Mobi Casa

Kuvendi shpenzon 235 mijë euro për E-Parlamentin

/ 4 minuta lexim

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të shpenzojnë 235 mijë euro në teknologjinë e informacionit me synimin që të jetë më përfaqësues, më i qasshëm e më transparent. Këto mjete do të shpenzohen për rifreskimin dhe pavarësimin e sistemit të informacionit, gjegjësisht atë që quhet E-Parlamenti. Me anë të inicimit të këtij tenderi, Kuvendi synon që të jetë në hap me kohën me parlamentet e vendeve të tjera.

Rifreskimin e E-Parlamentit, Kuvendi e arsyeton me rekomandimet që kanë marrë gjatë procesit të dialogimit për procesin e Stabilizim – Asociimit.

Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ky aktivitet është i një rëndësie të veçantë për Kuvendin e Kosovës.

“Ka shumë arsye pse Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë parasysh shfrytëzimin e TIK në operacionet e tij ditore: të jetë më përfaqësues, më transparent, më i qasshëm, më llogaridhënës, si dhe të jetë më efektiv në disa prej funksioneve të tyre”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se pavarësimi i sistemit të teknologjisë informative të Kuvendit ka dalë si rekomandim nga takimi i dialogut të procesit të Stabilizim – Asociimit, por edhe ka qenë planifikuar nga departamenti i IT-së.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si organ legjislativ në një shtet të ri demokratik, duhet të jetë në gjendje të shfrytëzojë TIK për të qenë më përfaqësues, transparent, i qasshëm, llogaridhënës dhe efektiv… E-Parlamenti shihet si koncept që është në evoluim të vazhdueshëm dhe që është i inkorporuar në qasjen institucionale drejt teknologjive moderne në një mjedis kompleks parlamentar”, ka thënë ai.

Duke e shpjeguar përmbajtjen e softuerit, me të cilin do të pajisjet Kuvendi i Kosovës, Krasniqi ka thënë se përveç aplikimit të teknologjive të reja objektivi i këtij projekti është edhe të integrohen teknologjitë në rregullat dhe procedurat ekzistuese.

UBT

“Për qëllime të fuqizimit të legjislaturës së Kuvendit të Kosovës përmes TIK, ky projekt jo vetëm që përqendrohet në një vlerësim të infrastrukturës së TIK, por edhe në rregullat legjislative dhe procedurale në Kuvend”, ka thënë ai.

Ky projekt, sipas tij, duhet të përfshijë module shtesë të lidhura për së afërmi me punën e Kuvendit. “Preferohet që modulet të bazohen në të njëjtën teknologji për të siguruar integrim dhe ndërveprim të plotë dhe të shpejtë”, ka thënë ai.

Ky projekt i ndërmarrë nga Kuvendi i Kosovës është në hap me kohën sa i përket aplikimit të teknologjisë informative nëpër kuvendet e shteteve.

“Në ditët e sotme ekziston një tendencë në rritje e shfrytëzimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) si mjet esencial që mbështet punën e organeve legjislative në tërë botën. TIK është bërë i sofistikuar dhe fleksibil në masë të mjaftueshme për t’i ndihmuar parlamentet në përgjegjësitë e tyre më të rëndësishme: bërjen e ligjeve dhe komunikimin me qytetarët”, ka thënë Krasniqi. Potenciali që teknologjia informative (TI), sipas tij, ka për të rritur konsiderueshëm mënyrën në të cilën parlamentet kryejnë proceset dhe operacionet e tyre është tani më i qartë se kurrë më parë.

Kompania “Inovativi & Comtrade” është shpallur fituese e tenderit për rifreskim të E-Parlamentit. Kjo kompani do të paguhet 235 mijë euro për këtë shërbim. Ajo është shpallur fituese pasi i ka mposhtur 5 konkurrentët tjerë jo vetëm nga çmimi, por edhe për disa nënkritere, pasi kriter për dhënie të kontratës ka qenë “çmimi ekonomikisht më i favorshëm”. Nënkriteri i parë ka qenë çmimi dhe ka pasur peshën e 60 për qind, kurse zgjedhja softuerike funksionale dhe projektet e realizuara janë poentuar me nga 15 për qind secila. Kurse menaxhimi i projektit është poentuar me 10 për qind të totalit.

Në garë kanë qenë 6 kompani, ndërsa çmimi më i lartë i ofruar ka qenë 419 mijë e 500 euro. Gazeta ka kontaktuar me zyrtarë të kompanisë fituese, por ata kanë refuzuar të shpjegojnë për përmbajtjen e projektit dhe për shpjegimin e karakteristikave të E-Parlamentit./koha.net/