Kujdes me domatet?
Kosova është vërshuar prej produkteve të dyshimta. Ata që merren me mbrojtjen e konsumatorëve, kanë zbuluar se muajin nëntor kanë hyrë në Kosovë domate të pjekura artificialisht, që konsiderohen të dëmshme për shëndetin. Institucionet përgjegjëse nuk dinë gjë.
Çmimi i domateve ka rënë si asnjëherë më parë. Një kilogram domate nga tregtarët kosovarë po shitet edhe 50 centë. Por, ky çmim, që nuk është fort i zakonshëm në vjeshtë e dimër, tek organizatat e konsumatorëve ka ngjallur dyshime për mashtrime nga importuesit.
Sipas tyre, muajin e fundit është importuar një sasi e madhe e domateve të pjekura artificialisht, që konsiderohen edhe të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Njëherësh kjo shihet të jetë arsyeja edhe për rënien enorme të çmimit të tyre.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës nuk kanë informacion nëse ky lloj i domateve shitet në tregun e Kosovës. Ata i mohojnë pretendimet e kësaj organizate.
Megjithatë, organizata “Konsumatori”, nga shqetësimet që ka marrë prej disa qytetarëve, ka zbuluar se domatet që janë importuar muajin nëntor janë të kultivuara me doza të tepruara hormonesh. Kjo formë e kultivimit shërben për të shpejtuar pjekjen dhe për të arritur çmimin më të volitshëm në treg.
Kreu i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, thotë se nga ajo që kanë parë në terren ka dalë se gjatë festave ka hyrë një sasi e madhe e domateve në treg, prej të cilave një pjesë e madhe është e dyshimtë dhe e pakontrolluar.
“Një nga veçoritë në bazë të të cilave “detektohet” kjo domate është se me rastin e prerjes te kjo domate nuk vërehen farat, sepse domatja e hormonit nuk i ka, që është “fryt” i pllenimit apo i kultivimit me hormone. Trajta e dytë e “detektimit” është ndarja e domates hormonale në shtresa dhe shtresa e dytë, e brendshmja, nën cipën e skuqur është e gjelbër në të zbehtë”, ka thënë Kaçaniku.
Simptoma si këto ai thotë se janë gjetur edhe në tregun Kosovës. Një argument tjetër është edhe rënia përnjëherë e çmimit të domateve.
Qytetarët në disa qytete të Kosovës kanë mundur të blejnë një kilogram domate edhe me 50 centë.
“Arritja e domateve të freskëta këtyre ditëve kur temperaturat kanë rënë dukshëm dëshmon po ashtu për përdorimin enorm të hormoneve, që nuk janë të shëndetshme për organizmin e njeriut”, ka shtuar ai.
Kaçaniku vlerëson se kjo sasi e domateve, e gjetur në tregun e Kosovës, mund të jetë nga ndonjë kontingjent i kthyer nga ndonjë shtet tjetër. Sipas tij, një shtet i cili ka kapacitete të mjaftueshme të kontrollit të cilësisë e të sigurisë së ushqimeve, si dhe inspektorë e doganierë më të vetëdijesuar, nuk do të lejonte futjen e produkteve të tilla në masë kaq të madhe.
“Me rastin e konstatimit të normave të larta të mbetjeve kimike, shteti i fortë këtë kontingjent e ka kthyer mbrapsht dhe pastaj është ridestinuar drejt Kosovës, e cila akoma nuk mund të shquhet me tipare civilizuese e emancipuese të kontrollit e të inspektimit”, ka thënë Kaçaniku.
Për më tepër, kjo organizatë ka kërkuar hetime të menjëhershme për këto domate nga institucionet përgjegjëse dhe marrjen e masave ndaj importuesve.
Me këtë, Kaqaniku thotë se mekanizmat e mbikëqyrjes, inspektorët e tregut dhe Doganat kanë shkelur Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Kemi të drejtë të kërkojmë hetime detaje dhe të menjëhershme për këto domate, marrjen e masave ndaj përgjegjësve dhe njoftimin e opinionit konsumator. Kërkojmë që raste të tilla të mos lejohen më”, ka thënë Kaçaniku.
Nga ana tjetër, zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, hedh poshtë pretendimet e organizatës “Konsumatori”. Sipas tij, nëse shikohet literatura për fitohormonet, atëherë tregon që ato në shumicën e rasteve përdoren për rritjen e kualitetit të frutit dhe se në të gjitha vendet e BE-së është i lejuar përdorimi i tyre. Ndërsa për praninë apo jo të farave brenda frutave, në këtë rast domates, thotë kjo varet nga i lloji varietetit.
“Dhe të ngritësh dyshime mbi diçka që nuk bazohet në gjuhën argumentit apo rezultateve laboratorike të pabazuara shkencërisht me shumë i ngjan një keqinformimi për konsumatorin vendas”, ka thënë Thaçi.
Por, pranon se deri tani nuk kanë pasur asnjë ankesë për ndonjë rast.
Ndryshe, organizata “Konsumatori” ka kërkuar që të ketë kontroll në detaje të çdo importi, si dhe mbrojtjen e plotë të konsumatorit nga çdo ushqim i cili mund t’ia rrezikojë shëndetin.