UBT

Naimi dhe Luli

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ibrahim Rexhepi – Sikur të kishte mundësi ligjore, atëherë në postin e drejtorit të doganave të Kosovës, sipas konkurrencës së tashme, lirisht mund të emërohen dy veta – Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna.

Sado që mund të duket qasje favorizuese, por bazuar në eksperiencën dhe në performancë, atëherë, në mesin e 20 vetave të interesuar për postin e drejtorit menaxhues të Doganës së Kosovës e meritojnë dy veta – Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna. Jo për faktin se që të dy punojnë në këtë institucion, por pse kanë edhe disa aftësi të tjera, të cilat i kanë dëshmuar gjatë punës që bëjnë. I pari, është kreator i doganave moderne kosovare, atyre pa petkun e UNMIK-ut dhe pa hipotekat nga e kaluara kertesiane e këtij institucioni, kurse i dyti është jurist me një vizion të ri për ligjin dhe për shtetin. Madje, asnjëri prej tyre nuk e ka për qejf të veshë petkun me ngjyrë të theksuar të kuqe, apo blu.

Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna jo fort moti ishin në bankën e të akuzuarve pse iu kanë mundësuar disa kompanive që kenë përfitime të paligjshme duke importuar cigare me akcizë të ulët, ndërsa i kanë shitur një muaj më vonë, kur është ngritur akciza. Tash në CV nuk e kanë as këtë njollë, së paku sipas vendimit të gjykatës. Po ashtu, diku para 4-5 vitesh ka pasur një tentativë për largimin e Huruglicës nga ky vend, ashtu që të sillet dikush më i përshtatshëm për konjukturën e asaj kohe, së paku si flitej në koluare, mirëpo, shpëtoj “falë ndërkombëtarëve nga ICO-ja”.

Mirëpo, duket se zgjedhja e të parit të institucionit që furnizon me para arkën e shtetit do të kalojë në shenjë të një konkurrence të ashpër. Dhe, është mirë që në këtë konkurs kanë aplikuar 20 veta, meqenëse kjo dëshmon se nuk është e varfër oferta nga “tregu i punës”. Mirëpo, duhet pasur parash se në këtë detyrë nuk mund të zgjidhet secili . Madje, më së paku e meritojnë ata që janë të gatshëm të hyjnë në lojëra të dyshimta me individë nga pushteti, apo me biznese që veprojnë në margjina të ligjit. Këta, nuk i duhen as pushtetit, e as biznesit. Nga ana tjetër, kriteret që kërkon ligji për këtë vend pune janë të përgjithësuara. Kjo është e zakonshme, meqenëse aty do të ishte e dëmshme nëse kërkohen edhe specifikat e tjera, meqenëse krijon mundësi për përshtatje të konkursit, ose e ngushton mundësinë e konkurrencës, meqenëse iu pamundëson paraqitjen e të tjerëve jashtë këtij institucioni. Por, megjithatë duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë që kanë doganat, atëherë nuk mund të jetë drejtor menaxhues i tyre dikush pse paska diplomë universitare, apo pse se ka një përvojë drejtorllëku në ndonjë kooperativë, apo në hoteleve të kategorisë “pesë euro pushimi”.

Uji Dea

Kur është në pyetje performanca e ish-drejtorit dhe u.d. drejtorit aktual të doganave ajo është e lidhur ngushtë me efikasitetin e krejt këtij institucioni, si edhe gjendjen e përgjithshme në treg. Në këto rrethana kanë ardhur në shprehje aftësitë organizative dhe menaxhuese, meqenëse vëllimi i punës, përkatësisht i importit dhe i sigurimit të të hyrave në buxhet varen nga faktorët e tjerë- fuqia e tregut dhe politikat që i udhëheq shteti. Pjesëmarrja e të hyrave nga kufiri në tërësinë e parave që ka buxheti ende është shumë e lartë dhe kjo më shumë reflekton nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik, varshmërinë e madhe nga importi, si edhe shkallën e ngarkesës me taksa e tatime kufitare që i bëhet individit. Por, qeveria aktuale ende e sheh kufirin si mundësinë më të lehtë për mbushjen e arkës. Në këtë mozaik, Dogana e Kosovës është vetëm një mekanizëm ekzekutues i politikave që përcakton qeveria, kurse i vulosë parlamenti.

Ndërsa, nëse performanca e doganës vlerësohet vetëm për mes parasë, atëherë ajo del e mirë. Ajo në vitin 2012 në buxhet solli 20 për qind më shumë të hyra se në vitin 2010 , ndërsa sivjet kjo rritje duhet të jetë 30 për qind. Në këtë rritje ndikim kryesor kanë të hyrat e realizuara nga TVSH-ja dhe akciza, ndërkaq taksa doganore ka rënie të vazhdueshme të pjesëmarrjes. Kjo do të ndodhë edhe më tutje, pas MTL-së me Turqinë prej nga importohen mallra në vlerë rreth 200 milionë euro, apo, më vonë edhe me BE-në, nga e cila vjet importi ishte afër një miliard euro. Megjithatë, duhet thënë se rritja e të hyrave nga kufiri ka ndodhur në kohën importi ka normë më të ulët të rritjes. Vjet ai ishte 0,6 për qind më i lartë se në vitin 2011 dhe 16,2 për qind më i lartë se në vitin 2010.

Mirëpo, vështruar vetëm sipas shifrave atëherë dogana duket vetëm si zyra për vjeljen e taksave. Ndërkaq, ajo është më shumë se kjo. Doganat janë segment i rëndësishëm për zhvillimet në treg, posaçërisht kur është në pyetje trajtimi i bizneseve në kufi, lufta kundër kontrabandës, evazionit fiskal, shpëlarjes së parasë, dhe e korrupsionit brenda këtij institucioni. Nga këtu del edhe arsyeja pse duhet pasur kujdes se kush emërohet në krye të këtij institucioni.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)