Nasala e kthyer me fytyrë kah qyteti…

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Aty, buzë lumit Moravë e Binçit, 13 kilometra larg qendrës komunale, Gjilanit, ngre shtat fshati Nasalë. Fshat që ka bukuri të rralla natyrore. Ka ujët e thartë, kullosa të pasura për kafshë, tokë pjellore, lumi Moravë është freskia e këtij vendi si dhe njerëzit e urtë e punëtorë të këtij lokaliteti. Kohës së fundit, fshati ka fituar ndriçimin publik e rrugën e asfaltuar Lladovë – Nasale- Remnik.

Ky fshat ka një “datëlindje” të hershme. Thonë se, këtu janë vendosur kaherë disa familje të fiseve të ndryshme, por që kanë hasur në mirëkuptim dhe, sot e asaj dite, nasalasit jetojnë si një familje e gjerë. Nga ky fshat i vogël kanë dalë shumë shkollarë; mjekë, gjuhëtarë, matematicientë, sociologë, motra medicionale, edukatore, ekonomistë, arsimtarë, mësues e të tjerë. Pra, është fshat përparimtar, tregtarë, fizioterapeut e profesione të tjera. Jo vetëm kaq.

Më hetët, banorët e këtij lokaliteti janë marrë me bagëti e bujqësi. Ka pasur familje që ka ruajtur gjer në 300 krerë dele, 5 krerë lopë, buallica e kafshë të tjera. Bujqësia është punuar me mjete të rënda të punës. Është dashur në ara të punohet tërë ditën pa u ndalur, për faktin se, fshatarët bëni gara në mese vete se kush po fiton grurë e misër e të lashta të tjera. Ka pasur lëmë të drithit. Me javë të tëra, nasalasit kanë fshirë drithërat e bardha.

Edhe pas kësaj pune të rëndë, nasalasit janë ndjerë të gëzuar. Hambarët e koshat i kanë mbushur me drithëra, të cilat është dashur t’i ruajnë gjer në ditët e Shëngjergjit. Jetë të rëndë kanë bërë duke bartur grurin apo misrin nëpër mullinjtë e Gërqarit e meses të tjera afërta. Një familjar është kujdesur për “idare”, sepse kanë jetuar në familje me 25 anëtarë në familje. Shtëpitë i kanë pasur me material prej çerpiqit, të cilin e rregullonin prej balte.

Sipa Ilaz Jasharit, mësues në pension, ka shtuar se, oda në Nasalë kanë pasur dy familje, ajo e Hajrovitëve dhe e Beqollëve. Këto dy familje i kanë pranuar njerëzit e panjohur, të cilët i zinte nata e rruga. Kur ju mungonin mbulesat (jarganat), pyetnin se kush ka pasur në mbrëmje mysafirë. Atje i gjenin mbulesat, se s’kanë pasur këto “sende” të nevojshme. Pra, jeta ka qenë e vargër e një kohe e tyre.

Uji Dea

Ka shtuar se në fshat ka qenë një kmet (udhëheqës) fshati. Për të mirë e të keqe, iu janë drejtuar këtij kmeti. Ka pasur shumë pak fjalosje në mes familjeve. Këto “sende” tashmë krejtësisht janë rrënjosur. Nuk ka fjalosje, por ka respekt dhe dashuri në mes vete.

Tash, nasalasit jetojnë më ndryshe. Fshati nuk ka më shtëpia të vjetra. Shtëpitë janë të ndërtuara secila më e bukur se tjetra. Rinia po përparon. Gati në çdo të dytën ditë dalin e luajnë në fushën e sportit që gjendet mbi fshat. Kur vjen koha e punëve, ata ikin dhe gjenden në qytet e mese të tjera. Por, edhe kur ka mort, i madh i i vogël janë si një. Shkojnë në ngushëllime dhe nuk kursejnë kohën. Në një ngushëllim të ngjau para do dite, nasalasit u gjenden 33 vetë tok. Gati çdo shtëpi kishte nga një anëtar. Të gjithë ata që patën rast mor, i përshëndetën dhe i lakmuan për gjestin e tyre. I uruan me një: “Ju lumtë, nasalas!” Është për ta përshëndetur këtë gjest të tyre shembull e madhor. Jo vetëm kjo.

Të rinjtë e këtij lokaliteti janë shpërndarë nëpër botë. Gati secila familje ka nga një anëtar në botën e jashtme. Disa punojnë në Zvicër, Francë, Gjermani e vende tjera. Këta të rinj nuk po e harrojnë fshatin e lindjes. Ata kanë ndërtuar shtëpi të reja në vendlindje dhe po e gëzojnë jetën.
Tash për tash, nasalasit kanë tri halle. Një, shkolla e fshatit duhet të ndërtohet e re, e cila, sot për sot nuk i plotëson kushtet për punë normale në procesin mësimor. Ka vetëm një mësonjëtore dhe një lokal dhomë që është jo aq funksionale për punë. Hallin e dytë, nasalasit e kanë tek ujësjellësi. Ata nuk kanë ujë të bollshëm për amvisëri. Nasalasit kanë ujë, por është i thartë, i cili nuk përdoret për larje rrobash.

Halli i tretë i tyre është se nuk i kanë të asfaltuara rrugët nëpër fshat. Këto janë brengat e tyre të jetës. Por, përkundër këtyre “halleve”, nasalasit jetojnë dhe e shohin jetën të kthyer kah qyteti. Rinia shkollohet, ndërsa ata që merren me bujqësi, akoma nuk po e lënë tokën djerrinë, sepse po kanë përfitime nga qeptë e reja, patatet, mishi i kafshëve të reja etj. Edhe kjo jetë është. Pra, nasala është kthyer me fytyrë kah qyteti./tefik selimi/rajonipress/