3 Mars, fjala e lirë në qendër të vëmendjes: Sabit Rrustemi përballë lexuesve dhe kritikës
Prishtinë – 3 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarëve, këtë vit u shënua në mënyrë të veçantë në sallën e madhe të Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, duke mbledhur si rrallëherë shkrimtarë, botues, kritikë letrarë dhe dashamirës të letërsisë. Aktiviteti iu kushtua shkrimtarit Sabit Rrustemi dhe krijimtarisë së tij shumëvjeçare, në një mbrëmje që u shndërrua në festë të fjalës së lirë dhe të kujtesës historike.
Kjo ishte hera e parë që Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarëve u shënua në këtë bibliotekë me një aktivitet të tillë, ndërsa përzgjedhja e Rrustemit për të qenë në qendër të vëmendjes nuk ishte e rastësishme.
Ai mbetet autori i vetëm në Kosovë që u burgos për shkak të një tregimi të botuar në revistën “Fjala”, në moshën 22-vjeçare, duke vuajtur katër vjet burg dhe duke u përballur me ndalim të së drejtës së botimit për nëntë vjet radhazi.
Në fjalën e mirëseardhjes, drejtoresha e bibliotekës, Naime Beqiraj, theksoi se figura e Sabit Rrustemit përfaqëson një monument dashurie dhe përkushtimi ndaj dy shtyllave themelore të shkrimtarit, lirisë dhe letërsisë. Ajo rikujtoi se brezi i vitit 1981, me gjithë sakrificat e mbartura ndër vite, vazhdon të krijojë dhe të kontribuojë në kulturën shqiptare.
Në panelin letrar, studiuesi Emin Azemi vlerësoi krijimtarinë e Rrustemit si një projekt estetik dhe ontologjik të ndërtuar mbi një kontinuitet të rrallë krijues që nga fundi i viteve ’70. Sipas tij, kjo vijimësi nuk përfaqëson përsëritje, por thellim të vetëdijes poetike dhe të kërkimit estetik.
Ndërkaq, studiuesi Prend Buzhala rikujtoi rrugëtimin mbi katër dekadash të autorit, duke e cilësuar veprën e tij si pjesë të rëndësishme të rindërtimit të kujtesës letrare dhe kulturore. Ai theksoi se krijimtaria e Rrustemit është dëshmi e një vazhdimësie që sfidon kohën dhe rrethanat historike.
Akademiku Anton Nikë Berisha nënvizoi se poeti dhe prozatori Sabit Rrustemi janë të pandashëm, duke theksuar se teksti poetik mbetet elementi që e bën veprën e tij të veçantë dhe të qëndrueshme. Sipas tij, vitet e fundit poezia ka arritur kulmet e saj artistike në krijimtarinë e autorit.
Kurse kritiku Nexhat Rexha u ndal te vëllimi poetik “Shprush nëpër dej”, duke vënë në pah artikulimin reflektues dhe kërkimin e autenticitetit burimor, si dhe ndërlidhjen e estetikës nga lashtësia antike me vazhdimësinë e unit poetik të autorit.
Në fund të aktivitetit, Sabit Rrustemi falënderoi organizatorët për mikpritjen dhe përkushtimin, ndërsa e përmbylli mbrëmjen me deklamimin e disa prej poezive të tij.
Veprimtaria mori një domethënie të veçantë pasi përkoi me 45-vjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke rikujtuar rolin e intelektualëve dhe krijuesve në kohë sfidash historike.
Ngjarja u moderua nga poetesha Linditë Ramushi Dushku, ndërsa u mbështet nga Korporata Rugove.
Mbrëmja dëshmoi se letërsia mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të identitetit kulturor dhe të qëndresës shpirtërore, duke e shndërruar 3 Marsin në një ditë reflektimi, nderimi dhe vazhdimësie krijuese./rajonipress/



