FIDANISHTJA

Vështrim – Akademia e satirës dhe e ndërgjegjes kombëtare

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

(Humori si armë estetike dhe satira si akt qytetar në librin “Akademia e Zuzarëve” të Faruk Tashollit).

Në letërsinë shqipe, satira ka qenë gjithmonë një nga format më të fuqishme të rezistencës ndaj deformimeve shoqërore dhe politike. Nga tradita e Çajupit, Nolit e Fishtës, deri te satira bashkëkohore, ajo ka shërbyer si pasqyrë ironike e realitetit dhe si mjet ndërgjegjësimi kolektiv.

Në këtë vazhdë vendoset edhe libri “Akademia e Zuzarëve” i Faruk Tashollit, një përmbledhje poezish humoristiko-satirike që ndërton një panoramë të gjerë të tranzicionit shqiptar, duke e parë atë përmes syrit të ironisë, groteskut dhe humorit popullor.

Libri nuk synon vetëm të argëtojë lexuesin, ai kërkon ta trazojë ndërgjegjen e tij. Nën buzëqeshjen që provokojnë vargjet, fshihet trishtimi i thellë për degradimin moral të politikës, të institucioneve dhe të vetë shoqërisë shqiptare.

Satira si kronikë e kohës
Që në poezinë që mban titullin e librit, autori ndërton metaforën qendrore:
“Një akademi tjetër që prodhon zuzarë,
Zuzarë të lartësuar nga jugu e veriu…”
Kjo “akademi” nuk është institucion shkencor, por metaforë e një sistemi që prodhon mediokritet, mashtrim dhe hipokrizi.

Në këtë univers poetik, “zuzari” nuk është një individ i veçuar, por një kategori shoqërore që shtrihet nga politika deri te akademia, nga administrata deri te pseudo-patriotizmi.

Kjo e bën librin më shumë sesa një përmbledhje satirash, ai shndërrohet në një kronikë poetike të tranzicionit shqiptar.

Një nga veçoritë më të spikatura të Faruk Tashollit është mbështetja në humorin popullor shqiptar. Ai përdor proverba, shprehje frazeologjike, ritmin e këngëve popullore dhe mënyrën tradicionale të rrëfimit humoristik për të krijuar një satirë moderne.

Mobi Casa

Në poezinë “Rrena”, fjala vjen, autori sintetizon fenomenin e gënjeshtrës politike:
“Rren me hov rren pushtetari
Rren e rren opozitari…”
Me vetëm dy vargje krijohet një tablo e tërë politike ku pushteti dhe opozita nuk dallohen më nga njëri-tjetri.
Ironia është e drejtpërdrejtë dhe pa zbukurime retorike.
Politika si teatër absurd
Një motiv që përshkon pothuaj gjithë librin është shndërrimi i politikës në spektakël.
Në poezinë “Teatër para teatrit”, autori ndërton një metaforë brilante:
“Brenda aktorët me role të goditura
Pa parë ç’teatër po luhet jashtë?!”
Këtu teatri i vërtetë nuk zhvillohet mbi skenë, por në jetën politike.
Politikanët janë aktorë më të mirë sesa artistët, ndërsa hipokrizia ka zëvendësuar artin.
Në mënyrë të ngjashme, poezia “Cirku politik” e paraqet demokracinë si spektakël grotesk, ku premtimet dhe patriotizmi përdoren si dekor skenik.
Një sukses i veçantë estetik i librit janë paroditë.
Autori nuk imiton thjesht modele të njohura, por i rikrijon ato duke i vendosur në realitetin politik shqiptar.
Parodia “Himni i uçkurit” ndërtohet mbi modelin e himnit kombëtar dhe e kthen një simbol solemn në satirë ndaj servilizmit politik:
“Përreth uçkurit të përbashkuar…”
Efekti komik krijohet nga kontrasti midis formës solemne dhe përmbajtjes groteske.
Po kështu, “Rjepeni nanën”, e ndërtuar sipas modelit nolian, shndërrohet në një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj klasës politike që “rrjep” atdheun.
Faruk Tasholli ironizon vazhdimisht patriotizmin folklorik dhe retorik.
Në poezinë “Moj Kosovë, Kosova trime”, ai shkruan:
“T’vodhën hajnat e tanë botës
Po të vjedhin djemtë e tu.”
Këto janë mbase vargjet më goditëse të librit.
Autori zhvendos përgjegjësinë nga armiku i jashtëm te armiku i brendshëm, duke e bërë satirën një akt vetëkritik kombëtar.
Ndërmjet standardit dhe ligjërimit popullor
Njëra nga vlerat më të mëdha artistike të librit është gjuha.
Faruk Tasholli përdor me mjeshtëri gegërishten urbane të Kosovës, idiomat popullore, fjalët e rralla dhe frazeologjinë tradicionale.
Kjo gjuhë nuk përdoret për folklorizëm artificial, por si mjet autentik komunikimi satirik.
Fjalori është i pasur me figura popullore: metafora, hiperbola, krahasime groteske, ironi,
sarkazëm, personifikime, dialog poetik.
Një pjesë e mirë e humorit lind pikërisht nga ky regjistër gjuhësor.
Stili i Tashollit karakterizohet nga: ritmi i shpejtë narrativ; vargu i rrjedhshëm popullor; dialogu me lexuesin; ndërhyrjet e drejtpërdrejta autoriale; përdorimin e aludimeve politike; intertekstualitet me Nolin, Naimin dhe traditën folklorike.
Shpesh poezitë ngjajnë me editorialë politikë të shkruar në vargje.
Kjo e afron autorin me traditën e satirës qytetare, ku poezia merr funksionin e komentit shoqëror.
Pavarësisht humorit, libri mbetet thellësisht moral.
Ai nuk sulmon individin për hakmarrje personale, por fenomenin.

Objektivi i satirës është korrupsioni, hipokrizia, servilizmi, nacionalizmi folklorik, demagogjia, nepotizmi dhe mediokriteti.

Në këtë kuptim, “Akademia e Zuzarëve” është një libër që kërkon përgjegjësi qytetare.
Çëshja këtu nuk është argëtim i lehtë, është një formë proteste.

Ndaj, “Akademia e Zuzarëve”, sipas meje, përfaqëson njërin nga librat më të realizuar të satirës tonë të viteve të fundit. Faruk Tasholli arrin të ndërthurë humorin popullor me ironi – në intelektuale, parodinë me kritikën sociale dhe gjuhën e gjallë popullore me mjeshtërinë poetike.

Në një kohë kur politika po prodhon përditë e më shumë absurditete, poezia e tij po bëhet kronikë artistike e realitetit tonë. Ajo të bën të qeshësh, por menjëherë pas buzëqeshjes të lë shije të hidhur reflektimi.

Kjo është fuqia e satirës së mirë: të zbulojë të vërtetat që shpesh nuk guxojnë t’i thonë as publicistika dhe as politika.

Në këtë aspekt, “Akademia e Zuzarëve” mbetet jo vetëm një libër humoristik, por edhe një dokument letrar e qytetar i kohës sonë. /rajonipress/mexhid mehmeti/