Eko Higjiena

Lisi i madh – Akademik Idriz Ajeti (Në 97-vjetorin e lindjes)

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nga Bahtijar Kryeziu – Klasiku i gjuhës sonë, akademik Idriz Ajeti, të cilin, për fat të mirë e kemi mes nesh, sot i mbush plot 97 vjet e me shëndetin që gëzon, besojmë, thellë besojmë se do t’ia kalojë edhe shekullit. Kështu e deshi fati. Kështu e deshëm edhe ne, nxënësit e tij të dikurshëm e të këtillë e deshën dhe e duan, jemi shumë të sigurt, të gjithë ata që e njohin ose kanë lexuar a dëgjuar për profesorin tonë.

Ky Lis i Madh, siç po e quajnë me të drejtë disa “mbiu” më 26 qershor 1917, në një cep të Kosovës Lindore, në Topallën e Medvegjës, në ato tërthore që me shekuj nuk gëzuan të drejtën e tyre të jenë pjesë e Shqipërisë etnike. Mbiu atje për të lëshuar rrënjë të thella e për të shtrirë degët e tij në të gjitha trojet e përtej trojeve shqiptare.

Përveç atyre shkrimeve e studimeve që kemi bërë disa prej nesh për akademik Ajetin, nuk e dija se do të ndjejmë edhe këtë kënaqësi të radhës, për të uruar, sublimuar e evokuar edhe sot për jetën, punën dhe veprën madhore të profesorit tonë. Unë, e besoj se edhe ju, të nderuar lexues, 97-vjetorin e akademikut tonë po e përjetojmë si një ditëlindje edhe tonën, kur dihet se fjala është për një njeri e intelektual të rrallë, i cili, me gjithë krajatat e vështirësitë që e përcollën: edhe si fëmijë, edhe si nxënës, edhe si student, e edhe gjatë punës së tij, diti dhe mundi t’i përballojë ato. Diti dhe mundi t’i mposhtë sfidat e jetës, për t’u ngjitur drejt majave të dijes e të shkencës, atyre majave të cilave ua mësyjnë shumë e ia dalin pak vetë.

Të nderuar lexues,

Hollësi të tjera, për jetën dhe krijimtarinë e profesorit, pos në dy dokumentarë të TVSH-së, të botimeve të profesorit e të shkrimeve për të (këtu mund të përmendim edhe një studim të djeshëm të thukët të Dr. Begzad Baliut), mund të gjeni edhe në Wikipedia të profesor Ajetit.

Megjithatë, e do puna, siç shprehje shpeshherë akademiku ynë, të veçojmë vetëm edhe këto pak të dhëna, se emri i profesor Ajetit qëndron në kopertinat e 22 veprave, drejtues i shumë ekspeditave shkencore në trojet shqiptare; kërkimtar bibliografish e arkivash në dhe jashtë vendit tonë; pjesëmarrës në shumë kongrese, simpoziume, konferenca e sesione shkencore të mbajtura në vend e në qendrat më të njohura ballkanike e evropiane; autor i qindra (mbi 150) studimeve të botuara në organet shkencore gjithandej vendit dhe jashtë vendit; themelues dhe drejtues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, udhëheqës i shumë kandidatëve për titujt më të lartë akademikë etj.

Në pyetjen e një gazetari, përkitazi me jetën dhe veprën e profesorit, këtu e 17 vjet më parë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, akademiku ynë ishte përgjigjur: “Përvjetorët e ditëlindjeve, në mënyrë të veçantë ata që shënohen kur jubilari ka arritur një moshë pleqërie të madhe e të bardhë, paraqesin raste (siç është edhe ky i sotmi – B. K.), për të hedhur vështrime nga e kaluara, nga ditët e shkuara me qëllim vlerësimi të
veprës së vet përplot fryte, të marra nga fara e hedhur gjatë shumë vjetëve veprimtarie, në fushën e shkencës e në përpjekje të shtihet në popull më shumë dritë të dijes e të idesë kombëtare”.

Në këtë rrafsh, qëndrimi i pa luhatur i akademik Ajetit për gjuhën e përbashkët letrare se “Gjuha letrare s’është vetëm thesar i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë sonë”, si dhe kundërshtimet e ashpra në shkrimet e tij ndaj Selishqevit, Veigandit, Skokut, Ivan Popoviqit, Atanasije Urosheviqit e të tjerëve studiues të këtij kalibri, të cilët shqiptarëve ua caktonin prejardhjen e një gjuhe tjetër dhe “një shtëpi tjetër” banimi, ose dhe reagimi i tij i guximshëm e dinjitoz në organet më të larta partiake e shtetërore, siç ishte rasti në Kongresin IX të LK-së të Serbisë (1982), apo edhe polemikat e zhvilluara me Petar Zhivadinoviqin, dr. Jovan Deretiqin, akademik Sima Qirkoviqin (me të cilët nuk ishin pajtuar atëbotë as edhe prof. Radoslav Katiçiqi e ilirologu i njohur dr. Aleksandër Stipçeviqi) në mbledhjen e 46 të Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë për ish-Jugosllavinë (1982), veç sa dëshmojnë dhe një herë për dijen, guximin dhe epërsinë intelektuale të akademik Ajetit në mbrojtjen e gjuhës, të popullit dhe të tokave shqiptare me të vërtetat shkencore.

Shih për këtë edhe ky përvjetor, i 97-ti i lindjes së Nestrotit të shkencave filologjike, që fatmirësisht këto ditë koincidon edhe me marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në BE, është një vit i mbarë për ne.

Akademik Ajeti nuk është ndonjë studiues kalimtar ose shkencëtar koniunkture, përkundrazi, personaliteti i tij shkencor, të cilin e ka krijuar vetë, me punë, djersë e mund, është i plotë dhe i qëndrueshëm, e i cili, për mjaft fusha kërkimesh është Primus inter pares edhe ndër studiuesit e tjerë në zë.

Fundamenti

Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit është e begatë dhe e nduardushme. Ajo ngërthen më vete një korpus të gjerë studimesh: sa nga dialektologjia aktuale e historike, po aq edhe nga historia e gjuhës së shkruar, sa nga morfologjia historike e shqipes dhe problemet e diskutueshme të saj, po aq edhe nga historia e leksikut, sa nga interferencat e dyanshme gjuhësore shqiptaro-sllavojugore, po aq edhe nga onomastika mesjetare, sa nga normimi i shqipes, po aq edhe nga çështjet e kulturës së gjuhës etj., preokupime këto që kaherë ishin ngulitur në zemrën dhe mendjen e akademikut Idriz Ajeti.

Pa u thelluar më tepër me këtë rast e në këtë vend, le të na lejohet të pohojmë me pot gojën dhe kënaqësinë më të madhe se akademik Ajeti ishte dhe mbetet një ndër themelvënësit e arsimit të lartë dhe të shkencës albanologjike në Kosovë, si dhe fanar e yll polar i shkencës shqiptare në përgjithësi. Emri i tij do të zë një vend nderi në historinë e arsimit e të kulturës sonë, krahas figurave më të shquara, si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Selman Riza, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Androkli Kostallari etj.

Ndonjë prej “dijetarëve” tanë, që kujton se i ka ardhur dita të gjuajë ndonjë gurë në këtë Lis të Madh, të papërkulur kurrë – as gjatë furtunave shumë më të ashpra e më të egra, ka bërë hesap pa hanxhi. Nuk mund t’i shkul rrënjët këtij Rrapi, nuk mund t’i thyejë trungun e madje as t’i lakojë një degë të vetme. Mund t’i shkund vetëm ndonjë fletë, sa për të maskuar padijen dhe smirën e tij. Dhe, hiq më shumë.

Edhe njeriu më i shquar i letrave shqipe, Ismail Kadare, duke shkruar për të madhin Eqrem Çabej, në një vend thotë: “kur dikush rreket t’i sulmojë themelitë: gjuhën, kulturën, artin dhe mendësinë e tij”, (e ne do të thoshim edhe figurat e shquara të
shkencës sonë, si ajo e profesor Ajetit), ato figura “ndriçohen edhe më fort, njëlloj siç ndriçohen prej vetëtimave në kohë furtune malet e larta. Në sfond të tyre sulmuesit xhuxhë, ngjajnë atëherë edhe më të vegjël e më të mjerë!” – përfundon Kadare.

Për veprimtarinë dhe punën e tij shkencore kolosale që ka bërë e po bën profesor Idriz Ajeti, institucionet shtetërore, ato arsimore e shkencore, e kanë shpërblyer dhe nderuar shumë herë me çmimet më të larta të kohës, por ne kujtojmë se edhe shënimi i 60, 70, 80, 90 e sivjet edhe i 97-vjetorit të lindjes së tij, fjalët e ngrohta e miradije të ish-nxënësve të tij e të studiuesve të tjerë, jo vetëm këtu, janë shpërblimet, dekorimet, pranimet, urimet e pse jo edhe falënderimet më të mëdha dhe më të sinqerta për akademik Ajetin, shkencëtarin i cili nuk u bë shkencëtar, por lindi i tillë – siç do të thoshte profesor Mahir Domi.

Me shkrimet tona që po ia kushtojmë akademik Ajetit, evokimet e fjalët miradije që po ia themi, nuk pandehim se i lajmë borxhin këtij njeriu të dijshëm e të urtë – fjalëpak e punëshumë, për gjithë atë që ka bërë e po bën për të mirën e etnosit dhe etosit shqiptar.
Edhe çdo fjalë e madhe e thënë për punën e tij, madje edhe kur ai portretizohet me epitetet më të larta të mundshme: mësues i mësuesve, dijetar, prijatar, shkencëtar, bard, doajen e klasiku i albanistikës, arushan, babaxhanë, kurrizdrejt, patriark i albanistikës, Nestor, Lis i Madh, e të tjera epitete që mund t’i shkojnë vetëm një personaliteti si ky, sikur nuk e kanë fuqinë e duhur për të shprehur gjithë respektin e madh që kemi ndaj tij, por ne – nxënësit e tij, këtë mundësi kemi – këtë po e bëjmë, kurse Qeverisë dhe shtetit të Kosovës i mbetet të mendojnë më esëll e me përgjegjësi më të madhe për t’ju siguruar një jetë më dinjitoze, si akademik Ajetit, ashtu edhe të gjithë njerëzve të kalibrit të këtillë.

Ky është, jo vetëm nder, por edhe obligim e detyrë jona që të lajmë paksa borxhin ndaj tyre dhe të tregojmë kështu një kulturë më të lartë që i takon shekullit 21.

Në fund urojmë: Rroftë edhe për shumë mote, Akademiku ynë, Nderi ynë, i cili me punën dhe veprën e vet, padyshim se e ka siguruar vendin në Panteonin e burrave të pavdekshëm të kombit shqiptar.

Gjilan, më 26 qershor 2014, prof.dr.Bahtijar Kryeziu