UBT

Kosova drejt liberalizimit të vizave më ngadalë sesa ecja në këmbë

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Nga Augustin Palokaj – Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës e kanë lodhur popullin tash e sa vite me premtime joserioze për liberalizim të vizave. Ata aq shumë kanë manipuluar me këtë çështje, saqë i kanë kritikuar edhe miqtë e mëdhenj të Kosovës kur tërhiqnin vërejtjen se ky liberalizim nuk do të ndodhë shpejt. Tash, në bazë të raportit të fundit të Komisionit Evropian, është bërë e qartë se para vitit 2016 nuk mund të ketë liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës dhe ata do të mbeten në këtë segment ende të izoluar dhe të diskriminuar.

Para disa ditësh një grup qytetarësh të Kosovës kanë mbërritur në Bruksel si shtegtarë për të sensibilizuar edhe opinionin edhe zyrtarët evropianë për të përfshirë edhe qytetarët e Kosovës në grupin e evropianëve, të cilët mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Nuk është fjala për shtegtarë të rëndomtë, por për entuziastë të jashtëzakonshëm, të cilët këtë rrugëtim e bënë më këmbë. Se sa mund i madh është ky e dinë më së miri bashkatdhetarët tanë të cilët nga Perëndimi i Evropës një herë në vit e bëjnë shtegtimin në vendlindje me veturë dhe vijnë të lodhur e të rraskapitur.

E Brukseli është edhe më larg sesa Zvicra apo Gjermania. Një grup tjetër, po ashtu me mund të madh, por pak më shpejt, e ka bërë shtegtimin nga Brukseli për në Kosovë me biçikletë. Edhe ata për të njëjtin qëllim. Të dy këto grupe edhe sakrifica e tyre dëshmojnë një gjë. Dëshmojnë se në këtë moment asnjë temë, as krijimi i qeverisë, as kush do të akuzohet për krime të luftës, e asgjë tjetër nuk e ndien më afër zemrës sesa liberalizimin e vizave. Dhe ky popull në asnjë aspekt tjetër nuk e sheh veten më të diskriminuar në krahasim me qytetarët e tjerë të rajonit dhe më gjerë. Me të drejtë e pyesin veten “a vërtet ne jemi aq të ndryshëm nga të tjerët?” Pa dashur të diskriminojmë popujt e tjerë, sepse vetë jemi të diskriminuar dhe e dimë se sa e rëndë është një gjë e tillë, qytetarët e Kosovës kanë parë në këto pesë vjet të hiqen vizat për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, më vonë edhe të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Tash edhe të Moldavisë dhe të shumë vendeve të tjera edhe të botës së tretë. Në kohën kur qytetarëve të Kosovës, për ta marrë ndonjë votë të tyre, u premtohej se “shumë shpejt do të lëviznin lirisht në BE” niveli i refuzimit të vizave për qytetarët e shtetit më të ri evropian është bërë ndër më të lartit në botë.
Në kohën kur kosovarët paraqiten nëpër reklama të paguara me paratë e taksapaguesve si “Evropianët e rinj” shifrat tregojnë se vetëm 3% e tyre kanë pasur rastin të pajisen me viza dhe të udhëtojnë në BE në vitin 2013.

Nëse e marrim parasysh se në mesin e atyre të cilët kanë pasur fatin të pajiseshin me vizë ka shumë politikanë dhe zyrtarë qeveritarë, studentë dhe njerëz që kanë shkuar për shërim, atëherë pa dyshim mund të themi se udhëtimi në BE ka qenë pothuajse i pamundur për shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës.

Ka shumë shpjegime pse kosovarët janë në këtë pozitë. Ka shumë arsye ta kritikojmë Komisionin evropian dhe shtetet e BE-së. Por duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se fajin më të madh e kanë autoritetet e Kosovës, sepse nga BE-ja asnjëherë nuk është premtuar asnjë afat e as shpejtësi për arritjen e liberalizimit të vizave. Premtimet janë dhënë nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga kreu i Qeverisë e teposhtë.

Pa marrë parasysh a ka qenë qëllimi i këtyre premtimeve joserioze rritja e popullaritetit në prag të zgjedhjeve apo tentim për të arsyetuar kompromiset në dialogun me Serbinë, ato kanë krijuar një zhgënjim të madh tek qytetarët e Kosovës dhe kanë irrituar diplomatët evropianë, të cilët, për shkak të mirësjelljes, janë përmbajtur nga kritikat publike ndaj Qeverisë së Kosovës për premtime të rrejshme.

E në të njëjtën kohë kur premtonin liberalizim të shpejtë të vizave, autoritetet e Kosovës nuk angazhoheshin seriozisht në përmbushjen e të gjitha kushteve. Në proces vizat hiqen atëherë kur të përmbushen të gjitha kushtet, jo kur bëhet përparim i madh, por kur përmbushen të gjitha kushtet. E Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet. Me të drejtë mund të themi se kushtet ndaj Kosovës kanë qenë më të rënda sesa për vendet e tjera.

Por pse atëherë Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi e deri diku edhe Vlora Çitaku i gëzoheshin aq shumë “Udhërrëfyesit”, i cili qartë linte të kuptohej se nuk do të ketë heqje të shpejtë të vizave. Ose nuk e kanë ditur, ose nuk kanë qenë të sinqertë.

Uji Dea

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës e kanë lodhur popullin tash e sa vjet me premtime joserioze për liberalizim të vizave. Ata aq shumë kanë manipuluar me këtë çështje, saqë i kanë kritikuar edhe miqtë e mëdhenj të Kosovës kur tërhiqnin vërejtjen se ky liberalizim nuk do të ndodhë shpejt. Kështu ndodhi kur deputetja austriake në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, pa dyshim personi i cili me vullnet të jashtëzakonshëm në Bruksel bën më së shumti presion për liberalizim sa më të shpejtë të vizave për Kosovën, tha se kjo nuk do të ndodhë për së paku 2 vjet. Iu vërsulën me sulme të pahijshme zyrtarët e Qeverisë së Kosovës sikur ajo të kishte thënë diçka të tmerrshme.

Ajo vetëm e kishte thënë një të vërtetë, jo pse e donte, por pse nuk donte që qytetarët të manipuloheshin. Tash në bazë të Raportit të fundit të Komisionit Evropian është bërë e qartë se para vitit 2016 nuk mund të ketë liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës dhe ata do të mbeten në këtë segment ende të izoluar dhe të diskriminuar. Madje edhe ai “dyvjetëshi” i thënë nga zonja Lunaçek, duket tash optimist.

Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmström, ishte e qartë në prononcimin e saj kur javën që shkoi u nxor raporti i radhës për progresin e Kosovës në dialogun e liberalizimit të vizave. ”Autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë dhe kanë arritur progres në fushat, si pranimi dhe siguria e pasaportave.

Ata duhet të vazhdojnë të punojnë në rezultatet e treguara dhe të angazhohen në mangësitë e identifikuara në këtë raport, në veçanti kur është fjala për sistemin informativ për viza, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian është i gatshëm t’u ndihmojë atyre në përpjekjet e tyre për të pasur progres konkret në vend’,’ pati thënë ajo.

Komisioni Evropian e bën të qartë se Kosova duhet të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. E kjo na bën të jemi edhe më pak optimistë, sepse në Kosovë në këtë fushë nuk ka përparim e vendet anëtare mund ta keqpërdorin këtë fakt për të dënuar qytetarët e Kosovës duke mos i liberalizuar vizat.

Në anën tjetër Komisioni ka vlerësuar se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të mund të ketë një ndikim negativë dhe të paraqesë rrezik për rritjen e migrimit dhe madje edhe rrezik për sigurinë e BE-së.

Pra në kohën kur ende ka tentime që ky raport të paraqitet si pozitiv, BE-ja bën të qartë se kosovarët ende i sheh edhe si rrezik për sigurinë e saj. Këtë e shpjegon edhe me shifra duke konstatuar se ka pasur rritje të numrit të azilkërkuesve.

Edhe pse në BE asnjëherë nuk do të përmendin afate se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave është e qartë se kur nuk do të ndodhë. E kjo nuk do të ndodhë këtë vit në asnjë mënyrë, sepse kjo tashmë është e pamundur. Raporti i radhës i Komisionit Evropian nuk do të vijë para vitit 2015. Edhe nëse ai raport konstaton, në variantin më të mirë, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, procedura do të zgjasë, do të kërkohet pajtimi i Parlamentit Evropian, i shteteve anëtare dhe kështu do t’i afrohemi vitit 2016, kur realisht edhe mund të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët. Dhe kjo me kushte që deri atëherë Kosova t’i përmbushë të gjitha kriteret.

Por situata e tashme në Kosovë, puna e gjykatave, madje rritja e dyshimit edhe në Gjykatën Kushtetuese, rreziku potencial nga tensionet politike, rritja e radikalizmit fetar, nuk janë dukuri të cilat do të ndihmojnë në këtë proces.

Sikur autoritetet e Kosovës, nga politikanët e deri tek gjykatësit, të kishin vetëm pak vullnet sa patën shtegtarët që shkuan këmbë nga Kosova në Bruksel, apo ata të cilët me biçikleta kaluan Evropën duke ardhur nga Brukseli në Kosovë, liberalizimi ndoshta do të ndodhte më shpejt. Ai nuk arrihet me premtime boshe të politikanëve, të cilët për vete nuk e kanë problem të sigurojnë vizat.
©KOHA.net