Mobi Casa

Maliqi: PDK do ta humbë primatin e forcës kryesore politike

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Analisti i zgjedhjeve dhe këshilltari i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Shkelzën Maliqi thotë se në zgjedhjet e 3 nëntorit mund të shihet se në balancën e forcave që ka mbizotëruar në gjashtë vitet e fundit ka lëvizje dhe çarje që mund të sjellin rikonfigurimin e formulës së qeverisjes së Kosovës.

“Nuk e dimë ende sa është e thellë çarja në PDK, përkatësisht sa do të ndikojë largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, por supozoj se tendenca minimale është që PDK-ja do ta humbë përparësinë prej 6 deri 8 % që e ka pas ndaj LDK-së, duke rënë te barazimi në përkrahje, ose edhe duke e nxjerrë sërish LDK-në si parti më të madhe në vend. Vetëm se 3 nëntorido të jetë test e jo beteja kryesore për rikonfigurim. Për këtë duhet pritur zgjedhjet nacionale vitin tjetër”, ka thënë Maliqi në një intervistë pët ExpressOnline.

I pyetur për garën në kryeqytet, Maliqi nuk beson se LDK-ja do ta humbë Prishtinën, edhe pse këtë e ka merituar, sipas tij.

“E ka merituar për shkak të devastimit të kryeqytetit të cilit po i bëhen disa rregullime kozmetike në qendër, ndërkaq që si tërësi vuan nga kaosi urbanistik dhe menaxhimi aspak “metropolitan”, të cilin e pretendonte Isa Mustafa. PDK-ja e ka përzgjedhur një kundërkandidat të fortë për Isa Mustafën, gjeneralin dhe ish kryeministrin Agim Çeku, që dikur ka qenë personaliteti më i popullarizuar në Kosovë, por kjo përzgjedhje ka ardhur vonë…”, ka thënë ai.

Eco Higjiena

Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, Maliqi thotë se në këtë parti nuk janë problem kandidatët, por mënyra se si Vetëvendosja e ka bërë transformimin jo të plotë nga lëvizja aktiviste në parti politike.

Duke dashur që të jetë edhe lëvizje edhe parti politike, Vetëvendosja ka shkuar në drejtimin as, as… as lëvizje, as parti, kështu që aksionet në rrugë dhe opozitarizmi i saj sa ka qenë atraktivë për disa shtresa shoqërore të pakënaqura, po ka qenë po aq frikësuese për shtresat që kanë pas simpati për idetë dhe synimet, por jo edhe për metodat e këtij subjekti. Një gabim i Vetëvendosjes ka qenë ndjekja e zhvillimeve politike nga mbrapsht, nga e kaluara, duke alarmuar se Kosova po ecën gabimisht nga Rambujea e deri te marrëveshja e fundit me Serbinë.

Albin Kurti ka humbur shumë energji për ta ndalur trenin historik që sipas tij është futur binareve të gabuara, duke mos pasur fuqi reale që atë tren ta ndalojë ose ta kthej në binaret e vizionit të tij. Gabimi i dytë ka qenë bërja e opozitës faktorëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe BE-së, ku Albin Kurti i jepte
leksione përfaqësuesve të Amerikës në Kosovë, duke thënë se ai është më amerikan se këta përfaqësues!

Dhe gabimi më fatal ka qenë edhe vetë konceptimi i kryefjalës së kësaj lëvizjeje, pra të “vetëvendosjes” që Albini me shokët e kuptojnë si një zgjidhje pothuajse mitologjike të çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare, ku vetëvendosja do të duhej të ndodhte dhe të jetësohet ashtu sikur që në mitologjinë greke hyjnesha Athena lind me atributet dhe fuqitë e saja sovrane, duke përfshirë edhe helmetën dhe armët e saja, direkt dhe komplet nga koka e Zeusit! Vetëvendosja është akt dhe proces politik i cili realizohet gradualisht, me faza, rrugës dhe binareve që po ecën realisht Kosova, dhe jo nga koka e Albinit, si e tëra në fillim, ka thënë Maliqi.