UBT

Koncepti i Hoxhë Lipovicës ishte i qartë dhe i thjeshtë – për Shqipëri Etnike dhe për bashkim kombëtar

/ 14 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Libri i historianit Aliriza Selmani është botuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës. Në fjalën e tij autori ka thënë se në radhën e personaliteteve të shquara për çlirim e bashkim kombëtar të kësaj hapësire që lidhej me çlirimin e vargmaleve të Karadakut shquhet Mulla Jusufi nga fshati Lipovicë (Blinajë) e Gjilanit, i cili në popull të kësaj ane, por dhe më gjerë njihej si Hoxhë Lipovica.Personalitete të tilla të cilët me përkushtim të lartë luftuan për fatin e kombit e lirinë asnjëherë nuk janë frikësuar a ligështuar para asgjësimit të tyre fizik, madje edhe përkundër rrezikut që familjet e tyre të vihen para sakrifikimit dhe sigurisht kanë meritën e vlerësimit të përhershëm si atdhetar të devotshëm, sepse përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar nuk i ndalën kurrë ka shkruar historiani Aliriza Selmani nw parathënien e librit.

Parathënia e autorit

Historia e kohës së re në Kosovën Lindore si pjesë e historisë së shqiptarëve në tërësi ka kaluar periudha tejet të vështira, në veçanti pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, pasi që nuk solli si rezultat përfundimtar bashkimin kombëtar të shqiptarëve, për shkak se dy të tretat e Shqipërisë etnike dhe gjeografike u sakrifikuan e iu falën shteteve fqinje1 nga ana e Fuqive të Mëdha.

Në radhën e personaliteteve të shquara të përpjekjeve për çlirim e bashkim kombëtar të kësaj hapësire, që lidhej me fillimin e vargmaleve të Karadakut shquhet Mulla Jusufi nga fshati Lipovicë (Blinajë) i Gjilanit, i cili në popull të kësaj ane por edhe më gjerë, njihej si Hoxhë Lipovica. Personalitete të tilla, të cilët me përkushtim të lartë luftuan për fatin e kombit e lirinë, asnjëherë nuk janë frikësuar a ligështuar para asgjësimit të tyre fizik, madje edhe përkundër rrezikut që familjet e tyre të vihen para sakrifikimit, dhe sigurisht, kanë meritën e vlerësimit të përhershëm si atdhetar të devotshëm, sepse përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar nuk i ndalën kurrë.

Jeta patriotike e Hoxhë Lipovicës

Jeta patriotike e Hoxhë Lipovicës është e lidhur ngushtë me jetën e një veprimtari të guximshëm për liri e bashkim kombëtar; është e lidhur ngushtë me fatin dhe përpjekjet e popullit për çlirim. Jeta e Hoxhë Lipovicës, paraqet modelin më të lartë të përpjekjeve ne luftën për atdhe të lirë e të bashkuar. Koncepti i tij ishte i qartë dhe i thjeshtë – për Shqipëri etnike dhe për bashkim kombëtar.

Hapat e parë në formimin e personalitetit të tij dhe forcimin e ndjenjave patriotike atdhetare, fillimisht i detyrohen mjedisit familjar, për të vazhduar në odën shqiptarë të Karadakut, të plotësuara më pas edhe gjatë shkollimit, fillimisht në mejtep e pastaj në Medresenë e Doberçanit. Kësaj trashëgimie, me sjelljet e tij fisnike, burrërore e heroike ndaj çështjes kombëtare, do t’i mbetet besnik deri në fund të jetës, dhe këtë trashëgimi do ta ngre lartë si asnjëherë më parë.

Si autor, theksoj se për Hoxhë Lipovicën kisha dëgjuar të flitej kaherë, kurse njohjen me të fillova ta thelloja nga viti 2009, kur hasa në dosjen e tij të hetuesisë dhe gjykimit, në Arkivin e Kosovës, të përpiluar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan gjatë vitit 1947 dhe 1948.

Që këtu, bëra përpjekje për ta nxjerrë nga harresa figurën e këtij nacionalisti demokrat, bashkë me familjarët e tij; veprën, sakrificën dhe luftën e këtyre e njerëzve, të cilët ia përkushtuan veten çështjes së mbrojtjes kombëtare, e të cilët kishin mbetur në harresë nga shkaku se mbi gjysmë shekulli pas LDB, kjo periudhë (LKSH 1941-1947) kish mbetur e pa ndriçuar sa duhet, dhe ishte kualifikuar si veprimtari antishtetërore nga censura komuniste, madje temë e ndaluar për hulumtime shkencore.

Distanca kohore, kur ndjehet mungesa e bashkëveprimtarëve e bashkë kohanikëve, kur duhet mbështetur nga informatorë e informata të gjeneratës së tretë, ma shtoi frikën se nuk do t’ia dalë të zbulojë dhe të pasqyrojë realisht jetën dhe veprën e personalitetit të Hoxhë Lipovicës. Kjo nuk më linte të qetë, ngase kisha parasysh detyrën dhënë vetes, kuptuar si amanet të njeriut që ka sakrifikuar jetën e familjen për liri dhe nderin e kombit si edhe përmasën e përpjekjeve e luftën e tij.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë mbretërore, siç dihet, Kosova u nda mes okupatorit fashist italian, gjerman e bullgar. Pjesa më e madhe e Anamoravës; Gjilani me rrethine iu bashkua Shqipërisë nën administrimin italian. U formua nënprefektura shqiptare me administratë në gjuhen shqipe, u hapën shkolla në gjuhën shqipe duke u vënë themelet e arsimit shqip; u lejua flamuri kombëtar dhe u hoq frika nga shpërngulja me dhunë për në Turqi, sipas elaboratit famëkeq të Çubrilloviqit. Në ndërkohë komunat e Preshevës e Bujanocit dhe një pjesë e Vitisë iu nënshtruan pushtetit shovinist bullgar, që kishte për qëllim eksploatimin, shkombëtarizimin dhe zhdukjen fizike të popullit shqiptar.

Nisur nga gjendja e padurueshme dhe me qëllim të mbrojtjes së popullatës shqiptare nga veprimet e fashistëve bullgarë dhe bashkëpunëtoret e tyre serbë, bëri që nga fillimi i okupimit të formohen grupe të vogla vullnetare, të cilat vepruan në këto anë. Si grupe më të njohura, ishin grupet e Hasan Alisë-Remnikut, Hoxhë Lipovicës, Xheladin Kurbaliut, Hasan e Rexhep Kabashit, Hasan Alisë së Zi, Din Hoxhës, Abdyl Durës… Krahas tyre u formuan dhe vepronin njësi të tjera vullnetare, si njësia e Sylë Hotlës në rrethin e Kumanovës apo ajo e Ajet Raincës në Preshevë.

Hoxhë Lipovica gjatë LDB, do të jetë në rrethin e ngushtë të krerëve të Anamoravës në organizimin e forcave vullnetar dhe pjesëmarrjen e tyre në mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore; do të jetë pjesëmarrës në krye të aksioneve konkrete në vijën e frontit, në luftë kundër depërtimit të forcave partizane serbe e bullgare në këtë zonë, të cilën e njihte për mrekulli e në të cilën operonte me sukses.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943, u krijuan rrethana të tjera politike. Prej 16-20 shtator ne Prizren u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit. Për nënprefekturën e Gjilanit u formua Shtabi i Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipërisë Etnike për Kosovën Lindore ne krye me Mulla Idriz Gjilanin. Në këtë shtab krahas të tjerëve ishte edhe Hoxhë Lipovica.

Nga gjysma e qershorit 1944, kufijtë etnik shqiptar sulmohen nga njësitë partizane. Më 28 qershor tentuan të kalonin kufirin ne Kikë e Velegllavë, por pësuan disfatë. Më 26 korrik ndodhi sulmi i dytë kur popullsisë së armatosur i erdhi në ndihmë Regjimenti IV i Ushtrisë Shqiptare, dhe kjo luftë e ashpër përfundoi me disfatën e partizanëve.

Pas kapitullimit të Bullgarisë fashiste më 9 shtator 1944, popullsia e Kosovës Lindore u vetorganizua në mbrojtjen e trojeve të veta, nën udhëheqjen e krerëve popullorë, në mesin e të cilëve edhe Hoxhë Lipovica, duke bërë luftë çlirimtare për liri, të drejta njerëzore e kombëtare. Gjatë luftës, shtator-nëntor 1944, kur mbrohej kufiri kundër synimeve partizane serbo-bullgare, që njihet si Lufta e Preshevës pati përleshje të ashpra. Gjatë asaj kohë shqiptarët nuk bën masakra, plaçkitje por iu përmbajtën rregullave të luftës, ndërkaq siç dihet, depërtimi i njësiteve partizane u shoqërua me masakra ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare.

Nga kjo periudhë kohore e deri në mesin e nëntorit 1944, sulmet e njësive partizane jugosllave, të ndihmuara edhe nga ato bullgare, ishin të pandërprera në kufijtë e Kosovës Lindore. Këto forca, më 16 nëntor 1944 pushtuan Gjilanin, ku bënë vrasje të tmerrshme ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare të Gjilanit e rrethinës.

UBT

Pikërisht tani, u fuqizua rezistenca e armatosur shqiptare kundër vendosjes së pushtetit okupues serb, pra ishte rezistencë, në rend të parë, për shpëtim. Kështu, më 1 dhjetor 1944, u formua Shtabi Suprem i Kosovës në krye me Adem Selimin-Gllavicen. Më 23 dhjetor 1944, Forcat e rezistencës kombëtare të Kosovës Lindore e sulmuan Gjilani, si shkas ishin sjelljet brutale të Brigadës 17 Maqedone në fshatrat e rrethit të Gjilanit e të Preshevës. Sulmi dështoi për shkak të epërsisë së forcave ushtarake partizane. Pas këtij sulmi dhe tërheqjes së shqiptarëve nga Gjilani, u bë plojë e paparë në qytet e rrethinë, duke burgosur e likuiduar me qindra shqiptarë të pafajshëm të moshave të ndryshme. Që nga kjo kohë, një numër i të arratisurve e vazhduan rezistencën kundër riokuipimit të pushtetit serb. Kjo rezistencë vazhdoi deri më 1947, nën drejtimin e ONDSH-së.

Ndërkohë, paraqitja e LNDSH-së, shënon një kaptinë të re të lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar, në kuadër të të cilës vepronin edhe grupet e të arratisurve të strehuar në male. Vështruar nga lëvizjet tjera, kjo organizatë ishte më masivja si antikomuniste e pas LDB në këtë pjesë të Evropës. Në gjithë këto luftëra e përpjekje, ballë burrash si prijës e luftëtar e shohim edhe Hoxhë Lipovicën.

Protagonistin kryesor të kësaj Monografie, Hoxhë Lipovicën, për veprimtarinë e tij për çështjen kombëtare dhe pjesëmarrjen e tij si luftëtar dhe udhëheqës popullor me armë në dorë, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, më 17 shkurt 2016, solli Vendimin me të cilin e dekoroi atë (Jusuf Baftjarin -Hoxhë Lipovicën), me Urdhërin e Lirisë, për kontributin e tij të lartë për Lirinë e Kosovës.

Gjithashtu, edhe vëllait të Hoxhë Lipovicës, Rifat Baftjarit, i vrarë në Luftën e Myqybabës, (29 nëntor 1944), presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i jep “Dekoratën e artë të shqiponjës”, me nr. 8907, Tiranë, më 20.01. 2015.
Monografia nuk do të ishte bërë pa mbështetje në burime arkivore të proveniencës gjyqësore, të grumbulluara, edhe përkundër faktit se ato janë bërë nga armiku ynë shekullor dhe për qëllime të caktuara. Gjithashtu, janë marrë për bazë të dhënat bibliografike-historike e publicistike që bëjnë fjalë për Kosovën Lindore.

Në Agjencinë e Arkivave të Kosovës, në fondin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, hasëm në dosjen voluminoze, ku gjetëm materialet që kishin të bënin me proceset gjyqësor ndaj Jusuf Baftjarit (Hoxhë Lipovicës) dhe djemve të tij Selimit e Qazimit, duke filluar me dorëzimin e tyre, ngritjen e aktakuzës nga Prokurori publik i Gjykatës së Qarkut në Gjilan, vendime gjyqësore, si dhe ankesat e të gjykuarve e të avokatit drejtuar Gjykatës Supreme të Serbisë etj.

Në dokumente hasëm edhe në aksionet ushtarake e policore të OZN-ës e pastaj UDB-ës,2 kundër grupeve të armatosura të Rezistencës Kombëtare në Karadak, pra edhe të grupit të Hoxhë Lipovicës. Dokumentet flasin bindshëm dhe ndriçojnë rolin e Hoxhë Lipovicës, djemve e bashkëluftëtareve të tij në luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Duhet theksuar se dorëzimin e tij, Hoxha nuk e bëri nga dobësia, mëshira apo vullneti për të jetuar nën Jugosllavinë titiste; ai ishte i vetëdijshëm për “drejtësinë” e ligjeve serbo-sllave, ndaj shqiptarëve. Vetë qëllimi i regjimit komunist për ta likuiduar me çdo kusht tregon vlerën e lartë të veprës se tij për çështjen kombëtare, prandaj Hoxha si gjithnjë, edhe tani qe i gatshëm të sakrifikohej, në interes të të tjerëve që rrezikoheshin nga përpjekjet për kapjen e tij.

Me këtë rast falënderoj punëtorët e Arkivit Ndërkomunal në Gjilan, Arkivit të Kosovës, në mënyrë të veçantë Zonjën Zelije Shala, Shefe e Depos së Arkivit, për gatishmërinë e pa rezervë për të më ndihmuar në gjetjen e materialit arkivor.

Monografia nuk do të ishte e plotë po të mos hulumtohej terreni dhe të mblidheshin burimet gojore, në rastet e mungesës së dokumentacionit relevant. Me shumë vlerë janë kujtimet dhe vlerësimet e personave që e kanë njohur Hoxhë Lipovicën.

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata evokues, qofshin familjarë, bashkëpunëtorë e të tjerë qe ishin të gatshëm të ndihmojnë në plotësimin e kësaj monografie. Me këtë rast ndjej për detyrë të falënderoj Isuf Baftjarin, iniciues i hartimit të monografisë – stërnip i Hoxhë Lipovicës, Ali Musliun e të tjerët, për angazhimin e tyre në hulumtimin e terrenit. Të dhënat e grumbulluara, është bërë përpjekje të sintetizohen e përpunohen në mënyrë analitike, studimore me metodën krahasuese.

Sistemimin e kemi bërë duke iu përmbajtur kriterit kronologjik të zhvillimit të ngjarjeve të kohës dhe të tërë procesit gjyqësor në Gjilan.

Monografia është rezultat i mirëkuptimit që ka pasur ndaj punës sime dhe ndihmës që ka dhënë përmes sugjerimeve konkrete recensenti Prof. Dr. Daut Bislimi, të cilin e falënderoj dhe shpreh mirënjohjen time për cilësinë e konsultave, sugjerimeve e bashkëpunimit profesional si dhe pëlqimin e tij për botimin e këtij dorëshkrimi me titull “Hoxhë Lipovica – Atdhetar i devotshëm”. Gjithashtu falënderoj edhe redaktorin gjuhësor, Mr. Tahir Arifin për angazhimin e tij të mirëfillte profesional si dhe përgatitjen e historikut të fshatit Lipovicë.

Falënderoj edhe Shoqatën “Gjilani” me seli në Zyrih (Zvicer), për angazhimin në përkthimin e dokumenteve nga gjuha serbe në atë shqipe.

Libri u bë e mundur të jetë në duar të lexuesit në saje të donatorëve të ndihmës financiare të djemve të Ymerit, Besimi, Bekimi, Burimi dhe Rexhep Baftjari, punëtorë me punë të përkohshme në Irlandë, pasardhës të Hoxhë Lipovicës, të cilët ndihmuan përgatitjen dhe botimin e kësaj monografie thuhet në parathënien e autorit.

Edhe recensenti Daut Bislimi ka thënë se Hoxhë Lipovica ishte atdhetar i devotshëm dhe në shërbim të çlirimit kombëtar. Bislimi e ka quajtur librin të bazuar në arkiva e dokumente të mjaftueshme dhe burime të shumta që janë hulumtuar e studiuar.

Bislimi e ka quajtur autorin e librit Aliriza Selmanin si punëtor të palodhshëm të ndërgjegjes kombëtare.

“Autori i është kthyer kujtesës historike të ngjarjeve dhe fenomeneve historike, duke sjellur faktografi historike të bollshme për rrjedhat dhe ngjarjet historike në këto treva. Aliriza Selmanin në këtë vepër e shohim si studiues të zellshëm e dorëmbarë, i cili heton dhe zbulon dhe dëshiron t`i ndriçoj ëe trajtojë më së miri dukuritë, zhvillimet dhe ngjarjet historike të kohës, duke bërë njëkohësisht edhe analiza të thukëta, të thella e të gjithanshme përmbajtësore, nxjerrë gjykime e përfundime të drejta për vitet e ngjarjet në shqyrtim” ka shkruar Bislimi.

Ndryshe libri ka pesë kapituj dhe përmban materiale të shumta arkivore e hulumtim të thellë që pasqyron në mënyrë të kompletuar figurën e Hoxhë Lipovicës./rajonipress/