Eko Higjiena

Nëntori i dytë nga Gazmend Freitag

/ 3 minuta lexim

Gazmendi Freitag (49) ka zbuluar në vete një vokacion të fuqishëm për artin figurativ: Talentin e tij e përdorë shumëllojshmërisht në teknika të ndryshme si grafikë, pikturë me vaj, vizatime me laps, shkumës dhe bojë shtypi. Kështu, ai iu shtua atyre artistëve shqiptarë që e ushtrojnë artin e tyre jashtë ardheut të vet, me shpresën se do të mund të krijojnë dhe forcojnë imazhin e shqiptarëve si njerëz të artit, të kulturës dhe të angazhimit intelektual.

Punimet nga Gazmend Freitag përfshijnë motive të shumta si: elemente autobiografike, peisazhe të vendlindjes, portrete të shumta të njerëzve, kujtime të fëmijërise, nudo, peisazhe, e shumë të tjerë.

Veprat e Gazmend Freitag dëshmojnë për ndjeshmërinë shpirtërore të një artisti tepër ambicioz, të cilin e nxiste që nga fëmijëria e tij për të pikturuar.

Mobi Casa

Gazmendi që nga viti 1990, apo më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar në Gjermani dhe në Austri, dhe malli për vendlindjen, për vendin e tij e bën të jetë shumë i lidhur emocionalisht me gjithçka të bukur dhe të mirë me to. Në artin e tij, ndërkaq, nuk është vetëm motivika dhe tematika shqiptare, pasi që ai trajton të bukurën universale dhe me koncepte moderne estetike për artin. Prandaj, Gazmend Frietag ka shumë punime me motive nga Austria dhe gjetiu, gjithnjë në funksion të një trajtimi artistik të të bukurës në natyrë dhe te njeriu. Perceptimi estetik i realitetit, e për më tepër transponimi estetik i tij, nga piktori Gazmend Freitag e ka bërë që në masë të madhe të punojë peizazhe dhe portrete, gjë që këtë e afron më shumë me realizmin magjik. Veten, ndërkaq, Gazmendi e mban një realist impresionist, sigurisht si një konceptim i një sinkretizmi të realizmit dhe të impresionizmit si rryma artistike mjaft të njohura dhe mjaft të përhapura në artin botëror.

Opusi tematik i artit të Gazmendit realizohet nëpërmjet peizazhit, portretit, nudos dhe natyrës së qetë. Së fundmi ka filluar të punojë edhe punime të natyrës ilustrative për tregime dhe libra të ndryshëm letrarë, duke bërë hapa të tjerë në zgjerimin e lloj-llojshmërisë artistike të tij. Duhet thënë se kur bëhet fjalë për aspektet e brendshme, tipologjike dhe strukturore të artit të Gazmendit, nuk mund të lëmë pa përmendur se nëpërmjet vajit dhe tushit, ai ka arritur që të realizojë piktura dhe grafika mjaft të mira, ku shquhet kompozicioni karakteristik, harmonia e hapësirës dhe e përmbajtjes estetike, si dhe shtrirja harmonike e ngjyrave dhe e dritëhijeve. Në këtë aspekt, ndikimi i impresionizmit është i dukshëm, megjithëse ai po arrin që të paraqitet me një veçanti origjinale si një piktor i formësuar dhe i njohur në botën artistike moderne. (Rexhep Kastrati)