Llashtica e dërmuar nga lufta, e shkatërruar në paqe nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo kosovare

Gjilan – Hiq më pak se 20 vite Llashtica pret përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore pse nuk janë hetuar të dyshuarit serb për krimin që ndodhi në prill të vitit 1999. Llashtica me të drejtë ndihet e tradhtuar nga policia, gjykatat e prokuroria. Është ky një zinxhir i drejtësisë së mykur që amnistoj kriminelët e dyshuar dhe shkeli mbi gjakun e dëshmorëve dhe mbi vuajtjet e shumë dëshmitarëve të gjallë. Dëshmitarët kryesor po plaken e po lodhen nga pritja, derisa edhe serbët e dyshuar po vdesin dhe nuk po i heton askush ata. Si u zhdukën provat nga ndërkombëtarët që operonin në teren menjëherë pas luftës.

Llashtica ka 20 vite që pret hetime zyrtare nga prokurorët shqiptar. Ka 20 vite që Llashtica e dërmuar nga lufta pret një hetim zyrtar për ndonjë serb të dyshuar, pret një hetim për dosjen e krimeve që kanë emra e mbiemra. Llashtica ose Reqaku i Kosovës u injorua dhe u poshtërua nga hetuesit vendor e ndërkombëtar.

Llashtica u dërmuar nga lufta, përjetojë krimin më të tmerrshëm që njeh historia, por e përjetoj edhe injorancën dhe neglizhencën e drejtësisë kosovare e cila e mykur në koncept dhe veprim amnistoj të gjithë serbët e dyshuar. Asnjë fletë arrest nuk u zbatua tek serbët e dyshuar, asnjë aktakuzë nuk u zyrtarizua krejt kjo për shkak të frikë dhe servilizmit që treguan gjykatat tona në fillim ndaj UNMIK-ut e më pas edhe ndaj EULEX-it.

Ymer Ibishi i cili e ka të vrarë prindin në kohën e luftës thotë se është i zhgënjyer që asnjë serb i dyshuar nuk mori dënimin e merituar. “Para pak muajsh ka vdekur i dyshuari serb Rada Nojiq i cili me eskavator mori pjesë në zhdukjen e gjurmëve të krimit dhe prokuroria as nuk e mori në pyetje dhe as nuk e hetojë. Ky dyshohet se i ka djegur kufomat” rrëfen Ymer Ibishi.

Ibishi thotë se në vitin 2014 kishte dhënë një intervistë te ish kryeprokurori Sabit Maliqi, por më vonë ishte EULEX-i që e mbylli lëndën gjoja në mungesë të provave. “Kjo ishte një vrasje e dyfishtë për ne sepse jemi të zhgënjyer së pari në KFOR-in i cili i mori të gjitha fotot e gjalla dhe kurrë s’është dënuar asnjë serb i dyshuar. Pastaj ishte Luis Arbur e cila na premtoj hetime rreth masakrës së Llashticës, po kurrë nuk e përfundoj këtë hetim” shprehet Ibishi.

Ibishi thotë se nuk e kupton heshtjen e hetuesve shqiptarë. “Nuk e kuptoj dhe se kam të qartë si është e mundur që tërë ato dosje ato materiale, prova, fakte, dëshmi mbesin nëpër sirtarë të prokurorisë. Si është e mundur që Klani i Zemunit dhe klani i Millosheviqit të ketë njerëzit e saj në Gjykata e prokurori” mendon Ibishi.

Ibishi thotë se i vetmi dëshmitar që është intervistuar nga policia vendore është ajo e Deli Hysenit i cili duke ju falënderuar shkrimeve që bëri Rajonipress për të e morën në pyetje, pak para se ai të shkonte në Francë.

Ibishi mendon se për masakrën e Llashticës ka prova e materiale të gjalla që dëshmojnë për barbarinë serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare.”Mos e përbuzni dhe shkelni amanetin e dëshmorëve as të atyre që u vranë, u dogjën dhe u pushkatuan për së gjalli” është porosia e Ymer Ibishit për organet e drejtësisë.

Ndryshe, Llashtica dhe banorët e saj i kanë një milion arsyera që të jenë të zhgënjyer në EULEX-in, ish UNMIK-un, Tribunalin e Hagës, tek prokuroria vendore dhe tek çdo mekanizëm tjetër i drejtësisë. Masakra dhe krimi që ndodhi nga datat 13 dhe 30 prill në Llashticë janë një nga rastet më të trishtueshme që nuk u hetuan kurrë. Këtë zhgënjim nuk e kanë merituar familjet e dëmtuara, të vrarët e të pushkatuarit, të dhunuarat e mbi të gjitha këtë heshtje vështirë t`ua falin gjeneratat e reja të cilat me të drejtë kërkojnë drejtësi, sado që ajo të jetë e vonuar.

Ndryshe në kohë dhe rrethana të ndryshme në Llashticë në prill të vitit 1999, janë vrarë 23 civilë të pafajshëm. Gjithashtu në Llashticë janë djegur 120 shtëpi, është djegur shkolla, biblioteka, janë plaçkitur qindra traktor.

Fshati Llashticë llogaritet njëri nga fshatrat më të lënduara e më të prekura nga koha e luftës së fundit. Në këtë fshat janë vrarë, masakruar e djegur 13 shqiptarë në prill të vitit 1999.

Llashtica e dërmuar as pas 20 vitesh nuk mori përgjigje nga organet e drejtësisë. Nuk mjaftuan as deklaratat e Vlora Shabanit, Deli Hysenit, Drita Hysenit, Ymer Ibishit, Nehat Shabanit e të dëshmitarëve të tjerë që kjo Dosje të paktën të marrë një përgjigje zyrtare. Llashtica edhe tani përkujton 20 vjetorin e masakrës, por pa asnjë hetim zyrtar, raporton rajonipress.

Llashtica dhe banorët e saj i kanë një milion arsyera që të jenë të zhgënjyer në EULEX-in, ish UNMIK-un, Tribunalin e Hagës, tek prokuroria vendore dhe tek çdo mekanizëm tjetër i drejtësisë. Masakra dhe krimi që ndodhi nga datat 13 dhe 30 prill në Llashticë janë një nga rastet më të trishtueshme që nuk u hetua kurrë. Këtë zhgënjim nuk e kanë merituar familjet e dëmtuara, të vrarët e të pushkatuarit, të dhunuarat e mbi të gjitha këtë heshtje vështirë t`ua falin gjeneratat e reja të cilat me të drejtë kërkojnë drejtësi sado që ajo të jetë e vonuar ajo.

Edhe pse në polici, prokurori dhe EULEX e ish UNMIK janë deponuar dhjetëra dëshmi për vrasjet në këtë fshat, askush deri tani nuk e ka trajtuar seriozisht Dosjen e Llashticës. Ymer Ibishi dëshmitar vazhdon të mos heshtë dhe të kërkojë drejtësi për viktimat e burg për kriminelët.

Në kohë dhe rrethana të ndryshme në Llashticë në prill të vitit 1999, janë vrarë 23 civilë të pafajshëm. Gjithashtu në Llashticë janë djegur 120 shtëpi, është djegur shkolla, biblioteka, janë plaçkitur qindra traktor.

Dëshmitari kryesor, Deli Hyseni njeriu që ka parë me sy vdekjen e më të afërmeve të tij në dëshminë e tij për masakrën e 30 prillit 1999 ka thënë :”Nuk kam forcë as guxim që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri”.

Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.

Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe . Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Feriz Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.

Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim , ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” citon fjalët e paramilitarit Deliu.

Kjo ka qenë njëra nga dëshmitë e Deli Hysenit , dëshmitarit të gjallë dhe njeriut që pa gjithçka dhe madje edhe buldozerin që erdhi nga Pasjani për të rrafshuar tërë vendin e krimit.

Edhe rrëfimi i Vlora Shabanit është mjaft trishtues dhe tregon barbarinë serbe më 13 prill 1999. Vlora në këtë masakër ka humbur babën, nënën, vëllain dhe babagjyshin.

Ajo nga traumat që ka pësuar në këtë masakër është dashur të shërohet gjashtë muaj në SHBA. Vlora në këtë masakër është plagosur dhe ka parë me sytë e saj se si digjeshin për së gjalli prindërit e saj dhe vëllai.

Vlora në dëshminë e saj ka saktësuar se ishin dy paramilitarë që me dhunë dhe rrëmbyeshëm kanë hyrë në shtëpinë e tyre në Llashticë. “Këta paramilitarë e detyruan babin tim Selami Shabanin që t`i ngritë duart lartë. Pas pak na kanë tubuar të gjithëve së bashku në një dhomë ku kanë nisur t`i ndajnë meshkujt në një anë –dhomë, dhe gratë e fëmijët në një dhomë tjetër” ka rrëfyer Vlora.

Edhe, Nehat Shabani mësues ishte dëshmitar i dhunës serbe. Ai është i plagosur në krahun e djathtë dhe e humbi djalin e tij Lirimin. Nehati më 13 prill 1999 plagoset nga serbët derisa banorët po qëndronin në male.

Nehat Shabani nga Llashtica e Gjilanit me shumë dhimbje e trishtim e kujton datën 13 prill 1999. Pos që ishte plagosur nga serbët ai humbi edhe djalin tre javësh Lirimin i cili sot realisht do të mbushte 16 vite.

Sipas dëshmitarëve trupi i Lulzim Musliut është gjetur i vrarë në vendin e quajtur “Gropat e Macave” më 18 qershor 1999. Dëshmitari Besim Musliu ka konstatuar se Lulzim Musliu është vrarë me një plumb në kokë nga paramilitarët serb. Ky dëshmitar ka thënë se vrasjen e kanë kryer fshatarët serb të Pasjanit.

Nehat Shabani pos që ishte plagosur nga serbët më 13 prill 1999 derisa banorët e strehuar në male po mundoheshin të shpëtonin nga kriminelët serb, ai humbi edhe djalin tre javësh Lirimin. “E kam të vështirë ta përkujtojë këtë ditë sepse Lirimi sot do të mbushte 16 vite. Por masakra që ndodhi më vonë, pastaj djegia e kufomave dhe krimi makabër që bënë serbët më bënë të bëhem më i fortë dhe të jem pranë këtyre familjeve që humbën më të dashurit e tyre” thotë Nehat Shabani.

Shabani tha se dëbimi i popullatës së Llashticës ishte i orkestruar nga serbët lokal dhe ata nga Serbia.”Jam tepër i zhgënjyer tek hetuesit shqiptarë dhe tek ata të huaj të cilët fare nuk u morën me Dosjen e Llashticës”tha Shabani.

Të pushkatuarit e datës 30 prill 1999 janë: Hysen Deli Hyseni, Ajshe Hysen Hyseni, Fazli Hysen Hyseni, Arife Fazli Hyseni, Driton Fazli Hyseni, Mirije Deli Hyseni, Blerim Ramadan Halili, Rifat Xhemajl Shabani, Selami Rifat Shabani, Zijavere Ejup Shabani, Fisnik Selami Shabani, Sylejman Ymer Ibishi, Xhavit Banush Berisha.

Në fshatin Llashticë gjithashtu janë vrarë më 13 prill 1999: Ali Bejtë Selimi, Enver Sylë Murseli, Ymer Kadri Rashiti, Lulzim Feti Musliu, Rukije Qazim Ramushi , Habibe Idriz Ramushi, Nezir Hasan Ramushi, Xhyzide Shaban Hasani, Lirim Nehat Shabani.

Nga procesverbalet e gjetura në ish Prokurorinë e Qarkut( të siguruara nga rajonipress), e që janë të evidentuara të gjitha rastet e vdekjeve të qytetarëve të pafajshëm në Gjilan, Kamenicë e Viti, për secilin rast të vrasjes zyrtarët serb të Gjykatës së Qarkut dhe të ish SPB-së vetëm kanë shënuar se vrasja është bërë nga personi NN.

Ky vlerësim është dhënë nga Prokuroria e Gjilanit dërguar një letër sekrete Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut në vitin 2004. Nga procesverbalet zyrtare të ish zyrtarëve serb është parë se në të gjitha zhvarrosjet kanë marrë pjesë persona ushtarak, policor dhe gjyqësor.

Në këto procesverbale janë dhënë shënime për vrasjet në: Zhegër, Llovcë, Lladovë, Llashticë, Dobërqan, Zhegovc, Malishevë, Velekincë, Lubishtë e Vitisë, Verban, Novosellë, Kabash, Smirë, Gjylekarë, Cërrnicë, Stubëll e Ulët, Pozharan etj.

Gjykatësit serb që kanë fshehur vrasjet ose që janë munduar t`i fshehin gjurmët janë : Zhivojin Jankoviq-gjykatës, dr.Pavlloviq Millorad patolog, Bojzhin Ristiq inspektor, Stana Gjokiq, Sergjan Stojanoviq, Svetozar Periq, Petroviq Jovica, Shqekiq Radosav, Goran Cuckiq, Zhivorad Dimiq, Aleksander Simonoviq, Momqillo Antiq, Danijella Cvetkoviq, Jovanka Trajkoviq, Novica Nisiq, Serxhan Marasheviq, Vasiq Hranisllav, Jovica Petrovia, Radovan Dajiq, Toma Ivanoviq.

Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive, ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.

Në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura. Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).