Mobi Casa

Jashtëtokësorët dhe ne

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ukshin Zajmi – Në skenën e Teatrit Profesionist të qytetit të Gjilanit u shfaq premiera e shfaqjes “UFO-të” apo “Jashtëtokësoret” (23.01.2015) e autorit Bashkim Hoxha e në regji të Erson Zymberit, në interpretim të: Kushtrim Qerimit, Mejreme Berishës, Ernest Zymberit, Safete Mustafa-Baftiut, Njomëza Kalaveshit, Muharrem Sylejmanit e Bashkim Nexhipit, e ndihmuar edhe nga një grup nxënësish të Shkollës së Muzikës të Gjilanit. Kjo premierë nisi edhe edicionin e 24 të “Talia e Flakës së Janarit 2015” , të cilën, e nderoi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili, e shpallit të hapur këtë edicion.

Publicisti, gazetari e shkrimtari nga Shqipëria Bashkim Hoxha, përmes kësaj komedie paraqiti një vend të Ballkanit, i cili, preokupohet me të gjitha peripetitë që ia sjellin ndjenjat njerëzore, popujt e të cilave mundohen me të gjitha mënyrat për të dominuar në terren, duke shfrytëzuar format e ndryshme të manipulimit në shoqëri.

Ndonëse gjeografikisht pa definim vendi, ai ndarjet përmes kufinjve në këtë botë, herë të madhe e herë të vogël, aktorët i vënë në veprim për të përfituar për interesa përsonale e shoqërore, duke arritur madje që edhe alienëve t’ua imponoi ndjenjat.

Realizimi regjisorial:

Ndonëse ngjarja ndodh në vende te ndryshme, regjisori Erson Zymberi vendos, që me ndihmën e skenografistit, ngjarjen ta realizon në një shtëpi kufitare. Aty, ai vendos shtëpinë dhe në te ndodhin të gjitha ngjarjet, duke bërë disa lëvizje skenike për të ndryshuar ambientin. Ndonëse realizimi i tërësisë së ngjarjes paraqitet në skena e akte të shumta, me transorfmim skenike, ai simulon me sukses vendin e kohen e veprimit, por kuptohet duke i marrë kohë, ngase ende TPGJ nuk ka arritë që të renovon skenën e të aplikon edhe pjesën rrotulluese të binës. Ndonëse madhësia e skenës si dhe lartësia e saj, regjisorit i mundësoi edhe lojë në lartësi, thuaja në qiell, duke shfrytëzuar kulmin e shtëpisë dhe realizimin skenik të prapavisë kosmike, me një hënë, bukur më të madhe, në sfond. Regjisorit ndihmë të madhe i ka dhënë edhe numri i madh i aktorëve gjilanas i të gjitha gjeneratave, andaj ai nuk ka pasë problem për të zgjedhur përsonazhet në bazë të karaktereve të kërkuara.

Rrumbullaksimin e ngjarjes duke i përdorë të gjitha etapat realizuese, qoftë letrare apo edhe skenike, regjisori i komponon me mjeshtri, andaj arrin që pos komunikimit në mes të bartësve të ngjarjes-aktorëve, ai arrin të komunikon bukur edhe me publikun, i cili e përcolli me vëmendje të shtuar, duke u bërë edhe ai personazh masiv, duke e përcjellur me qeshje të mëdha, e, edhe me duartrokitje. Krahas mjeteve konvencionale teatrale, regjisori përdori edhe mjete vizive të cilat shfaqjen e aktualizuan edhe më tepër, qoftë përmes vëzhgimit të përhershëm që paraqitej përmes syrit apo edhe kapërcimit të kohës përmes ecjes vizive nëpër kohë, duke e aktualizuar edhe më tepër ngjarjen përmes ekranit televiziv dhe raportimit për shprazjen aktuale të vendit nga popullata.

Regjisori Erson Zymberi, tekstit të Bashkim Hoxhës, përmes ndihmës së aktorëve dhe pjesëve tjera përcjellëse të realizimit skenik i dha formë skenike, e kësisoji me sukses arriti që të bëhet autori i dytë i këtij teksti dramaturgjik, duke i ofruar publikut një shfaqje të suksesshme.

Loja e aktorëve:

FIDANISHTJA

Aktori, Kushtrim Qerimi (Ramadani) barti mbi supe barrën kryesore të ngjarjes skenike duke i dhënë kështu ritmin e lojes. Duke ndier këtë përgjegjësi dha nga vetja gjithçka mundi që shfaqja të bashkon mes vete të gjitha hallkat e veta për të na e paraqitur këtu një ngjarje me të gjitha ngritjet e rëniet e saja. Diksioni dhe aplikimi i të gjitha mënyrave të aktrimit nga ai, bënë që shfaqja të ecën rrugës regjisoriale, në këtë i krijoj mundësi edhe partnerja e tij, Mejreme Berisha, primadona e këtij teatri, e cila i dha shtysa që Kushtrimi të ngrit rolin e tij në piedestalin më të lartë. Ernest Zymberi (Aleini)- njeriu i hekurt, i një natyre tjetër planetare, me qëndrimin e tij prej statueje, fjalëpakët, por ndërhyrjet e tij kureshtare nxirrnin në pah përgjigjet që dëshmonin për degjenerimin e shoqërisë tokësore.

Veprimet e tij kurreshtare për të mësuar virtytet tokësore, sforconin format e dukurive negative në shoqëri, që, regjisori me sukses arriti t’i sheshon në bazë të idesë së autorit letrar. Dhe, duke pasur një ndihmës aktoriale të suksesshme të Safete Mustafës-Baftiut(Violeta) edhe ky njeri-hekur, fitoi ndjenja njerzore: smirën, dashurinë, dhembjen, urrejtjen e ndonjë tjetër. Muharrem Sylejmani (shkencëtari) – doajeni i këtij teatri, përmes punës së tij të heshtur prej shkencëtari, ndonëse nisi këtë shfaqje me skena futuriste, ai tregoi modestinë e tij prej një kërkimtari për jetën në planetet tjera, kur edhe kontaktoi me ta e i ftoi për vizitë, i ndikuar nga hija e tij, mjaft e suksesshme Njomëza Kalaveshi (qeveritare), arriti që edhe ai të bie në grackat e korruptimit, madje edhe vet të propozon veprime të tilla për të arritur takimin me alienët, dëshirë kjo edhe e qeveritarëve për t’u lavdëruar se kanë kontakte interplanetare. Bashkim Nexhipi, një nëpunës shtetëror- polic kufitar, me sukses arrin të paraqet përsonin i cili mbron ligjshmërinë deri në kohën kur kërcënohet nga pushteti për t’i thyer këto rregulla.

Grupi i nxënësve të shkollës së muzikës të Gjilanit, që regjisori i shfrytëzoi për të paraqitur një kufi të ngarkuar me elemente të shumta , për një publik të shumtë të një meqi boksi (mund të merret edhe të një konflikti ndërshtetëror) e edhe të një kori stimulues, ndonëse u paraqiten për herë të parë në dërrasat e skenës teatrale në këtë rol, ata qenë të lirë në paraqitje e të disiplinuar në veprime, duke i dhënë kështu shfaqjes edhe një plotshmëri aktoriale.

Gjuha e përdorur në skenë ishte e nivelit standard, duke përjashtuar disa paraqitje të Kushtrim Qerimit, të cilat ia lejonte karakteri i tij skenik. Skena u menaxhua mirë me të gjitha elementet mizaskenike, komunikimi në mes aktorëve, qoftë ai i drejtpërdrejte apo edhe ai tërthortë, u realizua me sukses, gjë që bëri kështu të komunikohej me publikun me një sukses shumë të mirë. Përdorimi i të gjitha elementeve përcjellëse në skenë ishte natyral, kurse ai i ndërrimit të skenave (akteve) bëhej nga aktorët me një disiplinë e shpejtësi optimale, duke na ofruar kështu një kompaktësi veprimi të tërë trupës realizuese të kësaj shfaqjeje teatrale.

Elementet përcjellëse të shfaqjes:

Skenografia e Bekim Korçës e përbërë prej një objekti banimi-kontenier, me kulm të rrafsht, jo vetëm që ishte i lehtë për manovrim me te, sepse përdorej për të gjitha skenat e shfaqjes, ishte edhe funksional, i lehtë për bartje dhe vendosje në të gjitha llojet e skenave teatrale. Të gjitha anët e këtij kontejneri përdoreshin për lojë të sigurtë, pos shkallëve, të cilat herë pas herë kërkonin ndonjë veprim të aktorëve për t’u siguruar. Edhe paraqitja e yjeve në gjithësi, arritja e alienit përmes litarit prurës ishin të suksesshëm, pos hënes, e cila dukej disi tepër e madhe në krahasim me realitetin natyror, që jemi mësuar ta shofim. Skena ishte e realizuar suksesshëm nga Medi Hoti, Haki Aliu e Femi Hoti. Kostumet, po të Bekim Korçs, e të realizuara nga Sehadete Arifi ishin komode e të përshtatshme për aktorët, e që dukshëm ndikuan në paraqitjen e karaktereve të personazheve. Muzika dhe efektet muzikore të Florim Gagicës i dhanë forcë e lishshmëri të ritmit të ngjarjeve dhe ecurisë skenike të shfaqjes, e që në veçanti ndihmuan edhe pamjet e videove të Feim Lekës. Rekuizitat e Suad Berishës ishin mjaft të bollekshme e të kapshme për të gjithë aktorët, e si duket, kësaj radhe inspicenti Raif Haziri nuk pati shumë punë në këtë aspekt, sa në sferën organizative.

Si përfundim:

Teksti dramaturgjik i Bashkim Hoxhës “Jashtëtokësoret” apo “UFO-t” është një komedi e cila përdor të gjitha elementet e letërsisë artistike, e që për qëllim ka të paraqet segmente jete në Ballkanin perëndimor. Ndonëse nuk përcakton gjeografi të ngjarjes, ajo përmes metaforave, dhe paraqitjeve skenike të realizuara nga regjisori Erson Zymberi, mund të interpretohen në mënyra e forma të ndryshme. Ndonëse nuk paraqet emërtime vendesh ajo është multinacionale, ndërsa loja kompakte e aktorëve gjilanas duke përdorur me mjeshtri të rrallë të të gjitha elementeve në lojë e skenë, shfaqja mund të mbetët mjaft kohë e gjallë në skenë e mund të luhet në të gjitha skenat ballkanike e më gjerë, e të mos flasim në skenat shqiptare mëqe gjuha mundëson afërsi e kuptim të suksesshëm./rajonipress/