UBT

Këshilli zgjedh Elmaze Nurën drejtoreshë të Teatrit Kombëtar të Kosovës

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Aftësitë menaxhuese, personaliteti, njohuritë për pozitën e drejtorit dhe të funksionimit të teatrit, të cilat i ka shpërfaqur në platformë dhe në intervistë, kanë bindur anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, që të vendosë për regjisoren Elmaze Nura, në postin e drejtoreshës së përgjithshme në institucionin më të lartë të skenës teatrore në vend.

Pas një procesi pesorësh të intervistës, konsultimit dhe votimit, shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së, kanë nxjerrë vendimin, nëpërmjet së cilit Nura mund të marrë drejtimin e TKK-së për katër vitet e ardhshme.

Drejtoresha aktuale e TKK-së, Burbuqe Berisha, mandati i së cilës skadon në fillim të muajit mars, bashkë me aktorin Avni Abazi, producentin Avni Dalipi dhe dramaturgun Naser Shatrolli, janë kandidatët të cilët kanë humbur përballë Nurës që, sipas Këshillit, i ka plotësuar më së shumti kriteret e përcaktuara. Kandidatja tjetër, Mucelja Mushkeran, është diskualifikuar pasi që nuk ka qenë e pranishme në intervistë.

(Sa është afati për ankesat që mund ta kundërshtojnë këtë zgjedhje, kur pritet ta marrë detyrën drejtoresha, ç’ thotë drejtoresha në detyrë për drejtoreshën pasuese, çfarë mendojnë pretendentët për këtë post, lexoni sot më gjerësisht sot në Koha Ditore)

“Bordi, në kuadër të kompetencave që ia jep Ligji për teatrot, ka bërë zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm, bëhet fjalë për kandidaten Elmaze Nura, e cila nga shumica e anëtarëve të këtij Këshilli ka marrë më shumë pikë”, ka thënë Zymber Kelmendi, kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së. “Procesi i votimit nuk ka qenë me votë, por me pikë, dhe nga ajo është nxjerrë mesatarja”, ka shtuar ai. Këshilli nuk ka bërë publike pikët e dhëna nga anëtarët e as numrin e pikëve që i kanë marrë kandidatët.

“Votimin nuk do ta bëjmë publik për secilin, sepse edhe anëtarët e Këshillit, por edhe konkurrentët, janë personalitete të fushës së kulturës”, ka thënë Kelmendi.

“Por mund të them se Nura prin bindshëm”, ka shtuar ai.

Sipas Kelmendit, anëtarët kanë dhënë pikë për kriteret kryesore. Ai nuk ka preferuar të flasë për aftësitë që kanë treguar konkurrentët e tjerë, por ka thënë se Nura në nuanca të caktuara është dalluar më shumë. Me Ligjin e ri për teatrot – i cili në maj të vitit të kaluar zëvendësoi atë të 2006-s, drejtorin e zgjedh Këshilli drejtues i TKK-së e jo ministri i Kulturës me propozim të Këshillit siç ka qenë me ligjin e vjetër. Po ashtu me ligj të ri drejtorit të përgjithshëm i janë shtuar përgjegjësitë, duke përfshirë edhe të drejtën për të marrë pjesë në përzgjedhjen e repertorit të TKK-së.

Një muaj është afati për ankesa, dhe pas kësaj pritet të zyrtarizohet edhe drejtoresha e re e TKK-së, Elmaze Nura. Në platformën menaxhuese të saj, me të cilën edhe ka konkurruar për postin e të parës në TKK, dokument të cilin e ka “Koha Ditore”, ka renditur si prioritete të saj, ngritjen e imazhit të TKK-së, promovimi i shfaqjeve në nivel vendor dhe ndërkombëtar dhe menaxhimin e TKK-së, në atë formë që ajo e ka quajtur dinjitoze. Sipas platformës së Nurës, TKK-ja “duhet të jetë shumë më racionale në shpenzimet e planifikuara” dhe të mbledhë gjithashtu fonde të tjera, përpos ato që i ndahen nga shteti. Sivjet TKK-ja ka 300 mijë euro buxhet nga Ministria e Kulturës dhe sipas Ligjit për teatrot ky institucion ka edhe kodin e vet buxhetor. Nura, e cila vitin e kaluar ka inskenuar në TKK shfaqjen “Lisistrata”, thotë se planifikon të bëjë ndryshime edhe në administratën e TKK-së që, sipas saj, ka ngecur. Për këtë ajo planifikon funksionalizim të stafit. Aspekti promovues i shfaqjeve, funksionalizimi i trupës rezidente, stafit teknik, mirëmbajtja e ndërtesës së TKK-së, arkivit dhe rifunksionalizimi i videotekës së bashku me planin për ta bërë një festival të TKK-së, janë disa nga elementet që Nura i ka shkruar në platformën e saj.

Por për drejtoreshën e tanishme të TKK-së, Burbuqe Berisha, emri i drejtorit të Elmaze Nurës është ditur qysh para një muaji si pretendente për post. “E kemi ditur para një muaji emrin e fituesit”, ka thënë ajo, gjysmë ore pasi Këshilli ka vendosur në disfavor të saj. Por pyetjes se përse ka konkurruar kur e ka ditur fituesin, Berisha i është përgjigjur se e ka parë si obligim qytetar. “Dhe ende besoj se shteti im është shtet i mirë”, ka thënë Berisha. Megjithatë ajo ia ka uruar postin e ri, koleges së saj, Nura. “Për hair i koftë”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se nuk i mbetet merak pse nuk e ka marrë edhe një mandat tjetër.

Por Berisha ka thënë fjalë të tjera, për Këshillin dhe konkursin, para se të merrej vendimi. Ajo ka qenë e fundit prej kandidatëve që është intervistuar.

Uji Dea

“Nuk i di preferencat e askujt, e kam kryer punën time, kam rikandiduar dhe mendoj se gjithçka që do të ndodhë, do të shkojë ashtu siç duhet”, ka thënë Berisha, një orë para se Këshilli të merrte vendimin.

E në fakt emrat e Burbuqe Berishës dhe Elmaze Nurës ishin përmendur si pretendentet kryesore për postin e drejtorit të TKK-së, një javë para intervistës. “Koha Ditore” kishte raportuar sesi Nura ishte përmendur si e favorizuar nga Bordi, ndërsa Berisha nga Ministria e Kulturës.

Berisha ka thënë se nuk e ka ditur këtë, teksa ka shtuar se i “vjen mirë që ministria e favorizon”, pasi, sipas saj, kjo i bie se ka “kryer punë të mirë gjatë tri viteve”.

“Tash po del që nuk jam e preferuara e ministrit dhe nuk jam pjesë e kalkimeve ditore”, ka thënë Berisha, pasi ka marrë vesh vendimin e Këshillit. “Megjithatë, teatri ka nevojë për mua e jo unë për të”, ka thënë Berisha.

Nura, në anën tjetër, ka thënë se nuk e di se nga ka dalë emri i saj si i preferuar i Bordit.

“Duke pasur parasysh nivelin tim artistik ndoshta ju kanë frikësuar kësaj dhe ka çuar pluhur dikush “, ka thënë Nura. Ajo ka përmendur dy master diploma – njërën për teatër e tjetrën për gazetari – plus një bursë amerikane për menaxhim të artit, kur ka folur për aftësitë e saj.

Kryetari i Këshillit, Kelmendi ka përjashtuar mundësinë se ka pasur favorizim ndaj një kandidati, duke thënë se po të ishte ashtu, kandidatët nuk do të paraqiteshin në intervista.

E atmosfera në Teatrin Kombëtar të Kosovës, gjatë së premtes ka qenë e mbushur edhe me humor nga ana e stafit që kanë komentuar praninë e madhe të medieve duke thënë se “po zgjidhet Obama”. Ka pasur edhe paradokse. I tillë ka qenë prania e kandidatit Naser Shatrolli në intervistë, ani pse një javë më parë, nëpërmjet një reagimi publik, kishte kërkuar shkarkimin e Këshillit dhe kishte thënë se nuk do të paraqitej para tij.

Fakti se pesë anëtarët e Këshillit janë nga në Akademinë e Arteve, aty ku punon edhe Elmaze Nura, sipas Shatrollit, i bën të tjerë kandidatë të jenë vetëm skenografi. Madje, Shatrolli ka pasur të njëjtin qëndrim edhe pasi ka dalë nga intervista. “Kam qenë dhe jam kundër procesit, sepse ka qenë i gabueshëm. Pesë anëtarë që vijnë nga Fakulteti i Arteve, është gabim, sepse TKK-ja nuk është dikaster i Fakultetit të Arteve, sepse TKK-ja prodhon e Akademia shkollon”, ka thënë Shatrolli. “Megjithatë edhe unë do t’ia jepja votën një kolegu tim”, ka shtuar ai.

Se kandidatët dhe anëtarët e Këshillit kanë qenë të gjithë kolegë dhe miq, këtë e kanë thënë edhe disa kandidatë të tjerë.

“Komisionin pak a shumë i kemi miq dhe kolegë, sepse komuniteti artistik është i vogël”, ka thënë aktori Avni Abazi. Ai ka kritikuar fushatën, siç e ka quajtur ai, “mediale” lidhur me zgjedhjen e drejtorit të TKK-së. “Kam pasur hezitim për të ardhur në intervistë, pas lakimit të disa emrave”, ka thënë ai. Edhe kandidati tjetër, Avni Dalipi, ka pohuar kolegjialitetin me anëtarët e Këshillit. “Me vetë faktin që kam ardhur në intervistë dhe që nuk jam tërhequr tregon faktin se unë nuk paragjykoj, nuk i takoj grupit të njerëzve që janë mësuar të mos e zbatojnë ligjin”, ka thënë Dalipi. “Secili ka mundur të paragjykojë se dikush është pjesë e teatrit apo e Akademisë së Arteve”, ka shtuar ai. E për kryetarin e Këshillit Drejtues, Kelmendi, prania e kandidatëve në intervistë tregon se nuk ka pasur favorizime. “Ndryshe nuk kishin ardhur në intervistë. Dhe e dyta, nuk është mëkat të jesh profesor e as koleg me dikë”, ka shtuar ai.(koha)