“Jo në emrin tim”, dita e dhjetë e protestës, mbështetje e gjerë drejtuesve të UÇK-së në Hagë
Edhe sonte, për të dhjetën natë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të protestës “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Protestuesit kanë shprehur mbështetjen e tyre për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e gjykatës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Protesta “Jo në emrin tim” është mbajtur çdo mbrëmje në Prishtinë që nga 16 shtatori, kur Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka ndërmarrë ndërkohë një iniciativë të re, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vendosin flamurin e UÇK-së në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka organizuar protesta në disa qytete të Kosovës kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Pas përfundimit të protestave në qytete, OVL-UÇK i është bashkuar sonte protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ka nxitur një ndjenjë krenarie te qytetarët e Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e saj në çlirimin e vendit.
Limaj, pjesëmmarës në protestën e sontme “Jo në emrin tim”, tha se pas vendimit të gjykatës është dëshmuar ajo që, sipas tij, është ditur gjithmonë, se UÇK-ja përfaqëson identitetin e kombit dhe të lirisë së Kosovës.
“Besoj që kjo situatë e rëndë pas vendimit të Gjykatës në Hagë ka çuar atë që ne e kemi ditur gjithmonë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është identitet i këtij kombi, i lirisë dhe siç kemi thënë ndërdijen e popullit të Kosovës e posaçërisht djemve e vajzave për të çliruar këto ditë kanë nxjerrë në pah që ndihen krenarë për baballarët e tyre. Ai produkt është vetë liria, shteti e krejt aio qe sot e gëzoni”, tha ai.
Ai theksoi se aktgjykimi nuk duhet të shihet vetëm në raport me individët që po gjykohen, por si pjesë e një përpjekjeje për të ndryshuar interpretimin e historisë së Kosovës.
“Ndihem mirë që njerëzit e kanë kuptuar që ky aktgjykim nuk ka të bëjë me individin se ky aktgjykim ka një objektiv për të shlyer një histori e për të rishkruar një histori. Shteti dhe populli i Kosovës nuk lejon që t’i rishkruhet historia”, tha ai./Telegrafi/


