RCCOLA

“Luftimi” i korrupsionit zyrtar ndaj personave jozyrtarë, huqjet e prokurorisë dhe gjykatës

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Luftimi i korrupsionit, mbetet një retorikë e përsëritur ndër vite. Se si po luftohet korrupsioni, dëshmohet edhe përmes rasteve kur prokurorët nuk i dallojnë cilësitë e personave, të cilët akuzohen

Sipas praktikës gjyqësore, rezulton se prokurorët ia huqin aq shumë, saqë ngrisin aktakuza për vepra penale të korrupsionit zyrtar ndaj personave jozyrtarë. Kjo ndodhë, pavarësisht se sipas legjislacionit në fuqi qartësohen cilësitë e personave që mund të akuzohen, sidomos me Kodin e Ri Penal të 2019-ës.

Veç kësaj, këto aktakuza në disa raste i kalojnë edhe filtrat e gjykatës, çka dëshmon se këto lëshime kalojnë edhe në gjykata.

Kjo mënyrë e trajtimit, bën që në shumë raste personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale t’i “shpëtojnë drejtësisë”, pasi cilësimi i gabuar i veprës penale, bënë që ndaj tyre të hudhet akuza ose në disa raste, pas ricilësimit, ndjekja e veprës penale për të cilën dyshohen, të ketë arritur afatin e parashkrimit të ndjekjes.

Institutit i Kosovës për Drejtësi dhe “Betimit për Drejtësi” gjatë monitorimit dhe raportimit për rastet e korrupsionit, kanë hasur në raste të tilla, kur Prokuroria ka ngritur aktakuza ndaj personave të caktuar në cilësinë e personit zyrtar pa qenë të tillë. Në këto raste, ata gjatë gjithë procesit janë gjykuar si të tillë, dhe tek në fund të gjykimit është ri-cilësuar vepra penale, e cila edhe kishte arritur parashkrimin, teksa në një rast tjetër, është liruar nga akuza me arsyetimin se nuk e kishte cilësinë e personit zyrtar.

Deri te parashkrimi i rasteve të tilla vjen kryesisht për faktin se vepra penale sipas ri-cilësimit nga vepër penale e korrupsionit zyrtar në vepër tjetër penale që del jashtë këtij domeni ka dënueshmëri më të ulët se vepra penale e korrupsionit dhe si rrjedhojë edhe afati i parashkrimit është më i shkurtë.
Raste të tilla në praktikë nuk janë pakta, për më tepër një praktikë e tillë përsëritet dhe mekanizmat e kontrollit brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor nuk marrin veprime që këto raste të mos përsëritet.

Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsion ka përkufizuar personin zyrtar, përkatësisht zyrtarin publik. Neni 2.(a) i kësaj Konvente ka përcaktuar se person zyrtar është secili person që ka një detyrë legjislative, ekzekutive, administrative apo gjyqësore, qoftë i emëruar apo i zgjedhur, me mandat të përhershëm apo të përkohshëm, që paguhet ose jo. Po ashtu, i tillë konsiderohet edhe çdo person tjetër që kryen një funksion publik apo ushtron një shërbim publik.

Për qëllime të masave anti-korrupsion, kjo Konventë lë në diskrecion të shteteve përcaktimin më të detajuar. Në këtë mënyrë, pjesë esenciale e përkufizimit të zyrtarit publik sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsion është funksioni dhe shërbimi publik.

Çdo vepër penale synon që të mbrojë një të mirë të caktuar. Në rastin e veprave penale të korrupsionit, e mira që synohet të mbrohet është autorizimi publik. Rrjedhimisht, për tu klasifikuar si person zyrtar, i pandehuri duhet ta ketë këtë autorizim publik, përkatësisht mundësinë për të keqpërdorur të njëjtin.

Si përcaktohet me Ligj se kush përkufizohet person zyrtar e kush jo?

Kodi i Vjetër Penal i Republikës së Kosovës, i miratuar në 2012, kishte lënë më shumë paqartësi sa i përket përkufizimit të personit zyrtar.

Kjo situatë u adresua në Kodin e ri Penal, i cili hyri në fuqi në 2019.

Ky Kod nuk ka lënë dilema se çka konsiderohet person zyrtar e çka jo.

Sipas këtij Kodi person zyrtar nënkupton:

Personi i cili në organin shtetëror kryen punët zyrtare;

Eco Higjiena

Personi i zgjedhur, i emëruar ose i caktuar në organin shtetëror, në organin e pushtetit lokal ose personi që përherë ose përkohësisht kryen detyrat zyrtare ose funksionet zyrtare në ato organe;

Personi në institucion, ndërmarrje ose në ndonjë subjekt tjetër, të cilit i janë besuar kryerja e autorizimeve publike, që vendos për të drejtat, obligimet ose interesat e personave fizik apo juridik ose për interesin publik;

Person zyrtar konsiderohet edhe personi të cilit i është besuar kryerja faktike e detyrave të caktuara zyrtare apo punëve;

Person ushtarak përpos kur janë në pyetje dispozitat e Kreut XXXIII (Veprat penale kundër detyrave zyrtare) të këtij Kod.

Për ta sqaruar edhe më tej se çfarë nënkuptohet me person zyrtar, në 2021, Gjykata Supreme ka hartuar një udhëzues të veçantë, për korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.
Sipas këtij udhëzuesi, “person zyrtar mund të konsiderohet vetëm ai individ, i cili në mënyrë të drejtpërdrejt (duke qenë i punësuar në institucione publike) apo të tërthortë (person i cili mund të ushtrojë funksion jashtë institucioneve publike) kur të njëjtit i janë deleguar autorizime publike, menaxhimi i parasë publike apo ushtrimi faktik i detyrave/punëve zyrtare. Në momentin që menaxhon me të mirat publike, nuk ka rëndësi pozita që e mban, me rëndësi është që i ka keqpërdorë mjetet publike, respektivisht qe ka keqpërdor autorizimet dhe detyrat apo punët zyrtare të cilat i ushtron në mënyrë faktike.

Shprehimisht, udhëzuesi në fjalë ka përcaktuar se persona zyrtar nuk konsiderohen personat që menaxhojnë me të mira apo kapital privat, përveç kur të njëjtëve iu janë deleguar autorizime publike siç është sqaruar më poshtë”.
Kur ky përkufizim nuk është i mjaftueshëm, atëherë udhëzuesi rekomandon të zbërthehen disa elemente si: Pozitën që mbanë personi, Llojin e autorizimit që ka ai person dhe formën si personi merr autorizimin për kryerje e detyrave.

Ngadhnjim Arrni, gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Prishtinë thotë se Kodi Penal 2019, nuk lë më dilema, se kush cilësohet person zyrtar e kush jo.

“Ndoshta veç për sqarim, e që konsideroj qe edhe ka bo pak problem në praktiken gjyqësore është se në përkufizimin e Kodit Penal të vitit 2013, në nen paragrafin 2.1. të nenin 120, është përkufizuar, 2.2 me falni është përkufizu edhe fakti se personi i autorizuar në një organ shtetëror, organizate, biznese ose ndonjë person tjetër juridik, mund të konsiderohet si person zyrtar. Ndoshta kjo ka vnu edhe pikëpyetje të ndryshme në praktikën gjyqësore, se kush njëmend mund të jetë personi zyrtarë që kryen veprën penale nga ky kapitull i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai shton se tashmë me Kodin e R i, janë eliminuar paqartësitë.

“Duke iu referuar tani dispozitave të Kodit Penal që është në fuqi, i Kodit Penal të vitit 2019, konsiderojmë që këto paqartësi, në kuptimin e bizneseve, apo organeve tjera, që nuk kanë autorizime publike apo nuk derivojnë nga organet shtetërore, janë eleminu këto paqartësi, edhe specifikohet saktë se person zyrtar mund të jenë vetëm personat që punojnë në institucione shtetërorë apo që marrin mandate nga institucionet shtetërore dhe që autorizimet e tyre derivojnë nga këto institucione”, është shprehur ai.

Por, ish-kkryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori Fejzullah Hasani, thotë se person zyrtar, mund të konsiderohet secili që ka autorizime të veçanta, duke përfshirë edhe institucionet jopublike.

“Personi, i cili ka autorizime të veçanta për të ushtru një detyrë zyrtare të caktume dhe në kuadër të ushtrimit të këtyre autorizimeve të veçanta ai abuzon me detyrën zyrtare, kur interesin e vet privat e ve mbi atë publik. Mirëpo ai e ka statusin e personit zyrtar me vetë autorizimet e veçanta që i bartë, si person i emëruar ose si person i zgjedhur”, ka thënë ai.

“Të statusi i personit zyrtar, ose abuzimi me detyrën zyrtare nuk e ka për qëllim/synim vetëm paranë se keqpërdorimi i pozitës zyrtare mund të behet jo vetëm para edhe keqpërdorime tjera, se atje thotë kush do më qëllim të përfitimit, çfarëdo përfitimi që thotë edhe në lek edhe në përfitime tjera, ato përfitime tjera, shpërdore detyrën zyrtare thotë unë, e keqpërdorë detyrën zyrtare. Se keqpërdorimi i pozitës zyrtare ekziston atëherë kur ti e kryen një detyrë zyrtare në kuadër të autorizimeve që i ke, s’ke dal jashtë autorizimeve”, ka shtuar Hasani.

Kodi i Vjetër Penal, në përkufizimin për personin zyrtar, përcaktonte se person zyrtar mund të jetë edhe personi i autorizuar në një organ shtetëror, organizatë biznesi apo ndonjë person tjetër juridik, i cili sipas ligjit apo ndonjë dispozitë tjetër të nxjerrë në pajtim me ligj ushtron detyra të posaçme.

Ndryshe nga Kodi i Vjetër, Kodi i Ri, kur flet për ndërmarrjet ose subjektet tjera, specifikon vetëm kur iu janë besuar autorizimet publike. /Betimi për Drejtësi/