Me rastin e 70 vjetorit të lindjes
Ibrahim KADRIU – POLTRONA, Ose: Vjedhjet rrugëve për të zënë rrugët, jeta në ngërç
Në shikim të parë krejt e thjeshtë
hapësirës ia rrit namin
Me dashuritë e shprehura për të
Deri në thyerje shpatash,
Përballë maten hijet
Dhe diçka e ethshme
Depërton gjer në palcë
Desh thuaj në zemër
Lëshon spirancat për ta përvetësuar
Deri në amshim
Atë për të cilën çdo gjë shkelet
E humbet edhe shikimi
Edhe fjalët mbesin peng
Fjalët e dashurive
të shprehura për të
Domethënë për poltronën
Për famën e saj derisa qëndron
Me mbështetëse të fortë
Me shtrojë të butë
Dhe pret prapanicën me famë
Që vjen triumfalisht dhe rehatohet
Aty ku gjunjët thyhen
Ku fjalët duan t’bëhen mençuri
Ku gishti e grushti flasin
Gjuhën e ardhur rishtas
Për dëshmi të prapanicës
Të rehatuar shtetësish
Eu ç’mu zu pisk kujtesa
durimi ra në gjunjë
Para fjalëve që do vijnë hapur
Derisa shfaqet egoja
E të gjithëve si luftëtarë
Për pushtimin e kalasë
Me emrin e thjeshtë kolltuk
Që karaktere zhduk
Dhe pret defiletë e kokave
Për të mbetur vetëm një
Një prapanicë e devotshme
Me kurorë fituesi
Që arrin pas të gjitha goditjeve
Me gjithë logjistikën e organizuar
Me armatim gojor deri te tomohovka
Për pushtim e çlirim
Zonjën prapanicë
Karrigen e zbritur nga qielli
Me njëmijë reflekse
Për t’i dhënë biografisë shkëlqim
Atë që nuk e kishte kurrë
As do ta merrte kurrë
Se s’blihet me lekë
Ajo rri mbi themele tjera.
Krejt në emër të popullit.
Fusha e mejdanit e hapur
Thyhen shpatat për të rënë kokat
E tëra e shndërruar në betejë
Kalorës me kuaj të çalë
Të vjedhur rrugëve për të zënë rrugët
Ato që ishin të dëshiruara
Të shtruara herë me lot herë me gjak
E të shndërruara në fyt lak
Për hatër të prapanicës
Që do të rehatohet qetësisht.
Me fotot për pajtim të shikimit
Me mbajtjen e nofkës krekacor
Veç për të qenë i parë…
NË KËTË KOHË TË VONUAR
Në këtë kohë të pa kohë
Se si më erdhi dhuratë shikimi,
Vetmi shpirtit s’i mbet trohë,
Derisa u bëra pronar kujtimi.
Edhe kështu ia vlen jeta
Kur pulsi rrah në një adresë,
Kur me ditën i lumturuar mbeta
I shndërruar në flakë dhe shpresë.
***
Në këtë kohë të kohës sime
dyert i hapa durimin flaka;
Ashtu thjeshtë pa frustrime,
Në vetmi më rrëmbeu vapa…
Aty ku jam vazhdoj të mbetem
Me bagazh të mbushur ndjesie,
Përpiqem i qetë të mos tretem –
Për të jetuar tutje veç si hije.
Në këtë çast lakmoj t’ jem urë
Me harqe zemre në pritje..,
Dhe urrej t’ngritët ndonjë mur
Që do më shtynin drejt në ikje…
Ishin do ndjenja që pushtuan
Zezona ngjalli aty për aty,
Menjëherë çastet u krekëzuan
Asaj ndjenje çmendurie i vura dry
E FSHEHUR
Letër e ndrydhur e historisë
E tretur erërash – e shqyer
Copë-copë e bërë për vaje
Rrugëve të gjata të pashtruara
Të mbuluara me gurë, ferra e pleh
Me përmbajtje të lënduar
Si jetë e luftëtarëve
Të mbetur në pikëpresë
Pa fjalën e fundit
Lënë amanet historisë
Domethënë në mëshirën e rrenës
Letër e ndrydhur e historisë
AI RRUGËTIM I GJATË
(Për Mjedën)
Më gjete gatitu pranë kohës sate;
Ma zgjate dorën të më merrje pas,
Të arrija ku forcën e mendjes pate,
Me gjuhën tënde – vetvetes t’i flas…
Të gjeta mes faqeve librash n’vitrinë,
Ishe i tëri, siç dëshirove t’ecje n’ jetë;
Me gjurmë ofshamash në çdo stinë –
Derisa i shtroje rrugët – duke u tretë.
Provova të arrija gjithandej kah ishe.
Largësitë t’i mora të tëra si udhëkryqe,
Me gjithë erupsionin që n’ vete kishe
Për t’i dhënë kuptim asaj kohe qyqe…
Shëtita në shumë vende andej-këndej
Kah frymoje mençur me shkronja e punë,
Rrugët që i kishe ndry – thashë t’i rrëfej-
Duke hyrë e mbetur nën tënden gunë…
Ai rrugëtim i gjatë që të mbajti gjallë,
Në mbëltim të jetës me vargje e durim,
Duke arritur largësitë që i kishe mall…
I dëshiroje kombit mirëqenie dhe shpëtim.
…
( Poezitë, si krijime më të reja të shkrimtarit, publikohen për herë të parë )


