UBT

Janari apo marsi, rrezik për paga dhe bllokadë institucionale?

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Ngërçi politik ka ndikuar mjaftë shumë në ekonominë e vendit, duke bërë që shumë investitorë të interesuar të largohen nga Kosova. E efektet e këtij ngërçi do të shihen më shumë në vitin 2015.

Kështu pohojnë njohës të çështjeve ekonomike, sipas të cilëve mos konstituimi i institucioneve po i sjellë dëme vendit në shumë sektor.

Haki Shatri, ish ministër i Financave thotë për KosovaPress se dëmet nga qeverisja Thaçi janë më të mëdha, sa i përket mos zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, se sa ky ngërç politik i krijuar së fundi në vend.

Sipas tij,qeverisja dhe zhvillimet në fushën e ekonomisë, në këto shtate -tetë vite, kanë qenë tepër dekurajuese dhe shqetësuese, e të cilat nuk e kanë shtyrë vendin përpara.

E sa i përket për dëmet që po i sjellë ekonomisë ky ngërç politik dhe vakumi institucional, ai thotë se dëmet më të mëdha, ekonomisë dhe standardit jetësor të kësaj popullsie, i kanë sjellë dy mandatet të qeverisjes Thaçi, se sa ky vakum institucional që është prezent tani në vend.

Shatri thekson se shumë investitorë janë tërhequr nga kjo situatë e krijuar. Nëse kjo situatë vazhdon, ai thotë se shumë shpejtë mund të vie deri tek mbyllja e institucioneve, e ajo ditë sipas tij është 1 janari i vitit 2015-të, pasi që nuk ka ligj në fuqi që i autorizon shpenzimet publike për institucionet tona.

“Problemi më kyç që na pret është se prej datës një janar, jo me të rritura por nuk ka institucion që është i autorizuar me ligj, me procedu asnjë shpenzim publik. S’ka buxhet…Nëse bëhet mbretni këtu dhe e merr dikush ligjin, një person dhe thotë unë jam ligji, s’njoh Kuvend, nuk njoh askënd mundet me ba. Por me këto ligje në fuqi dhe me këtë kushtetutë që e kemi, e tash kur iu pëlqen njerëzve shumë thirren në Kushtetutë e nene të caktuara. Kur nuk iu pëlqen harrojnë me përmend. Ligji për menaxhimin e financave publike është Kushtetuta e parasë publike në Kosovë..ky ligji neni 24 është ligji më i fundit dhe ndryshimet që kanë ndodhur më vonë nuk e prekin…Neni 24/3 i ligjit për menaxhimin e financave publike, thotë se nëse afati i vazhdimit skadon asnjë autoritet nuk mund të autorizoj shpenzime deri në miratimin e ligjit të ri për buxhetin. Por meqenëse ne nuk kemi kuvend i cili do ta vazhdojë janarin, shkurtin dhe eventualisht marsin, atëherë me 31 dhjetor në ora 12 të natës, asnjë autoritet në Kosovë nuk ka të drejtë me autorizu shpenzim publik…As paga asnjë lloj shpenzimi absolutisht, pos nëse e bëjnë monarki”, thotë ai.

Eco Higjiena

Ndërsa, deklaratat e Ministrit të Financave se probleme nuk do të ketë deri në mars, i quan të pavërteta dhe fjalë paushalle.

“Ministri aktual i financave e ka shty deri në mars dhe ia ka grah si duket paushall. Ndoshta nuk i ka qëllu ligji ngat me konsulltu ose ndonjë qëllim tjetër nuk e di.. Unë jam i shqetësuar dhe tendenca për t’i fajësuar ose me i barazu me fajin për mos konstituim të organeve për mua është absurde”, thotë ai.

E Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave, ka theksuar për KosovaPress se nuk do të ketë asnjë problem sa i përket pagesës dhe pagave, si dhe shpenzimeve tjera për muajin janar dhe shkurt. Ndërsa, muaji mars i vitit 2015, sipas tij është koha kur paraqiten probleme dhe një bllokadë e tërësishme e pagesës së pagave dhe shpenzimeve. Por për dallim nga Shatri, ai thekson se shërbyesit civil, pagat e janarit dhe shkurtit të vitit 2015, do t’i marrin normalisht dhe me rritjen prej 25 për qind, e cila ka ndodhur gjatë vitit 2014-të.

“Nëse në rastin më të keq po flas, nuk ndodh konstituimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe nuk ndodh konstituimi i Kuvendit, atëherë ligji mbi buxhetin i Republikës së Kosovës dhe ligji mbi menaxhimin financave publike është i qartë. Çdo organizatë buxhetore merr për çdo muaj 1 /12 e të hyrave buxhetore për vitin paraprak. Kështu që ne konsiderojmë se për janar dhe shkurt nuk do të kemi probleme sa i përket pagesës së pagave dhe shpenzimeve tjera. Ndërsa, muaji mars i vitit 2015, është koha kur paraqiten probleme dhe një bllokadë e tërësishme e pagesës së pagave dhe shpenzimeve tjera. Të jem shumë specifik, nuk është problem buxheti në këtë rast, nuk janë problem mungesa e mjeteve që i ka vendi. Por është problem mungesa e vendimmarrjes, sepse për pagesën e pagave për muajin mars, duhet vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndryshe, nuk mund të realizohet”, thotë Baxhaku.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike ka theksuar se efekti më i rëndë, do të filloi vitin e ardhshëm, jo vetëm për shkak të problemeve që do të ndërlidhen me buxhetin por edhe për shkak se shumë procese kanë ngecur në gjysmë, posaçërisht investimet kapitale të realizimit të disa projekteve.

Sipas tij, nuk do të ketë bllokadë në muajin janar dhe shkurt të vitit 2015, por do të ketë kufizime. Mirëpo, problemet, sipas tij, mund të nisin tre muaj më vonë, diku pas marsit dhe nëse atëherë nuk do të ketë buxhet, me një prill, nuk do të ketë paga dhe asnjë pagesë nga buxheti.

“Bllokadë nuk do të ketë sepse edhe ligji e përkufizon shumë qartë këtë çështje. Mirëpo, do të ketë kufizime. Kur janë në pyetje pagat e shërbyesve civil, atëherë nëse vendi hyn në vitin 2015 pa buxhet, atëherë do të ketë kufizime. Agjencitë buxhetore mund të shfrytëzojnë vetëm 1/12 për çdo muaj, mund të shfrytëzojnë vetëm 1/12 e shpenzimeve që ka pasur në vitin paraprak. Çka do të thotë se nuk mund të ketë ngritje të paralajmëruar apo nuk guxon të ketë punësime dhe sigurisht që mund të jenë edhe pagat më të shkurtuara, nëse kemi parasysh në katër muaj, pagat nuk kanë qenë të rritura në masën 25 për qind. Mirëpo, problemet mund të nisin tre muaj më vonë, diku mbas marsit edhe nëse atëherë nuk do të ketë buxhet, me një prill nuk do të ketë paga, nuk do të ketë asnjë pagesë nga buxheti pos servisimin e borxheve publike dhe atëherë nis kriza e vërtetë”, thotë ai./zeri/