Delegacioni i Komunës së Vitisë viziton spitalet publike në Saint-Julien-en-Genevois dhe Annecy
Viti – Një delegacion i Komunës së Vitisë, i udhëhequr nga kryetari Sokol Haliti, zhvilloi vizita zyrtare në dy spitale publike në Saint-Julien-en-Genevois dhe Annecy të Francës, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, dr. Vjollca Kadolli-Halili, drejtoresha e Arsimit, Arta Alidema-Ajeti, ndërsa delegacioni u shoqërua nga kryetari i Komunës së Saint-Julien-en-Genevois, Laurent Mivelle, përfaqësues dhe udhëheqës të shoqatës “Iliria”, si dhe këshilltarja e deleguar e kësaj komune, Minavere Bislimi.
Gjatë vizitave, delegacioni u prit nga drejtuesit e institucioneve spitalore dhe përgjegjësit e reparteve dhe shërbimeve specialistike. Ata u njohën nga afër me organizimin dhe funksionimin e shërbimeve shëndetësore, mënyrën e trajtimit të pacientëve, kapacitetet infrastrukturore, hapësirat spitalore, si dhe pajisjet dhe teknologjinë mjekësore që përdoren në këto institucione.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe bashkëpunimin e treguar nga drejtuesit dhe stafi i spitaleve, duke vlerësuar veçanërisht kujdesin shëndetësor të ofruar ndër vite për pacientë nga Viti dhe komuna të tjera të Kosovës.
Vizita u cilësua si një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive profesionale, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre në Francë.
Në fokus të këtij bashkëpunimi mbetet veçanërisht avancimi i shërbimeve shëndetësore, shkëmbimi i përvojave dhe thellimi i marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve./rajonipress/


