Fundamenti

Opozita duhet të refuzojë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Lojë e “ndershme” nga lojtarë të pandershëm: Opozita në Kosovë ka kohë që ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në Kosovë ndonëse, jo që nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë Kurti 2 por, përkundrazi nuk e ka bërë asnjë veprim opozitar të mençur që do të ndihmonte në realizimin e kësaj kërkese krejtësisht të natyrshme opozitare.

Në anën tjetër asnjë qeveri në Kosovë nuk ka qenë në situatë, shkaku i numrave të ndjehet më rehat se kjo e Kurtit 2 duke bërë çka ka dashur pa qenë e detyruar t’i japë llogari askujt. Kjo qeveri nuk ka lënë parim pa shkelur, standard demokratik pa dhunuar, vlerë kombëtare, politike, morale a kombëtare pa sulmuar apo pa njollosur sikur që nuk ka lënë figurë antikombëtare, pa asnjë vlerë morale, politike pa rehabilituar, në emër të patriotizmit të rremë, luftimit të korrupsionit për të vjedhur vet masivikisht dhe mbrojtjes së “parimeve” të proklamuara, për t’i mos i qëndruar besnik asnjë parimi.

Albin Kurti e ka pasur mundësinë e madhe dhe të artë për të bërë ndryshime të nevojshme dhe të domosdoshme për Kosovën, shqiptarët dhe qytetarët e saj. Jo që nuk i ka bërë këto ndryshime por i ka dëmtuar pariparueshëm shumë procese, mos të them të gjitha, si asnjë udhëheqës para tij. Bashkimi kombëtar i është vendosur sorrës ndër bisht, flamuri kombëtar është shndërruar në kondom të shqyer nga është ngjizur “flamuri i Kosovapetrolit” para të cilit përulen, për një copë pushtet dhe mundësi për të vjedhur pa rrezik për t’u dënuar si dhe për të punësuar kë të dojë (familjarë apo bashkëpartiakë), “xhovanifalkonet”, pa tru dhe të tredhur të shpurës së Albinit.

Albini para se të vinte në pushtet me 51 për qind të votave e perfeksionoi teorinë e Nikola Pashiqit ku, rrena për serbin dhe Serbinë është virtyt dhe detyrim patriotik. Lexoni deklaratat, paraqitjet, premtimet dhe qëndrimet publike të Besnik Bislimit, Vojsa Osmanit, Glauk bin Sherifit, Arbërie Nagavcit, Rozeta Hajdarit, Donika Katran Shvarcit, Hajrulkah Çekistit, General Kaçketës, Faraonit të Pejës, Hysen Bagerit, Eci Peci – Pecit, Rivanoll Strujës, Nenad Raushiqit etj. etj., për t’u bindur në “teorinë time konspirative …”.

Oferta mjegull e KM Kurtit për zgjedhje, grackë për opozitën: Albin Kurti tash është në pozitën e Mbretit lakuriq në përrallat e Andersonit. Manastiri i Deçanit ia ka lakuriquar fytyrën politike. Dinari i Serbisë ia ka zhveshur brekushet ndonëse është edhe një seancë në Bruksel, sa për sy dhe faqe. Në takimin e parë është përfunduar puna.

Është ndaluar shpronësimi i tokave në veri sepse kjo ishte vërejtje e ndërkombëtarëve. Gjeneral Kaçketa e ka harruar gjeografinë e veriut nga kërcënimi i listave të zeza, bashkë me Faraonin e Pejës dhe disa sekserë të kabinetit. Tre “musketjerët” e mjerë dhe grykës të pushtetit ia kënduan këngën “Besa – besë, besën ta kem dhënë .. se Zajebnicën do ta bajmë” Dora d’Bakojanis.

Fundamenti

Pas kësaj do të ketë kërkesa tjera nga BE-ja sepse me Marrëveshjen e Brukselit dhe bishtin e Ohrit statusi i Kosovës nuk paragjykohet, Kisha është pjesë e Serbisë në Kosovë, Rezoluta 1244 aktualizohet etj. Në këtë situatë Kurtit i duhen zgjedhjet si mundësi shpëtimi, Prandaj, përmes zgjedhjeve përpiqet të blejë kohë dhe ta bëjë përgjegjësinë të përbashkët ndonëse askënd nuk e ka pyetur për asnjë vendim që e ka marrë. AAK-ja u ngut për mocion pas së cilës radiolidhja e Radojçiqit në Kosovë, Limoza Kulari tha se: “VV nuk ka vota për opozitën për rrëzim të Kurtit …”.

Më habiti pse PDK-ja me një shpejtësi të pakuptueshme dhe të pabesueshme premtoi nënshkrimet që i duhen Kurtit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. LDK-ja mbajti një qëndrim, së paku publikisht më opozitar; kërkoi dorëheqjen e Kurtit për të shkuar në zgjedhje e që Kurti nuk e bën dot nga frika se ndërkombëtarët mund ta formojnë një qeveri me një kryeministër tjetër. Për mendimin tim edhe nëse opozitës i krijohet mundësia ta rrëzojnë qeverinë Kurti 2, nuk duhet ta bëjnë këtë, duhet ta lënë deri në fund të mandatit.

Po ta kishin rrëzuar më herët, do të kishte një logjikë kurse tani Kurti këtë edhe e do, për të shpëtuar nga vendimet katastrofale dhe antikombëtare që i ka marrë. Nëse shkohet në zgjedhje Kurti e tejkalon rrezikun duke bërë koalicion me LDK-në kurse Vojsa Osmani do të përfitonte edhe një mandat presidencial. Në këto rrethana Kosova, jo që nuk do të largohej nga Serbia por do të hynte në një vartësi federale apo konfederale me këtë shtet.

Opozitës nuk i duhet që Kurtin ta luftojnë me Eskobarin, Blinkenin, Borrellin apo Lajçakun por duhet ta luftojnë me një opozitarizëm më agresiv, me një program zhvillimor që mund të realizohet, me një arsim pa analfabeten Nagavci, me një shëndetësi pa mashtruesin Vitinja, pa Gjeneral Kaçketën dhe të ngjashëm.

Nëse luajnë në kartën se Kurti na prishi me amerikanë dhe ndërkombëtarë, opozita do ta këndojë “Këngën e Mjellmës duke ikur për lesh…”. Opozita nuk duhet ta përkrahë mocionin për shpërndarje të Kuvendit sepse e fuqizon Kurtin.

Nuk duhet në asnjë mënyrë të votojë marrëveshjet ndërkombëtare në pako sepse ia mbushin armën pozitës për fushatë. Edhe nëse rrëzohet qeveria, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të shfuqizohet. Le ta përfundojnë këtë proces trojka që besnikërisht punuan dhe po punojnë kundër Kosovës dhe shqiptarëve.