UBT

Musliu: Dacic mund të heq përmendore vetëm në Shumadi e jo në Luginën e Preshevës !

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Luginë e Preshevës – “Unë nuk e kuptoj një veprim të Daçiqit që të ngrit lapidarë në trojet e huaja, pikërisht aty ku policët dhe ushtarët serbë kanë ardhur si pushtues dhe e kanë humbur betejën nga forcat e UÇPMB-së. Prandaj edhe sot Dacic bënë provokime herë me defilime të xhandarmerisë e herë me kërcënime të heqjeve të përmendoreve. Dacic mund të heq përmendore, por vetëm në Shumadi e assesi jo në Luginën e Preshevës…”ka deklaruar Shefket Musliu, ish-komandant i UÇPMB-së në intervistën dhënë “Presheva jonë”.

Në vazhdën e intervistave në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë dhe ditës së flamurit, në intervistën e radhës për “Presheva Jone” me ish-komandantin e UÇPMB-së, Shefket Musliu, ai flet pos situatës aktuale politike në Luginë dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë edhe për fatin e fatin e Luginës, për faktorin politik shqiptar të Luginës së Preshevës përballë sfidave, për realizimin e verdiktit të popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992, lidhur me ngritjen e përmendores së UÇPMB-së dhe për aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar etj.

Musliu: Presion i qëllimshëm i Beogradit për të shpërngulur shqiptarët nga viset e tyre etnike

“Presheva Jone”: Zotëri Musliu, si e vlerësoni situatën aktuale politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Musliu: Situata politike aktuale në Luginën e Preshevës është e njëjtë si në vitet 99-të, unë mendoj ashtu. Asnjë ndryshim konkret nuk është bërë në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Presheva Jone”: Çka do të fitojnë shqiptarët e Luginës nga dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë?

Musliu: Unë mendoj që shqiptarët e Luginës patjetër duhet të jenë të përfshirë në këto bisedime dhe ne do të kërkojmë prej faktorit ndërkombëtar se çka t’ju premtohet serbëve të veriut të Kosovës, të ju jepet edhe banorëve të Luginës së Preshevës, gjegjësisht Kosovës Lindore.

“Presheva Jone”:Manifestimet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe fillimi i dialogut midis kryeministrave Thaçi-Daçiq, kanë shtuar forcat e sigurimit serb përgjatë vijës kufitare Serbi-Kosovë. Si i komentoni këto procese shqetësuese për shqiptarët e kësaj Lugine?

Musliu: Serbia vazhdimisht ju ka bërë presion shqiptarëve në këto anë me qëllim që t`i shpërngul nga trojet e veta etnike, por kur ka takime të këtilla të nivelit ndërkombëtarë zakonisht presioni rritet dhe nuk është asgjë për t`u habitur, sepse presionet e tilla janë të zakonshme. Për këtë ne jemi të vetëdijshëm, por si të bashkuar dhe unik do t`i tejkalojmë edhe këto sfida.

“Presheva Jone”: Mbi Lluçan xhandarmëria serbe ka filluar punimet për ngritjen e një lapidari për të rënët e ushtrisë e policisë serbe që luftën kundër forcave të armatosura të UÇPMB-së. Si i keni pritë këto informata jo të mira për zonat kur dikur i kishit nën kontrollin e ushtrisë çlirimtare shqiptare?

Musliu: Unë nuk e kuptoj një veprim të Daçiqit që të ngrit lapidarë në trojet e huaja, pikërisht aty ku policët dhe ushtarët serbë kanë ardhur si pushtues dhe e kanë humbur betejën nga forcat e UÇPMB-së. Pastaj për ne është provokim edhe ngritja e një lapidari për të rënët e ushtrisë e policisë serbe që luftën kundër forcave të armatosura të UÇPMB-së. Prandaj edhe sot Dacic bënë provokime herë me defilime të xhandarmerisë e herë me kërcënime të heqjeve të përmendoreve. Dacic mund të heq përmendore, por vetëm në Shumadi e assesi jo në Luginën e Preshevës..

Musliu: Ujku i i gjuhet tufës së deleve atëherë kur ato janë pikë e pesë

“Presheva Jone”: Sa janë duke bërë sipas jush partitë politike shqiptare presione tek Beogradi e ndërkombëtarët për të mos ndodhur këto, që po ngjajnë në këto komuna, të cilat kanë mbetur si mos më keq, të zhytur në skamje e presione politike e ekonomike?

Musliu: Si mund të bëjnë presion liderët e partive politike shqiptare kur ata nuk janë të bashkuar për çështje kombëtare dhe mbrojtje të interesave të popullit, por i kanë vënë në rend të parë interesat personale të tyre. Populli i këtyre trevave e ka dhënë kontributin e vetë sa herë që është kërkuar nga ai. Sidomos në zgjedhjet e fundit përkundër formave më të vrazhdët të presionit të xhandarmërisë serbe me qëllimin e vetëm për ta frikësuar popullatën e kësaj ane, që të mos marrin pjesë në zgjedhje, që zgjedhjet të fitohen nga partitë politike serbe. Popullata e shtypur dhe e vuajtur vetëm për të fituar zgjedhjet dhe një kryetar shqiptar sfiduan edhe jetën e tyre me gjitha torturat e ushtruara ndaj tyre, madje edhe para tytave të automatikëve të policisë serbe, i dhanë votën këtyre liderëve shqiptarë.

“Presheva Jone”: Tashmë jemi në valën e manifestimeve rreth shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët e Luginës edhe në jubilar qindvjeçar po e kremtojnë festën e madhe me simbole kombëtare të pa rregulluara me ligj. Deri kur kështu?

Uji Dea

Musliu: Aksepti duhet të orientohet pikërisht te ndërkombëtarët që edhe ne t`i gëzojmë të drejtat tona të cilat na takojnë si të gjithë popujt e tjerë të botës demokratike. Siç jemi dëshmitë, komuniteti ndërkombëtarët ka bërë presin në Beograd duke kërkuar nga Qeveria e Serbisë në platformën e marrëveshjes së Konçulit, që përdorimi i gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare të mundësohen edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por pala serbe më pastaj duke injoruar nuk ka përfillur marrëveshjen dhe unë mendoj që liderët shqiptarë nuk i kanë bërë presion Serbisë dhe konsideroj se ky është shkaku kryesor i ngecjeve të proceseve në favor tonin për shkak liderë tanë të dështuar dhe nuk kanë bërë sa duhet në mbrojtje e interesave të popullit tonë..”

“Presheva Jone”: Në këtë festë madhështore shqiptarët e Luginës nuk janë unik. Ata grinden për një grusht pushtet, të cilin ua servon Beogradi. Sa po punojnë Tirana dhe Prishtina për t’i afruar ata të paktën në këto festa kombëtare?

Musliu: Mosuniteti i liderëve të Luginës së Preshevës kanë ftohur Tiranën dhe dhe Prishtinën për t’u marru me seriozitet me ne

Musliu: Mendoj se Tirana dhe Prishtina janë të interesuara të na ndihmojnë në këtë drejtim, por liderët tanë nuk e shohin që edhe në momentet më të rëndësishme për kombin tonë të jenë unik e të bashkuar dhe të festojmë bashkërisht festat e rëndësishme kombëtare. Prandaj do të thosha e mosuniteti i liderëve të Luginës së Preshevës kanë ftohur dhe zbehur në një masë angazhimin e Tiranës dhe Prishtinës për t’u marrur me seriozitet me ne.

“Presheva Jone”: Në Luginë të Preshevës është mbajtur një Referendum popullor, më 1 e 2 mars 1992, është bërë një luftë, më 2000-2001, është arritur një marrëveshje paqësore në Konçul dhe është nxjerr një platformë politike në Preshevë, përsëri gjendja e shqiptarëve në Luginë mbetet e pandryshuar, apo jo?

Musliu: Po edhe ne jemi dëshmitarë se përkundër të gjitha marrëveshjeve, Referendumit dhe platformës së Konçulit, gjendja ka mbetur e pa ndryshuar në këtë anë. Lufta e djemve tanë dhe gjaku i derdhur është bërë për bashkimin e trojeve shqiptare dhe jo për pasurimin e liderëve politikë dhe për mashtrimin e tyre me një grusht pushtet.

“Presheva Jone”: Ku do ta prisni festën kombëtare?

Musliu: Dëshira ime e flaktë është dhe do të jetë që këtë festë shekullore të kombit tonë ta festojmë së bashku me të gjithë bashkëluftëtarët e mi, dhe kisha dashur që për festën e Flamurit të gjendem në Bujanoc, për arsye se për mua dhe për shokët e mi të luftës, Vlora do të duhej të jetë kësaj here Bujanoci.

“Presheva Jone”: Po sikur të kishin një ftesë nga Vlora e një nga Lugina. Ku do të shkonit më parë për ta festuar këtë datë historike edhe pse e dimë se keni fletarrest në Serbi?

Musliu: Në Bujanoc.

“Presheva Jone”: Keni mbajtur një burg në Kosovë e ju prêt një i ngjashëm në Serbi, ashtu siç po vuajnë dënimin disa prej shokëve tu bashkëluftëtarë të UCPMB-së. Si e vlerësoni fatin e ish ushtarëve të lirisë dhe sapo gjejnë mirëkuptim Kosova për ta rregulluar statusin e tyre kur dihet se nga Beogradi nuk ka asgjë të re veç burgosjeve dhe likuidimit fizik?

Musliu: Edhe në Kosovë edhe në Maqedoni i njëjti fat i keq i ka përcjellë bashkëluftëtarët e mi. Sa i përket burgut që e kam vuajtur ndihem krenar, sepse kam qenë ne burg për popullin tim, si shumë liderë tjerë, shokë të mi gjeneral të cilët tani janë deputet në parlamentin e Kosovës, si Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Rrustem Mustafa, Selim Krasniqi etj. Sa i përket shqiptimit të burgut nga shteti i Serbisë, për këtë nuk shqetësohem fare, sepse prej një pushteti gjenocidial nuk priten veprime më të mira.

“Presheva Jone”: Për fund, cilido është mesazhi, urimi për ketë Nëntor historik z.Musliu ?

Musliu: Apeloj tek të gjithë liderët politikë të Luginës t`i lënë anash interesat personale, të punojnë për interesat e përgjithshme të popullit, sepse për këtë popull dhe për këto troje është derdhur gjak dhe historia do t`i mallkojë. Pasi që jemi në prag të festës kombëtare në 100-vjetorin e pavarësisë unë shfrytëzoj rastin që t’ju urojë të gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e pavarësisë shekullore dhe Ditën e Flamurit Kombëtar./rajonipress/