vendin e kuvendin.

Nga pikëpamja e vlerësimit tim ai ishte një besimtar i sinqertë dhe i devotshëm, pasi me të ishim së bashku në çdo kohë të namazit. Dëshira e tij për xhaminë dhe agjërimin ishte e madhe. Shtëpia e tij ishte nja njëzet minuta larg xhamisë, në lagjen drejt pjesës veriore të fshatit. Krejt në dalje të fshatit kishte ndërtuar edhe dy shtëpi larg truallit të moçëm, për djemtë Bajramin e Refikun.

I gëzohej shumë edhe rritës së nipave e mbesave, duke ëndërruar për ata një Kosovë të lirë e të pavarur. Ato shtëpi i kishin ndërtuar me shumë mund dhe djersë, që kishin marrë formën e kullave me tulla të kuqe si dëshmi e synimit të qëndrimit të mëtutjeshëm në këto troje tona etnike. Fatkeqësisht, armiku serbosllav, me paramilitarë dhe ushtarë serbë, kishin ide tjera për këtë vend e për këto troje. Ata po bënin planet e tyre të dëbimit të shqiptarëve me çdo kusht, duke përdorur metodat më të egra me djegie shtëpish, vrasje e përndjekje njerëzish, plaçkitje e dhunime.

Në të njëjtën ditë, pra më 11 maj 1999, makineria militare e paramilitare serbe kishte vrarë edhe në fshatra tjera si: në Kopërnicë Ismajl Xh.Ismajlin, në Hogosht Ramadan A. Latifaj dhe Mehmet S. Sabedinaj, në Karaçevë të Poshtme, pasi e kishin marrë me vete, e kishin pushkatuar edhe Asllan Thaçin e që ishte dhënder nga Hogoshti, e që e njoha më për së afërmi edhe atë. Kujtime nga muaji i Ramazanit 1995, në Roganë Ditët kalonin dhe unë me bacën Nevzad shoqërohesha për ditë e më shumë.

Uji Dea

E kisha xhemat të rregullt e të mirë. Si nip i Latifajve nga Hogoshti më lidhte shoqëria edhe më shumë, ndërsa për moshën e re që kisha, ai donte të më trimëronte edhe më shumë në kryerjen e detyrës që kisha marrë. Nga ana tjetër, unë e konsideroja edhe si dajë, por edhe sikur ta kisha prind. Respektin që e kishte te bashkëfshatarët dhe bashkëkohanikët e tij ishin privilegje edhe për mua. Rrugës për në xhami iniconte tema që nuk lidheshin me fenë, por me situatën e krijuar politike, me çka edhe unë pajtohesha, sepse ajo ishte një brengë e përbashkët dhe gjithëkombëtare. Brengat tona ishin se si të dilet nga sundimi i egër serb, nga okupimi që kishte lëshuar rrënjë shekuj më parë. Nga Lagjja e Epërme deri te xhamia ishte goxha rrugë. Rrugës na bashkëngjiteshin edhe burra të tjerë që synim kishin faljen në xhami. Më kujtohet daja Fehmi, daja Shaban, daja haxhi Sabiti, daja Qamil etj., sidomos edhe haxhi Demiri, një besimtar i vërtetë, i cili,ndonëse ishte i moshuar, ishte i rregullt në xhami. Pas namazit të drekës tuboheshim tek oda pranë xhamisë, të cilën e kishte ndërtuar me vetëkontribut Haxhi Raifi me djalin Enverin. Aty takonim edhe anëtarë të tjerë të xhematit si: Haxhi Qerimin, Haxhi Sefën, Haxhi Ajvazin, Haxhi Bajramin e të tjerë.

Ishin njerëz të fjalës e të besës. Ishin besimtarë dhe patriotë të paluhatshëm për moslëshimin e trojeve tona. Pas namazit të Akshamit na bashkonte sërish Iftari, të cilin së pari e filluam te daja Shaban,babai i doktorit Fahredin. Isha i privilegjuar që darkat t’i haja nëpër oda të ndryshme që organizonin roganasit, kurse Syfyrin dhe fjetjen i kaloja në shtëpinë e Fehmi M. Kryeziut, që ishte edhe dhëndër i familjes sonë, si dhe te nipi Nijazi Sh. Kryeziu. Jam mirënjohës për mikpritjen e dy kushërirave-motra, të cilave u jam borxhli për gjithë jetën.

Gjatë atij Ramazani, ndjeva një afërsi edhe më të madhe me dajat e mi, vendlindjen e nënës sime. Ajo periudhë do të mbetet gjithmonë në kujtesën time, dhe do të jetë shembull se si pritet mysafiri, përkatësisht nipi që kishte vendosur ta kalonte muajin e Ramazanit në fshatin e dajve. Pothuajse nuk kalonte ditë e namaz, pa u takuar me dajën Nevzad. Ashtu e thirrja me plot gojën – dajë. Në javën e fundit iftarët organizoheshin në Lagjen e Epërme të fshatit, që kryesisht mbanin mbiemrin Kryeziu e Rrudhani. Ishin iftarë të përgatitur me shije. Sofrat ishin më speciale për iftar; më të mëdha se zakonisht, sepse mblidheshin burrat e mahallës. Ende më kujtohet mënyra e uljes rreth sofrës: këmbën e djathtë e mbanim të mbledhur, kurse tjetrën të shtrirë. Dhe kështu uleshim edhe nga njëzet veta pranë sofrës. Ngrënja e iftarit ishte një ceremoni më vete. Ndonëse të pangrënë gjatë gjithë ditës pritej fillimi nga unë me bismilah( me emrin e Allahut).

Më kujtohet, në çdo iftar ishte i ftuar edhe daja Nevzad, një burrë që pinte duhan dhe që çajin e zi dhe kafet i kishte merak. Me ndezjen e cigares pas iftarit ndizej edhe muhabeti që fillonte para taravive dhe vazhdonte deri në orët e vona, e ndonjë herë edhe deri në syfyr. Më duhet patjetër ta kujtoj edhe takimin e fundit me bacën Nevzad. Disa javë para se të ekzekutohej u takuam në autobusin e Alp commerce që mbante linjën për në Tërnoc. Me disa kushërinj të mi isha nisur për ngushëllime te disa familjarë në Tërnoc.

Në Roganë hipi edhe baca Nevzad. Më përshëndeti buzëqeshur, ndërsa rrudhat në ballin dhe fytyrën e tij buzagaz shprehnin dashamirësinë që kishte për atë takim tonin. Filluam të bisedojmë, ndërkohë që më tepër më linte mua hapësirë për të folur ngase ishte me kollë dhe paksa i ftohur. Ashtu me fjalë të ulëta nisi një rrëfim se si një plak e kishte lënë një amanet për djemtë dhe nipat e tij. “Ai plak e kishte pasur emrin Ruhan”, filloi rrëfimin, dhe me sy vështroi majtas – djathtas, sikur donte që këtë rrëfim ta dëgjonte edhe dikush tjetër. Vetmevete mendova se ky rrëfim duhet të jetë me porosi. Dhe ashtu ndodhi. Daja Nevzad vazhdoi rrëfimin porosidhënës: “Jam bërë edhe unë si Ruhani që e kishte lënë amanetin se kur të vdiste t’ia shkruanin një epitaf në gurin e varrit: Këtu pushon Ruhani që e ka mbytur duhani”.

Qeshi daja Nevzad, qesha edhe unë e qeshën edhe disa të tjerë që e dëgjuan bisedën që njëkohësisht ishte edhe një këshillë për duhanpirësit. Pas një rrugëtimi zbritëm së bashku tek trafoja e rrymës në Tërnoc, ku edhe ai kishte planifikuar një vizitë tek të afërmit e tij.

Situata në Kosovë, në atë kohë, sa vinte e keqësohej. Gjithandej vinte erë lufte. Lëvizjet e njerëzve ishin të kufizuara. Provokimet në vende publike bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Njoftimi për vrasjen e dajës Nevzad, më 11 maj 1999, por edhe i disa të tjerëve në komunën tonë kishte marrë dhènë. Pushkatimin e tij e kam përjetuar shumë rëndë, jo vetëm unë por gjithë familja ime dhe njerëzit e kësaj ane. Në kujtim të dajës Nevzad, shpesh e vizitoj varrin e tij përmendore dhe lutem tek Zoti i madhëruar që trupi i tij të pushojë i qetë, ndërsa punën, veprën heroizmin, qëndresën dhe bujarinë e tij ta shpërblejë Zoti i Lartësuar në botën tjetër me parajsë ka shkruar në përkujtimin e tij Xhemush H. Biçku./rajonipress/