UBT

Mësimet nga Kosova për krizën e refugjatëve

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Nga Augustin Palokaj – Vala e refugjatëve kosovarë u ndal dhe drejtimi i saj u kthye vetëm pasi u ndal lufta në vitin 1999. Shumica e atyre që ikën nga Kosova ikën vetëm për shkak të luftës. Prandaj ata vendosën të qëndronin kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, sepse ishin të bindur që NATO-ja do të fitonte, pushteti i Milosheviqit do të humbte dhe ata do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Shpresa nuk i la të largoheshin shumë nga vendi i tyre. Por këtë shpresë e humbën 15 vjet më vonë, prandaj tash duan të largohen po aq sa edhe ata që ikin nga lufta. Ky është një mësim që duhet ta ketë parasysh bashkësia ndërkombëtare kur merret me krizën e refugjatëve nga Siria.

Bashkimi Evropian po përballet me krizën më të madhe të refugjatëve në historinë e tij. Kështu së paku thonë liderët e sotëm të BE-së, të cilët e kanë të vështirë të gjejnë fuqinë që i nevojitet një lideri për të marrë vendime të rënda. E vetmja që ka dalë qartë në krye të detyrës është kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka thënë se do t’i mirëpresë ata që kanë nevojë për strehim. Të tjerët ose rreshtohen rreth saj dhe thirrjeve për një përgjigje gjithëpërfshirëse evropiane ndaj kësaj krize, ose rreshtohen kundër saj, duke e kritikuar dhe fajësuar se me qëndrimin e saj e ka bërë problemin edhe më të madh, sepse deklaratat e saj kanë qenë motiv që edhe më shumë sirianë, irakianë dhe të tjerë të nisen rrugës drejt BE-së.

Por kjo nuk është hera e parë që BE-ja përballet me një problem të tillë. E njëjta gjë ndodhi gjatë luftës në territorin e ish-Jugosllavisë. Në fillim vinin refugjatë nga Bosnjë-Hercegovina e më vonë edhe nga Kosova. Nga Bosnjë-Hercegovina njerëzit iknin nga lufta, ndërsa nga Kosova qindra e mijëra të rinj shqiptarë iknin për të mos shkuar në ushtrinë e Milosheviqit për të luftuar kundër kroatëve dhe boshnjakëve. Iknin edhe shumë njerëz nga persekutimi dhe aparteidi, që ishin instaluar në Kosovë nga regjimi i Serbisë. Nëse kemi parasysh se BE-ja atëherë ka pasur vetëm 12 shtete anëtare, vala e refugjatëve nga Ballkani për nga shifrat mund të ketë qenë ndoshta edhe më e madhe se ajo e sotme.

Ishte pikërisht vala e madhe e refugjatëve që vinin në vendet e BE-së arsyeja që i shtyri këto vende që konfliktin në ish-Jugosllavi ta kuptonin edhe si problem të tyre e jo vetëm si një “luftë mes popujve të egër të Ballkanit” me të cilën nuk donin të kishin punë. Me ardhjen e numrit të madh të refugjatëve, ky problem “i jashtëm” u bë edhe problem i brendshëm evropian. Prandaj Evropa fillimisht në mesin e viteve nëntëdhjetë në Bosnjë-Hercegovinë e më vonë edhe në fund në Kosovë iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërhyrë ushtarakisht për t’i dhënë fund luftës, pastrimit etnik. Fundi i luftës, së pari në Bosnjë-Hercegovinë e pastaj edhe në Kosovë, ndali edhe valët e refugjatëve. Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës më pak e në atë të Kosovës më shumë. Kjo edhe rezultoi me kthimin nga Perëndimi edhe të shumë refugjatëve që kishin ikur nga lufta. Në disa raste kishte edhe kthime vullnetare nga disa shtete të Perëndimit, të cilat edhe dhanë ndihma për të kthyerit në mënyrë që të integroheshin përsëri në vendin e tyre që sapo kishte dalë nga lufta.

Vala e refugjatëve kosovarë u ndal dhe drejtimi i saj u kthye vetëm pasi u ndal lufta në vitin 1999. Shumica e atyre që ikën nga Kosova ikën vetëm për shkak të luftës. Prandaj ata vendosën të qëndronin kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, sepse ishin të bindur që NATO-ja do të fitonte, pushteti i Milosheviqit do të humbte dhe ata do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Shpresa nuk i la të largoheshin shumë nga vendi i tyre. Por këtë shpresë e humbën 15 vjet më vonë, prandaj tash duan të largohen po aq sa edhe ata që ikin nga lufta. Ky është një mësim që duhet ta ketë parasysh bashkësia ndërkombëtare kur merret me krizën e refugjatëve nga Siria.

Uji Dea

Sot sirianët nuk kanë më shpresë se lufta në vendin e tyre do të ndalet. Bashkësia ndërkombëtare nuk u jep më shpresë, sepse e pranon se konflikti atje do të zgjatë. Ata ikin nga regjimi diktatorial i Asadit, por edhe nga terrorizimi i të ashtuquajturit Shteti Islamik. Në anën tjetër, konflikti që ka zgjatur kaq shumë e ka shkatërruar tej mase këtë shtet dhe, edhe kur të ndalet konflikti, do të duhen shumë e shumë vjet që në atë vend të kthehet normaliteti. Shumë familje nuk shohin më të ardhme për fëmijët e tyre në atë vend, e atyre nuk mund t’u ofrojnë as sigurinë më të vogël, prandaj edhe marrin rrezikun e madh për të ikur. Shumica e atyre që do të vijnë në Evropë nuk do të kthehen kurrë më. Fëmijët e tyre do të rriten në një shoqëri liberale, do të mësojnë në shkollat më të mira të botës, do të kenë një mirëqenie si të gjithë qytetarët e Evropës. Pikërisht ashtu siç e kanë jetën sot qindra e mijëra evropianë me prejardhje nga Kosova, apo kosovarë me banim në shtetet e BE-së, të cilët, sikur sot sirianët, kishin ardhur në Evropë para 20 vjetësh.

Kur shohim dhjetëra e mijëra refugjatë që vijnë në BE përmes Maqedonisë e Serbisë, sado të vuajtur që duken, mund të themi se atyre do t’u shpërblehet sakrifica. Do të kenë jetë më të mirë. Prandaj ata më nuk duhet parë si viktima, por si njerëz që kanë shpëtuar. Viktima janë ata që kanë mbetur në Siri, Irak dhe pjesë të tjera të botës, ku mund t’iu hiqet koka me shpatë vetëm për një këngë apo për shikimin e një ndeshjeje të futbollit.

Evropa thotë se do ti hapë dyert vetëm për ata që janë refugjatë të sinqertë. Në këtë rast janë sirianët, irakianët dhe shtetasit e Eritresë, sikurse në fund të viteve nëntëdhjetë ishin kosovarët. Të tjerët do të konsiderohen si “emigrant ekonomikë” dhe ata do të kthehen në vendet nga kanë ardhur, përfshirë edhe kosovarët. Por sikur në atë kohë që shumë njerëz nga vendet e tjera paraqiteshin si kosovarë për të fituar strehim në BE, ashtu edhe sot shumë prej tyre paraqiten si sirianë. Nuk ka ndryshuar shumë, dhe metodat e kontrabandistëve dhe të mashtruesve janë të njëjta. Në vitet nëntëdhjetë kishte shtetas të Shqipërisë, romë nga Rumania dhe të tjerë që paraqiteshin si kosovarë. Sot në mesin e refugjatëve që vijnë ka shumë që paraqiten si sirianë, edhe pse nuk janë. Këto gjëra nuk mund të parandalohen, sepse do të ndodhin gjithmonë. Njerëzit do të ikin nga konflikti, do të ikin nga persekutimi, do të ikin nga frika, por do të ikin edhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Ajo që mund të mësohet nga rasti i Kosovës është se vetëm ndërhyrja e vendosur për të ndalur konfliktin mund të ndalë valën e madhe të refugjatëve dhe ta rikthejë atë në kahun e kundërt. Por, po ashtu shembulli i Kosovës mëson se në vendet pas konfliktit duhet punuar më shumë për të krijuar kushte normale për jetë, në mënyrë që njerëzit pas disa vjetësh të mos ikin përsëri, sepse shpresat e tyre nga koha e luftës janë shuar përfundimisht dhe tash duan të ikin nga realiteti në vendit e tyre e jo nga frika.

http://koha.net/?id=31&o=890