Fundamenti

Pas përplasjeve me Kurtin, këshilltari i partisë së Shqiprim Arifit kërkon dorëheqjen e tij

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Këshilltari komunal në Preshevë, Argjend Sherifi, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj komune, Shqiprim Arifi.

Ai ka thënë se do të pezullojë pjesëmarrjen në seanca të Kuvendit Komunal (për të shkaktuar mungesë kuorumi) deri në dorëheqjen apo shkarkimin e Arifit nga pozita e kryetarit të komunës.

Në reagimin e tij, Sherifi ka deklaruar se nuk është pajtuar me përplasjet që kryetari Arifi ka pasur me Qeverinë në Kosovë.

“E kam thënë edhe më herët publikisht se si pushtet lokal kemi gabuar dhe do të gabojmë në të ardhmen sepse askush nuk është i pagabueshëm. Por gabimet e të parit të subjektit tonë që është edhe i pari i komunës, nuk justifikohen më”, ka shkruar ai në Facebook.

“E gjithë kjo katrahurë politike për mua ka veç një emër, ai është Shqiprim Arifi. Një njëri të cilin ne të rinjtë ia dhamë mundësinë e artë që të bëhet udhëheqës i një komune, e ulëm në tryeza ku ndoshta nuk do të kishte patur mundësi të ulej asnjëherë në jetë, me ose pa vetëdije e keqpërdori këtë rast duke na kthyer me papërgjegjshmëri të skajshme. Duke menduar se vetë i di të gjitha, duke menduar se ne këshilltaret jemi kukulla, duke i dhënë vetes të drejtë si kryetar komune të fyej burrështetas, edhe më e rënd në rastin tonë sepse bëhet fjalë për burrështetas që e flasin të njëjtën gjuhë”.

UBT

Tutje, Sherifi ka thënë se e ka këshilluar disa herë Arifin “që në fillet e para të zënkës me udhëheqës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por gjithmonë në vesh të shurdhër”.

“Bindja ime politike ndoshta nuk është e njëjtë me z.Kurti, por kush më jep mua të drejtë, apo një kryetari të një komune si kjo e jona të kritikojë e të fyej vazhdimisht një kryeministër shteti?! Nëse kemi prirje vetëm për kritika, atëherë e kemi kryeministren e shtetit ku po jetojmë apo presidentin dhe kemi plotësisht të drejtë të japim ditë/natë kritika, sepse jemi komuniteti më i diskriminuar në Evropë ndoshta edhe më gjerë”.

“Sidoqoftë nuk do ta zgjas më shumë, jam i hapur gjithmonë kudo dhe me këdo të mbrojë arsyet e shëndosha për veprimin tim që po e ndërmarr. Me përgjegjësi të plotë morale dhe me bindje të plotë personale, deklaroj se unë nuk do ta mbështes më me votën time kryetarin aktual të komunës Shqiprim Arifin”, ka shkruar tutje ai.

Dhe për fund, ka thënë se do të vazhdojë të jetë këshilltar i Alternativës për Ndryshim, duke uruar që ky subjekt të vazhdojë të jetë pjesë e skenës politike, “kuptohet pa Shqiprim Arifin, sepse në strukturat e saja ka shumë djem e vajza të reja që ia duan të mirën këtij vendi”. /Telegrafi/