RCCOLA

Mos e fshihni krimin

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Injorimi i dëshmive të ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, nga ana e organeve të drejtësisë rreth skandalit të privatizimit të hotelit “Grand” në Prishtinë, përfundimisht nxjerr në pah rrjetin e madh të “nëntokës” kosovare, i cili në vazhdimësi po e shkatërron shtetin e ndërtuar prej më pak se një dekade.

Ish-zëvendëskryeministri Pacolli po këmbëngul se procesi i privatizimit të hotelit më të madh në Kosovë dështoi qëllimisht, pasi që ky nuk pranoi t’u japë ryshfet prej miliona euro sekserëve të lidhur ngushtë më politikën.

Mirëpo, çuditërisht për këtë çështje Prokuroria ka mbyllur hetimet në heshtje, edhe pse dëmet që janë shkaktuar nga ky proces janë shumë të mëdha, kur dihet se kompania “Mabetex”, e cila i ka paguar paratë për hotelin “Grand”, selinë qendrore e ka në Zvicër.

Implikimi direkt i politikës ka bërë që hoteli gati për një dekadë të mbetet thuajse krejtësisht jashtë funksionit, apo në dorë të keqpërdoruesve të ndryshme pa asnjë kontroll.

Interesat e ngushta të personave të caktuar dështuan qëllimisht edhe procesin e privatizimit të fabrikës së përpunimit të llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, si pasojë e të cilit qindra punëtorë kanë mbetur pa punë e pa marrë pagat së paku në vitin e fundit.

Edhe këtu ish-zyrtarë të lartë tentuan të bëhen pronarë pa dhënë asnjë cent, por përpjekjet e tyre dështuan në këtë rast karshi investitorëve ndërkombëtarë që nuk pranuan të bëjnë një gjë të tillë.

Situatë e rëndë po ashtu edhe në rastin e privatizimit të podrumit të vreshtave në Suharekë. Qindra punëtorë të kësaj ndërmarrje, për muaj të tërë kanë qëndruar në shi e në të ftoftë, duke kërkuar drejtësi në rastin e privatizimit, por edhe në këtë rast ajo ka munguar dhe po mungon

Mobi Casa

Një dosje prej mbi 2000 faqesh e dorëzuar në Prokurori nga ish-punëtorët e kësaj ndërmarrje për Ahmet Shalën, sipas gjitha gjasave është mbuluar nga pluhuri, sepse së paku deri më tash organet e drejtësisë nuk kanë treguar gatishmëri për ta zbardhur atë, madje për një kohë Qeveria e rehatoi Shalën edhe si ambasador të Republikës së Kosovës në Japoni.

Shala para pak kohësh dha dorëheqje nga pozita që ka mbajtur dhe iu rikthye punës si profesor në disa universitete të Amerikës. Shala në vazhdimësi është konsideruar si notues i mirë, pasi që përkundër problemeve që i ka sjellë vendit, ai asnjëherë, së paku deri më tash, nuk është përballur me organet e drejtësisë.

Privatizimi në Kosovë ka qenë shumë i dhimbshëm për dhjetëra mijëra punëtorë, të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës, por edhe për vetë shtetin që si pasojë e dështimit të tij rastet sociale u rritën në vazhdimësi.

Privatizimi në Kosovë është rast unik në gjithë rastet e mëparshme, pasi që pronarët e rinj në të shumtën e rasteve shkatërruan qëllimisht ato, dhe në vend të tyre ngritën komplekse banesore, apo edhe qendra tregtare, e jo zhvillim ekonomik e vende të reja pune, siç ishte proklamuar në fillim nga ideatorët.

Ahmet Shala, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), përfundimisht duhet të kthehet në Kosovë dhe të japë llogari për procesin e dështuar të privatizimit, pasi që tashmë në shumicën e denoncimeve që janë bërë nga palë të ndryshme, ai konsiderohet si njëri nga protagonistët kryesorë të manipulimit të këtij procesi.

Andaj organet e drejtësisë duhet të zgjohen nga “gjumi”, sepse heshtja apo fshehja e një krimi, me apo pa dashje, i bën pjesë të përbashkët të grupit kriminal.