Eko Higjiena

Poshtë Josip Broz Tito, të na rrojë shoku Lumir Abdixhiku!

/ 5 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Çfarë Kuvendi, çfarë leshvendi: Ka kohë që që LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku e paskan zbuluar një “Rrugë të Re” për ta shpëtuar Kosovën. Nga kush, nuk e kam të qartë. Filluan pregatitjet në terren përkatësisht spastrimi i terrenit nga kuadrot që e themeluan LDK-në dhe për të cilën ishin në gjendje të japin jetën.

Sidomos spastrimi ishte theksuar në rajonin e Llapit e që garanton se edhe për një kohë të gjatë LDK-ja do të mbetet në opozitë në këtë rajon me shumë votues.

Kryetari aktual i degës së LDK-së në Besianë mund të jetë profesionist në fushën e onkologjisë por se është nën nivelin e amaterit në fushën e politikës prandaj me lehtësi ka eliminuar “të moçmit” e LDK-së sikur edhe të rinjtë që kanë fituar shumë më tepër vota se këta që i ka futur në Këshillin e Përgjithshëm.

E bërë diagnozën krejtësisht të gabuar, “pleqtë” sikur edhe të rinjtë shumë të votuar i konsideroi metastaza malinje prandaj i eliminoi kurse të dëgjueshmit dhe ata që nuk kanë asnjë ndikim po i trajton si diçka benine, të parrezikshëm për postin e tij!

Vetëm nëse pranon vullnetarisht të bëhet patericë e partisë fituese e të bëhet pjesë e pushtetit. Të qenit patericë në të kaluarën, të jeni edhe sot sikur që të jeni besnik dhe premtues se këtë rol do ta luani edhe në të ardhmën nuk paraqet asnjë problem për LDK-në, janë të rrahur me vaj dhe me uthull për këtë. Pas Kuvendit “Zgjedhor” të LDK-së po del se LVV-ja është Akademi Demokratike për këtë parti të krijuar, lindur dhe mirëmbajtur që nga koha e Rrahman Morinës, patriotit të madh jugosllav dhe serb. Edhe tash do mbetje anale politike dhe “kombëtare” nga Amerika fuqishëm e përkrahin KM e Kosovës, Albin Kurtin, Vojsa Osmanin, presidente, Glok bin Sherifin dhe të tjerët që, nëse ua përmendi emrat vetëm se do t’i lartësojë.

Nuk kam asnjë disponim ta luaj rolin e alkimistit dhe t’i shndërrojë plehrat injorantë në të ditur dhe vlera morale dhe kombëtare. I tërë Kuvendi “zgjedhor” ishte me ngjyrën blu, parti e aristokratëve që e kanë gjakun blu dhe jo si vdekatarët e rëndomtë që e kanë, ose të kuq ose të zbehtë shkaku se janë mirëushqyer në regjimin e Albin Kurtit. Kandidati i “Gjeniut të Vogël, Rrencit dhe Mashtruesit të Madh kosovar – Besnik Bislimi”, i afërmi i tij personal dhe familjar, Faton Bislimi u gijotinua para se të fillojë procesi i votimit, as që hyri si kandidat.

RCCOLA

Realisht, Faton Bislimi do ta kishte vetëm një votë (vota e tij personale) dhe nuk e kam të qartë pse nuk e lejuan që të kandidojë?! Së paku do i hedhnin një lugë demokracie në gjellën e pregatitur më parë nga kuzhinierët e moçm të LDK-së që i kanë mbijetuar çdo regjimi, çdo sistemi dhe çdo kryetari. Kameleonë të gërdirshëm të shndërruar në luaj të tredhur! Vet Lumir Abdixhiku është dashur të insistojë që Faton Bislimi të hyjë në garë për kryetar, përkatësisht për nënkryetar të parë të LDK-së, post që në Kuvendin e fundit e fitoi Abdixhiku që do ta zëvendësojë Vojsa Osmani (kryetare e vërtetë e LDK-së) deri në kohën kur ta përfundojë mandatin se e deleguar në këtë post nga Albin Kurti.

Kam shkruar më parë se Lumir Abdixhiku rri cuc para Vojsa Osmanit ndërkaq, pas këtij Kuvendi do i rri “puzeqi” – barkas – zhag kryetares së vërtetë të LDK-së. Tash, besoj se edhe opozita (PDK dhe AAK) e kanë të qartë pse LDK-ja nuk ka dhënë edhe as një votë të vetme që Vojsa Osmani të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe se pse me votat e LDK-së u votua për presidente të Kosovës. Lumiri e sulmonte fort dhe ashpër KM e Kosovës, Albin Kurti në seanca për të shkuar pastaj në zyre të Zeuses së LDK-së duke analizuar efektet e arritura jo që e dëmtojnë Albinin por që e forcojnë.

Mënyra e “zgjedhjes” së Lumir Abdixhikut për Nënkryetar të Parë të LDK-së nuk dallon aspak nga mënyra si zgjidhej Josip Broz Tito në Jugosllavi dhe Enver Hoxha në Shqipëri. Ideologjikisht Lumiri është më i afërt me shkollën titiste nëse kemi parasysh pedigrenë partiake sikur që Albini lirisht mund ta këndojë këngën “Enver Hoxha, t’u ngjatë jeta …”. Nuk është këngë aspak e keqe. Nuk është si Litijumi i Nirvanës dhe Kurt Kobejnit ama është shqip.

Albini e mahniti tërë botën kur e krahasoi Litijumun e Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit me Litijumin e nirvanës dhe Kurt Kobejnit. Kanë kaluar kohërat kur trashëgimia kulturore dhe muzikore shpërndahej nëpër botë me vallen e Mimoza Kularit para demokratit të madhe, Gadafit. Ka kaluar koha kur shqiptari është identifikuar me lëngë dhe hirrë, tash ekstazinë e kanë modus vivendi.

Pas Kuvendit të fundit “zgjedhor” të LDK-së ku Lumir Abdixhiku e paraqiti “Rrugën e Re” për ta shpëtuar Kosovën, më duket i pashmangshëm, i pakundërshtueshëm, i logjikshëm dhe i domosdoshëm një bashkim i forcave politike dhe parapolitike të LDK-së dhe LVV-së. Po ku do të ishte pikëtakimi i këtij bashkimi?! Mendoj se nuk mund të ndodhë diçka tjetër përveç që “Rruga e Re” të ngjizet me LVV-në në “Urën e Staradranit”. Çfarë fundi romantik!