Konjufca në New York: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi që duhet të korrigjohet
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), të mbajtur në New York.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq të komunitetit shqiptar dhe personalitete të shumta nga jeta publike.
Në fjalën e tij, Konjufca vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar rolin e veprimtarëve, shoqatave dhe organizatave shqiptare në sensibilizimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për çështjen e Kosovës.
Sipas tij, kontributi i mërgatës shqiptare në SHBA qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke folur për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Konjufca e cilësoi atë si një padrejtësi që, sipas tij, tejkalon fatin personal të të dënuarve.
“Padrejtësia shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën tonë për çlirim dhe liri”, tha Konjufca.
Ai theksoi se kjo padrejtësi, sipas tij, duhet të korrigjohet, ndërsa kërkoi mbrojtjen e legjitimitetit të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të drejtës së popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja.
Konjufca foli edhe për situatën institucionale dhe demokratike në Kosovë, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe reflektim.
Ai tha se interesi shtetëror dhe kombëtar duhet të vendoset mbi interesat e ngushta partiake, ndërsa në periudha sfidash, sipas tij, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve janë thelbësore.
Në fund të fjalimit, Konjufca falënderoi AARC-në për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjes së komunitetit shqiptar në SHBA me Kosovën dhe Shqipërinë./Telegrafi/


