Fundamenti

Hamdi Jashari, avokati që sfidon errësirën e sistemit dhe rikthen besimin në drejtësi

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në një realitet ku drejtësia shpesh vihet në sprovë, Hamdi Jashari shfaqet si një nga figurat më të qëndrueshme dhe me ndikim në avokaturën e Anamoravës dhe më gjerë. I njohur për korrektësinë, pedanterinë profesionale dhe kulturën e lartë juridike, ai mbetet një nga avokatët më të kërkuar nga qytetarët, jo rastësisht, por për shkak të guximit për të përballur anën e errët të sistemit gjyqësor dhe për të rikthyer besimin e publikut në sundimin e ligjit.

Në një sistem drejtësie ku e vërteta shpesh përballet me pengesa, Hamdi Jashari është një nga ata avokatë që nuk llogarit kompromisin kur në peshore vihet ligji. Me guxim profesional, disiplinë të hekurt dhe etikë të palëkundur, ai është shndërruar në një zë të fortë kundër padrejtësisë, duke sfiduar hapur devijimet e sistemit gjyqësor dhe duke rikthyer shpresën e qytetarëve se drejtësia ende mund dhe duhet të funksionojë.

Emri i Hamdi Jasharit ka zënë vend të veçantë në fushën e jurisprudencës dhe në konceptin e avokaturës progresive, pikërisht për këmbënguljen e tij që drejtësia të funksionojë ashtu siç duhet të jetë, e jo ashtu siç ka vepruar për vite me radhë. Parimor në qëndrime dhe i palëkundur në mbrojtjen e ligjshmërisë, ai është shembull i avokatit që nuk negocion me vlerat profesionale.

Edhe pse pjesë e një gjenerate relativisht të re, Hamdi Jashari gëzon përvojë të konsiderueshme profesionale, të ndërtuar mbi një traditë të fortë familjare në fushën e drejtësisë. I rritur dhe i formuar në një ambient ku ligji ishte mision e jo vetëm profesion, ai është biri i avokatit dhe ish-gjyqtarit të mirënjohur, tashmë të ndjerë Avni Jashari, i cili për mbi tri dekada ushtroi me dinjitet profesionin e tij, si dhe i një nëne juriste, ndër gratë e para të diplomuara në këtë fushë në regjion, me një karrierë të gjatë drejtuese institucionale.

Që në vitet e hershme të shkollës së mesme, në periudhën e pasluftës, Hamdi Jashari u përfshi drejtpërdrejt në praktikën juridike, duke asistuar në zyrën e babait të tij. Ky angazhim i hershëm, i shoqëruar me pasion për profesionin dhe përgatitje të vazhdueshme, e ka ndihmuar të ndërtojë një profil të fortë profesional dhe një reputacion të besueshëm ndër klientë dhe bashkëpunëtorë.

Një nga rastet më të bujshme ku ai ka lënë gjurmë të dukshme është ndalja dhe demaskimi juridik i një prej çështjeve më të përfolura në Gjilan, e njohur si rasti “Ferizi Petroll”, i shoqëruar me lëshime serioze procedurale dhe elemente të dyshimta kriminale. Ky angazhim e ka forcuar më tej imazhin e tij si avokat i guximshëm dhe i pa kompromis ndaj padrejtësisë.

KKVITI

Për shkak të korrektësisë, seriozitetit dhe paraqitjes profesionale, kolegët dhe klientët e quajnë shpesh “anglezi”, një epitet që simbolizon disiplinën, etikën dhe standardin e lartë të punës. Vetë Jashari thekson se këtë edukatë profesionale e ka trashëguar nga familja, por e ka ndërtuar dhe forcuar përmes punës së pandërprerë dhe përkushtimit maksimal.

Pavarësisht mangësive të sistemit të drejtësisë në vend, avokati Hamdi Jashari beson se besimi në institucione duhet të ruhet, por jo në mënyrë pasive. Ai inkurajon qytetarët që të kërkojnë me këmbëngulje të drejtat e tyre, duke theksuar se në çdo proces gjyqësor rol kyç luan përkushtimi i vet qytetarit dhe angazhimi serioz i avokatit. Siç shprehet ai shpesh: “Drejtësia vonon, por nuk harron.”

Në të njëjtën frymë, Jashari apelon që gjykatat, prokuroria, avokatët dhe institucionet e tjera të fokusohen më shumë në rritjen e cilësisë profesionale, sesa vetëm në shtimin e numrit të kuadrove.

Sipas tij, Kosova si vend i vogël ka potencial të mjaftueshëm për një sistem drejtësie funksional, për aq kohë sa ekziston përkushtimi dhe vetëdija qytetare për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave ligjore./rajonipress/