RCCOLA

Jetë qeni

/ 6 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – S’është kurrfarë fati i mirë që qenve e njerëzve iu ka rënë hise të jetojnë në Kosovë. Të dy palët bëjnë jetë të zorshme. Mund të të vrasin si qen, apo të lënë të jetosh qençe. Në fushatë zgjedhore, dikush edhe mund të kujtohet për ty.

Kur Nikola Çaushesku po numëronte vitet e fundit të pushtetit në Rumaninë komuniste, po tregohej zemërgjerë sa s’ka. Qindra-mijëra qen endacakë që kishin pushtuar Bukureshtin, ai vendosi të mos i vrasë. Po, ai kishte vrarë njerëz sa i kishte dashur qejfi dhe të gjithë ishin mësuar me mizorinë e tij ndaj njerëzve. Por, nuk do t’ua jepte kënaqësinë armiqve që ta shihnin mizorinë e tij ndaj kafshëve. Ai po tregohej human – nuk po i mbyste, por po i linte qentë që të ngordhnin në mjerimin e tyre, pa ushqim e strehim.

Në njërën nga veprat e saj, shkrimtarja kroate Slavenka Drakulic e ka pëshkruar në mënyrë të mahnitshme, nëpërmjet gojës së një qeni plak, gjithë absurdin e dhimbshëm të atyre viteve. Të viteve kur rumunët bënin jetë qeni dhe ndjeheshin të viktimizuar, të braktisur, të varfër, të zhgënjyer. Të viteve kur Çaushesku vendoste nëse njerëzit e meritojnë të jetojnë, nëse qentë e meritojnë të jetojnë.

Gati tri dekada më vonë, gjërat në Rumani kanë ndryshuar. Por, qentë endacakë ende janë problem për kryeqytetin dymilionëbanorësh. Në prag të samitit të NATO’s, në pranverën e vitit 2008, autoritetet rumune pastruan qytetin nga qentë, të cilët i strehuan ku mundën e si mundën, në mënyrë që mysafirët e rëndësishëm të mos bezdiseshin nga prania e tyre.

Por, jo vetëm qentë endacakë janë problem në Bukuresht. Problematike në krejt vendin vazhdon të jetë trashëgimia e ish-diktatorit, pavarësisht se vendi ka vite që është pjesë e Bashkimit Europian. Rumunët nuk mund ta harrojnë lehtë jetën e tyre prej qensh dhe vuajtjet e përjetuara në diktaturë, edhe pse tash janë zyrtarisht europianë – europianë të varfër.

* * *

Larg Bukureshtit, në kryeqytetin kosovar Prishtinë, para pak ditësh një grup të rinjsh u mblodhën në shesh – jo për të kërkuar vota për ndonjë kandidat partie, por për të bërë thirrje që të mos vriten qentë endacakë.

Mu në pikun e fushatës zgjedhore, ata po kërkonin që pikërisht politikanët që kërkonin vota, t’i bindnin për qasje më humane ndaj qenve. Gjithçka po ndodhte në kryeqytetin e vendit, qytetarët e të cilit ndihen të viktimizuar, të braktisur, të varfër, të zhgënjyer. Në kryeqytetin e vendit, shumë qytetarë të të cilit bëjnë jetë qensh, jetë pa dinjitet, por ju vjen ndërmend të kërkojnë dinjitet për qentë.

Zgjidhja më e lehtë dhe më e lirë për eleminimin e qenve endacakë, sipas optikës së atyre që e kanë në dorë t’ua marrin shpirtin, është t’i vrasin pa pikën e mëshirës. Pse të investojnë para në ndërtim strehimoresh, kur të njëjtat mund edhe t’i fusin në xhepat e vet? Tekefundit, sa vlen një jetë qeni?

Kauza e grupit të të rinjve që po kërkonin dinjitet për qentë dikujt mund t’i duket edhe absurde, për faktin se qytetarëve të varfër zor se iu vjijnë ndërmend kafshët, kur kanë vështirësi për të siguruar mirëqenie për veten. Absurd deri në dhimbje. Por, absurde tingëllojnë edhe shumica e premtimeve të politikanëve që bëhen për njerëzit. Kafshët as që zihen në gojë. Pak zihen në gojë edhe ata që kanë ikur nga ky vend dhe jetojnë si kafshë nën urat e Europës. Atje ku qentë europianë kanë më shumë të drejta. Atje ku thënia “jetë qeni” ka tjetër kuptim dhe simbolizon jetë të begatë e të dinjitetshme. Aso çfarë bëjnë qentë e Europës.

* * *

UBT

Qentë endacakë shëtisin të lirë nëpër Prishtinë. Ata që mund t’i vrasin ose mund të gjejnë një zgjidhje fatlume për ta janë të zënë me fushatë. Janë duke u premtuar njerëzve jetë më të mirë se të qenve. Janë duke u treguar humane me qentë, sepse nuk po i mbysin, por po i lënë të ngordhin në mjerimin e tyre, pa ushqim e strehim.

Janë duke u treguar humanë edhe me njerëzit. Sepse, mund t’i shpenzojnë krejt paratë e buxhetit nëpër dreka, darka e udhëtime (natyrisht: zyrtare) dhe të mos e shtrojnë asnjë kilometër rrugë, të mos e rregullojnë asnjë metër rrjet kanalizimi, të mos e investojnë asnjë cent në bujqësi.

Thonë se jetojnë në një sistem demokratik, por shumë nga ta nuk dallojnë nga Çaushesku. Mund të mos vrasin njerëz me plumb, por i vrasin në të tjera mënyra. I vrasin me fjalë, me injorim, me përbuzje. I vrasin me indiferencë. I vrasin me paramendim.

I vrasin duke mos u siguruar ujë të mjaftueshëm, duke mos ua pastruar ambientin, duke mos u siguruar arsim cilësor, duke mos u krijuar kushte për punë, duke mos u krijuar siguri për jetë.

I vrasin duke i lënë të jetojnë si qen, duke ndikuar që të ikin jashtë për të jetuar më keq se qentë.

I vrasin duke mos dhënë llogari për votën që ua marrin, duke bërë çmos në emër të tyre.

* * *

Qentë e Bukureshtit janë europianë, por jetën nuk e bëjnë të tillë. Njerëzit që duhet të kujdesen për ta ndajnë të tjera vlera.

Qentë e Prishtinës nuk kanë lidhje me Europën. Këtu njerëzve iu premtohet se do të bëhen europianë. Tek pastaj, mbase, dikush do të merret me qentë.

S’është kurrfarë fati i mirë që qenve e njerëzve iu ka rënë hise të jetojnë në Kosovë. Të dy palët bëjnë jetë të zorshme. Mund të të vrasin si qen, apo të lënë të jetosh qençe.

Në fushatë zgjedhore, dikush edhe mund të kujtohet për ty. Edhe ty mund të bien ndërmend qentë. Tekefundit të dy bëni jetë qeni. Jetë qeni, ama me perspektivë europiane.