RCCOLA

Mafio-politikanët stërpasurohen, populli varfërohet

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Oligarkia kriminale dirigjon edhe sistemin ligjor

“Në këtë martesë mafi politike- oligarki kriminale me të madhe po lulëzojnë krimi dhe korrupsioni, të cilët janë burime të leverdishme të tyre. Sa më e thellë që bëhet varfëria e qytetarëve të Kosovës, aq më e madhe bëhet pasuria e oligarkisë kriminale. Sa më tepër që po zbehet shpresa e qytetarëve për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë, aq më e fortë po bëhet kapja e pushtetit nga mafia e politikës”, ka thënë analisti politik, Ymret Reshiti, për “Kosova Sot”

Kapja e shtetit nga mafio-oligarkia politike-kriminale dhe mosndëshkimi nga drejtësia e tejpolitizuar dhe e tejkorruptuar, kanë bërë që krimi i organizuar dhe korrupsioni të shndërrohen në kulturë sistemore ditore, të instaluar qëllimisht e ” legalisht”. Kjo po ndodh ngase kudo institucionet e shtetit janë kapur nga mafio-oligarkët e bizneseve të inkriminuara, të lidhura me pushtetarët e korruptuar që qeverisin në qeveritë komunale dhe në qeverinë qendrore në Kosovë në të tri pushtetet. Analistët vlerësojnë se këtë shtet të fituar me shumë mund e falimentuan pikërisht kjo klasë politike kriminale e pasluftës, duke përfshirë të gjitha partitë politike, pa asnjë dallim. Analisti politik Ymret Reshiti për “Kosova Sot” tha se shteti është i kapur nga mafia e politikës dhe tashmë është fakt i ditur botërisht.”Këtë mafi të politikës në kapjen e segmenteve të shtetit e ka ndihmuar oligarkia kriminale, e cila ka financuar gjithë projektin për kapjen e shtetit të Kosovës. Fatkeqësisht sektorët kryesorë të shtetit të Kosovës janë nën kthetrat e mafisë politike. Këta janë sektori i Prokurorisë dhe Gjyqësisë së Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Në duart e mafisë
Sipas Reshitit, moszbatimi i ligjit dhe drejtësisë ka bërë që Kosova të shndërrohet në shtet ku ka korrupsion krim të organizuar, mjerim social, pasiguri, monopol në ekonomi dhe mungesë perspektive për jetesë. “Qëllimi i kapjes së shtetit është pasurimi, të cilin mafisë politike dhe oligarkisë kriminale ia sjell pushteti. Duke përdorur pushtetin, mafia politike kontrollon çdo aktivitet në Kosovë, duke diktuar edhe kushtet preferenciale në ekonominë e vendit, me qëllim të krijimit të milionave në pronësi të tyre”, vijoi më tej Reshiti. Sipas tij, gjersa mafia politike pushtetin e kontrollon përmes zyrtarëve publikë që i ka rekrutuar në sektorin publik-pushtet, ekonominë e Kosovës mafia politike ia beson që ta kontrollon oligarkia, të cilëve u jep të drejtën e operimit ekonomik në tërë hapësirat e shtetit, pa i shqetësuar askush.”Në këtë martesë mafi politike- oligarki kriminale me të madhe po lulëzojnë krimi dhe korrupsioni, të cilët janë burime të leverdishme të tyre. Sa më e thellë që bëhet varfëria e qytetarëve të Kosovës, aq më e madhe po bëhet pasuria e oligarkisë kriminale. Sa më tepër që po zbehet shpresa e qytetarëve për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë, aq më e fortë po bëhet kapja e pushtetit nga mafia e politikës”, ka thënë Reshiti.

POLITIKANËT ABUZUES TË KUNDËRSHTOHEN
“Sipas një përkufizimi të vjetër, shteti i së drejtës është një sistem institucional, në të cilin fuqia publike i nënshtrohet së drejtës. Ai bazohet në parimin thelbësor të respektimit të ligjit, secili i nënshtrohet së njëjtës së drejtë, qoftë ky individ apo pushtet publik. Pra, në një rast të veçantë mund të kundërshtohen veprimet e shtetit ose të një drejtuesi politik, nëse ato konsiderohen jo në përputhje me ligjin”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot

Uji Dea

BRAKTISJA SI SHPËTIM
“Qytetarët e Kosovës, të gjendur në mes të varfërisë ekonomike dhe mungesës së vëmendjes shtetit, si zgjidhje të tyre ata po e shohin braktisjen e vendit dhe kërkimin e fatit në shtetet tjera. Zbrazja e Kosovës më shumë se armiqtë e shtetit të Kosovës po e gëzon mafinë e politikës që po udhëheq shtetin dhe oligarkinë kriminale që po zhvat popullin”, vlerëson analisti Reshiti. Sipas tij, dëshira e kamotshme për evolucion të meritokracisë në shtetin e Kosovës po zbehet gradualisht dhe po shndërrohet në kërkesë jetike për revolucion të votës për një klasë të re politike kredibile që ka krejt vëmendjen politika ndaj popullit

Humbja e kredibilitetit shtetëror
Analisti politik Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se qasja e çdo subjekti politik me përjashtim të disa subjekteve tjera ka qenë kundërshtetërore, ka qenë skajshmërisht e orientuar drejt materializmit, drejt humbjes së kredibilitetit shtetëror. “Vendi po hyn në dekadën e dytë dhe në pikëpamje universale, ka stagnim sistematik, stagnim të mirëmenaxhuar. Kjo metodologji rëndë e ka sabotuar zhvillimin e mirë dhe përderisa është aktuale kjo qasje vendi aspak s’mund të ketë mundësi prosperuese”, u shpreh ai.”Këtu vendi për të pasur qeverisje me orientim qytetar duhet skena politike të ndryshojë rrënjësisht, duke nënkuptuar njerëz të rinj, profesionalizëm adekuat dhe qasje tamam më orientim nacional”, vijoi më tej Haziri. Ndërsa analisti politik, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se shteti i së drejtës është shumë i lidhur me respektimin e hierarkisë së normave ligjore, ndarjen e pushteteve, barazinë e subjekteve të së drejtës para normave juridike, ekzistencën e juridiksioneve të pavarura dhe garantimin e të drejtave civile dhe politike të individëve.”Përkufizimi i shtetit të së drejtës ndryshon sipas autorëve dhe epokave të cilit i përshtaten sipas subjektit apo klanit ku e shkelin me dy këmbët nga oligarkët të mbushur me militantë dhe familjarë partiakë. Shteti i së drejtës është para së gjithash një model teorik i organizimit të sistemeve politike. Ai është bërë një temë themelore e politikës meqenëse, konsiderohet si një nga karakteristikat kryesore të regjimit demokratik, por nuk është detyrimisht një regjim demokratik”, u shpreh më tej ai.

Pushtetarët e çojnë shtetin drejt falimentimit
Qytetarët tanë janë të indinjuar me pushtetarët tanë të pasluftës nga të gjitha partitë politike. Kësisoj, qytetari Musli Abazi, avokat nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, tha se ndoshta është herët që të thuhet se është falimentim i shtetit, por një gjë dihet qartë se pushtetarët tanë po e çojnë Kosovën drejt rrugës falimentuese, apo më mirë me thënë po e çojnë drejt zhbërjes. “Ndonëse si dihet botërisht ky shtet është bërë me shumë mund dhe me sakrifica, shteti ynë falë veprimeve të papërgjegjshme të pushtetarëve tanë të pasluftës Kosova po shkon drejt falimentimit, apo më mirë thënë drejt zhbërjes, ngase kemi veprime të papërgjegjshme që nga fundi i luftës, veprime këto që shkojnë vetëm në dëm të këtij shteti dhe që të gjitha bëhen vetëm e vetëm për interesa të ngushta meskine të pushtetarëve e të afërmve të tyre familjarë, por edhe të militantëve partiakë”, u shpreh ai.”Edhe po shtrohet çështja se si të shpëtohet ky vend. Prandaj, jam i mendimit se kjo bëhet vetëm duke i zgjedhur njerëzit e duhur në vendin e duhur. Prandaj, Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politike, por është një problem se ku t’i gjejmë ata politikanë të pakorruptuar”, vlerësoi Abazi. Ndërsa qytetari tjetër, nga Prishtina, Nebih Begolli, për “Kosova Sot” tha se shteti ynë ka ardhur buzë falimentimit dhe gjendet në prag të greminës.”Për këtë situatë të brishtë fajtorë janë pushtetarët tanë. Ndaj si qytetar më edhe nuk po di se çfarë të them, ngase thënë të drejtën edhe si qytetarë kemi rënë në një amulli të plotë”, theksoi ai. Sipas tij, qytetarët tanë duhet që të jenë shumë më aktivë.

(Kosova Sot)