Tri poezi të Rexhep Demirit
Gjilan – Në 66-vjetorin e lindjes dhe 24-vjetorin e vdekjes së gazetarit dhe shkrimtarit Rexhep B. Demirit, Ramadan Mehmeti për herë të parë ka postuar tri poezi të tij.
Rexhep DEMIRI, (1.3.1960 – 15.12.2004)
LEGJENDA E KALASË
Në Vicianum kalaja shqip frymonte
Erë ilirishte vinte
Betohem në legjendën e fjalës gurishte
Rozafa me diellin martuar ishte
Në ballin e kalasë rrudha motesh
Dashuri për tokën fshihte
Këngë të moçme kënduar trimërishte
Dashuri ndër dashuritë ishte
Bulëzim lulesh pranverë njomëzake
Kalaja djersitur qeshur sehir bënte
E premte tregu në Vicianum dashuri shihte
Rritej shpirtëmbël shqipërisht rritej
Fatit thurnin ninullat e dashurisë
Doruntina qetë përkundej flinte
Mbëltoheshin fidanishtet në Vicianum gjallëri
Rrezëllimë yjesh Doruntina ëndërr shihte
Mbi kala pëllumba gushëbardhë
Pendët gjithandej shpërndarë
Doruntinë, moj Doruntinë
Në Vicianum vallja djallin mund
Rozafa gjallë është, e pe gjëkund
Me ne në kala në dashuri gjithkund
Vushtrri, 1992
PIKTURË E UNIT TIM
(birit tim, Elonit)
Qyteti ishte i mjegullt
Hapësirë e zymtë gulfaste
Neonët në vete fshihnin shkëlqimin
Dhe oxhaqet nuk tymosnin
Zhurmërimë autoblindash çirrej
Qytetit neveri i shkonte
Atë natë të mjegullt të zymtë
Pastaj dhe me shi
Në unin tim në bebëza e sy
Të pikturoja ty
Qyteti im s’flinte
Atë natë me shi
Numëronte një banor të ri
VAZHDIMËSI
Një ditë kjo tokë
Do t’i përbijë eshtrat e mi
E unë edhe më tej do të jetojë
Nëse lulevjollcave
Ka kush t’u marr erë
Shënime për autorin
Rexhep Demiri u lind më 1 mars 1960 në Zhegët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, ndërsa të mesmen në Gjilan. Studimet e larta, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i kreu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Me shkrime letrare filloi të merrej që nga shkolla e mesme, duke botuar në gazeta dhe revista letrare, të cilat botoheshin në Kosovë. Fillimisht, bashkëpunonte me gazetën “Rilindja”, në të cilën më vonë filloi të punojë gazetar i rregullt plot dhjetë vjet, deri në mbylljen e saj. Ndërkaq, pas vitit 1999, punoi në media të ndryshme të Kosovës.
Pas një sëmundje të shkurtër vdiq më 15 dhjetor 2004 në Prishtinë dhe u varros në vendlindjen e tij.
Poezitë e përfshira në vëllimin poetik “Udha e lotëve”, botohen për herë të parë, sipas dorëshkrimit autentik të autorit të tyre./rajonipress/


