Marakli të privilegjeve

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Lëvizja Vetëvendosje në opozitë kritikonte privilegjet financiare për zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë publikë. Por, tash në pushtet, kjo parti ka “harruar” të merret me to. Për më tepër, po shton privilegje të tjera. Ndërkohë, paga minimale vazhdon të jetë 170 euro.

Sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje e kritikonte fort ligjin që përcaktonte përftimet e ish-zyrtarëve të lartë politikë. Ky ligj dhe tjetri për presidentin, VV thoshte se duhet ndryshuar, sepse kishin shumë benificione.

“Ka ardhur koha kur ne duhet t’i shkurtojmë disa prej përfitimeve të ish zyrtarëve të lartë, por edhe benificionet që i kanë zyrtarët e lartë, aktualisht… Për mua mbetet e pakuptueshme se si deputeti merrë edhe pagë edhe shtesa në komisione dhe seanca parlamentare”, deklaronte Albulena Haxhiu.

Ndërkaq Glauk Konjufca, tash kryetar i Kuvendit, thoshte se ky ligj është përgatitur me qëllim që politikanët t’ia bëjnë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do të jenë më në pozita.

“Kur e kam lexuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, e kam kuptuar se kryeministri Hashim Thaçi po përgatitet për pensionim politik. Tash kur kryeministrit po i afrohet fundi politik, ai ka filluar t’i ndryshojë ligjet për t’ia bërë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do të jetë më aty ku është. Arsyet janë të qarta, nëse e lexojmë ligjin. Ky është një ligj që e tregon makutërinë e zyrtarëve tanë shtetërorë”, deklaronte ai.

Por tash kur partia e Albin Kurtit është në pushtet, këto deklarata janë harruar. Për më tepër, privilegjet e vjetra vazhdojnë, ndërkaq të reja miratohen.

Ditët e fundit Kryesia e Kuvendit ka miratuar rregulloren e re për shtesa mbi pagën bazë për deputetët dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës politik. Nëpërmjet kësaj rregulloreje, kryetari i Kuvendit do të përfitojë nga shtesat pagë gati sa paga bazë. Sipas ligjit për paga, Konjufca merr pagë bazë 1785 euro. Me rregulloren e re për shtesa ai do të përfitojë shtesë të veçantë mujore 30 për qind të pagës bazë, përkatësisht 535.5 euro. Po ashtu, ai do të përfitojë edhe nga një shtesë e veçantë prej 47 për qind të pagës bazë, përkatësisht 838.9 euro. Kështu, në fund të muajit, Konjufca do të ketë të ardhura në shumën 3159 euro. Ndërkaq, nënkryetarët e Kuvendit do të paguhen gjithsej 2251 euro. Pra, në kohën e qeverisjes së VV’së privilegjet jo që po shkurtohen, përkundrazi, po shtohen. Premtimet dhe kritikat e tyre të dikurshme tashmë janë harruar.

KKGJILAN

Është e natyrshme që zyrtarët kryesorë publikë të paguhen në shumë të caktuar edhe pas përfundimit të mandatit. Por, në një vend të varfër si Kosova, këto benefite, këto privilegje duhet të rishikohen dhe të reduktohen.

Përderisa ish-politikanët dhe zyrtarët tjerë vazhdojnë t’i gëzojnë privilegjet, gjendja ekonomike e kosovarëve vazhdon të jetë e vështirë.

Qeveria e majtë e Albin Kurtit nuk ka arritur ende të miratojë ligjin për pagën minimale. Ndërkohë që inflacioni ka prekur nivele të larta, paga minimale vazhdon të jetë 170 euro, përkatësisht 130 euro, pensionet nuk janë rritur ndërkohë që kostoja e jetës ka “fluturuar”.

Ashtu si plot premtime të tjera, edhe këto për privilegje zyrtarësh e barazi qytetarësh janë harruar. Tash zyrtarët e VV’së, të rehatuar në pushtet, po i gëzojnë të njëjtat privilegje, të cilat dikur i kundërshtonin. Tash pushtetarët e VV’së po sillen sikurse ata që kanë qeverisur para tyre, ndonëse në pushtet kanë ardhur me premtimin se nuk do të jenë si ata.

Premtimet e VV’së opozitare kanë mbetur vetëm fjalë të bukura që trullosin mendjen e qytetarëve. Më shumë se dy vjet në pushtet, qeveritarët VVistë nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për ndryshimin e ligjeve që rregullojnë këto privilegje.

Duket se për VV’në ka qenë e lehtë që të akuzojë e kritikojë sa ka qenë në opozitë, por tash po i pëlqen pushteti dhe as po merret me pretendimet e dikurshme. Megjithatë po insiston se nuk ka ndryshuar, se është parimore dhe të tjera budallallëqe të këtij lloji.

Tashmë nuk mund të flitet as për premtime të mbajtura, e as për parime të pandryshuara. Privilegjet që i gëzojnë ata para tyre sot, do t’i gëzojnë këta nesër. Janë bërë marakli të privilegjeve.