Eko Higjiena

Jacobson: Qeveria dhe Parlamenti të bëjnë marrëveshje me BE’në për Gjykatën

/ 23 minuta lexim

Bisedimet BE-Kosovë për Gjykatën, që do të hetojë pohimet e raportit të Martyt, janë duke vazhduar. Nuk mund të komentoj se si do të jenë modalitetet për një Gjykatë të tillë, si do të duket, ku do të jetë, por duam të shohim një proces kredibil ndërkombëtar. Është e rëndësishme që Qeveria dhe Parlamenti të bëjnë një marrëveshje me Bashkimin Europian për këtë çështje. Shkatërruese për imazhin e Kosovës do të ishte një procedurë gjyqësore që nuk është transparente dhe që nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, e jo se ku do të vendoset Gjykata. Shpresoj se gjithçka do të qartësohet brenda disa ditësh. Flet për Gazetën Express Tracey Ann Jacobson, Ambasadore e SHBA’së në Kosovë.

Express: Kryeministri Hashim Thaçi bëri një marrëveshje me kreun e LDK’së rreth dinamikës së reformës zgjedhore dhe periudhës së kur do të duhej të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Kjo u intepretua si një veprim i kryeministrit që t’i shpëtojë mocionit të mosbesimit. A mendoni se këto dy parti e dëmtuan reformën zgjedhore pasi nxorën nga loja aktorët tjerë politikë?

Jacobson: Koha e mbajtjes së zgjedhjeve varet nga liderët politikë të Kosovës. Reforma elektorale me të cilën po merret Parlamenti, madje edhe sot, është më shumë reformë teknike. Nuk është reforma rrënjësore për të cilën SHBA’të dhe BE kanë bërë thirrje në të kaluarën, kështu që pres që ajo do të bëhet, por pres që të bëhet pas zgjedhjeve. Komisioni i Venedikut që ishte për vizitë këtu së voni, shpjegoi se nuk mund të bësh reformë të mirëfilltë elektorale kur janë afër zgjedhjet, pasi vetë reforma politizohet. Kështu që kemi një reformë sipërfaqësore tani, por shpresojmë që të kemi një reformë rrënjësore më vonë. Sa i përket zgjedhjeve, brenga ime kryesore është që ato të jenë të lira dhe të drejta, të jenë transparente dhe që të zhvillohen mirë dhe që Kuvendi aktual i Kosovës të jetë në gjendje t’i kryej detyrat e tij para shpërbërjes. Disa nga këto detyra përfshijnë zgjatjen e mandatin e EULEX’it dhe transformimin e tij dhe kjo është punë që duhet të kryhet para shpërbërjes së Parlamentit.

Express: Si e shihni në këtë kontekst marrëveshjen ndërmjet z.Thaçi dhe z.Mustafa?

Jacobson: Mendoj se është normale për liderët politikë që të bisedojnë ndërmjet vete përtë vendosur rreth çështjeve si p.sh kohën e zgjedhjeve dhe kjo vërtetë varet nga ta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë koment për këtë proces. Porosia jonë për Kryeministrin Thaçi dhe liderët politikë partiakë është se është e rëndësishme që ta kryejnë punën që e kanë para vetes, siç është EULEX’i, para se të shpërbëhet Parlamenti dhe që është e rëndësishme që të organizojnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Qeveria, partitë politike, prokuroria dhe votuesit e Kosovës kanë bërë një punë shumë të mirë në zgjedhjet lokale të vjeshtës së fundit, ata kanë vendosur një nivel të lartë dhe duhet ta përsërisim këtë standard të mirë të zgjedhjeve për zgjedhjet nacionale kur ato të mbahen.

Express: A ka një afat për shpërbërjen e Parlamentit? Është muaji prill, mesi i muajit prill?

Jacobson: Ky është një vendim që u takon liderëve politikë. Ne nuk kemi në pozitë të diktojmë se kur duhet të shpërbëhet Parlamenti ose kur duhet të mbahen zgjedhjet, por mendoj se është e rëndësishme që Parlamenti ta përfundojë punën e rëndësishme që e ka para vetes tani para se të shpërbëhet, pra tani kemi të bëjmë me atë se sa shpejtë ata mund t’i zgjedhin disa prej këtyre ligjeve të rëndësishme.

Kuvendi i Kosovës, para se të shpërbëhet duhet t’i kryej disa detyra, njëra nga to është zgjatja e mandatit të EULEX’it.

Express: Opinioni publik në Kosovë është i përgatitur në një mënyrë që zgjedhjet të mbahen deri në qershor. A mendoni se qershori është afat i duhur kohor për zgjedhjet…

Jacobson: I kam dëgjuar thashethemet për qershorin, majin, kam dëgjuar për shtatorin. Nuk mund të parashikoj se kur mund të mbahen zgjedhjet, as nuk dua të provojë pasi ky nuk është një gjë e përshtatshme për ne. Por, mund t’ju them se kur zgjedhjet të shpallen, ne planifikojmë që të angazhohemi ashtu sikur për zgjedhjet lokale për të mbështetur një proces të besueshëm dhe transparent. Dhe kjo përfshin edhe punën për formimin e ekipeve tona vëzhguese…vëzhguesve të zgjedhjeve, që do të shkojnë në krejt vendin, do të punojmë që t’i përkrahim vëzhguesit vendës, do të vazhdojmë punën me policinë dhe prokurorët dhe liderët e partive politike që t’i inkurajojmë të gjithë që të bëjnë pjesën e tyre të punës që të sigurojmë që zgjedhjet të jenë demokratike, kur do që të jenë në maj ose qershor ose kurdo që mbahen.

Express: Cili duhet të jetë preteksti për shpërbërjen e Kuvendit, pse duhet të shpërbëhet Kuvendi?

Jacobson: Kam dëgjuar arsye,dhe spekulime të ndryshme në media se pse udhëheqës të ndryshëm të partive politike dhe deputetë të Parlamentit duan që të ketë zgjedhje të parakohshme, para afatit të përcaktuar më herët në dimër…e di që është vështirë në dimër pasi është terr…kjo është një nga arsyet. Po ashtu kam dëgjuar që nganjëherë në Parlament, aktualisht, ka probleme me kalimin e ligjeve. Këto janë spekulime që secili në Kosovë i ka dëgjuar, por për një përgjigje të vërtetë se pse partitë politike duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme duhet ti pyesni partitë politike.

Express: Ju përmendet çështjet që duhet të kryhen para se të shpërbëhet Parlamenti. A duhet që Kuvendi të votojë edhe për një Tribunal eventual për krimet e luftës që përflitet shumë në opinion, për ligjin për Forcat e Armatosura dhe tema tjera?

Jacobson: Një nga temat që e përmendet, Task Forca për Hetime Speciale… SHBA’të e kanë përkrahur këtë Task Forcë, që ekziston nën ombrellën e BE’së tash e sa kohë dhe ata kanë kryer hetime. Nuk dua të komentoj për një proces hetimor që po vazhdon, por dua të them se do të jetë shumë e rëndësishme për Kosovën që Qeveria dhe Parlamenti të bëjë një marrëveshje me Bashkimin Europian se si të lëvizë përpara. Sot nuk mund të komentoj se si do të jenë modalitetet për një gjykatë të tillë, si do të duket, ku do të jetë etj. Por ajo që duam të shohim është një proces kredibil ndërkombëtar, pas të cilët mund të lëvizim përtej kësaj çështjeje dhe të fokusohemi në sfida tjera me të cilat ballafaqohet Kosova.

Express: Por ka debat se ku do të jetë Tribunali, jashtë Kosovës apo në Kosovë?

Jacobson: Shpresoj se kjo gjë do të qartësohet brenda disa ditësh. Bisedimet ndërmjet palës kosovare dhe BE’së janë duke vazhduar aktualisht…

Express: A mendoni se pala kosovare, e cila ka qëndrime të forta ndaj Tribunalit, pra insiston se Tribunali nuk duhet të jetë jashtë Kosovës pasi kjo do të ishte, siç thuhet, shumë negative për imazhin. A mendoni që pala kosovarë do të pranojë që Tribunali të jetë jashtë vendit?

Jacobson: Ajo që do të ishte shkatërruese për imazhin e Kosovës jashtë është që të kemi një procedurë gjyqësore që nuk është transparente dhe që nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, që nga aspekti ndërkombëtar nuk është kredibile, unë mendoj se kjo do të ishte më së shumti shkatërruese për imazhin e Kosovën e jo se ku do të vendoset Gjykata. Mendoj se zgjidhja duhet të jetë e tillë që plotëson nevojat e prokurorisë, të bashkësisë ndërkombëtare dhe që plotëson nevojat e Kosovës.

Mendoj se jemi shumë afër zgjidhjes për këtë çështje, por nuk dua të flas kaq herët pasi bisedimet ende po vazhdojnë ndërmjet Kosovës dhe BE’së. Ndoshta për këtë çështje mund të më pyesni javën tjetër (sh.y. intervista është dhënë të enjten që shkoi).

Express: A do të ketë ndonjë rol gjyqësia e Kosovën në këtë proces ?

Jacobson: Përsëri nuk dua të komentoj rreth modaliteteve specifike rreth kësaj çështjeje. Është shumë herë që ta bëjë këtë.

Nuk dua të paragjykoj se kur mund të mbahen zgjedhjet, por i kam dëgjuar thashethemet për majin, qershorin dhe shtatorin.

Express: Cili është qëndrimi juaj për vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për minoritetin serb?A duhet shumica shqiptare tua vazhdojë këtë mandat ?

Jacobson: E kam thënë edhe më herët po ua them edhe juve sot këtë. Mendoj se vazhdimi i ulëseve të rezervuara edhe për një mandat do të ishte zhvillim pozitiv për Kosovën, do të dërgonte një sinjal të fuqishëm pozitiv për Kosovën në këtë periudhë të integrimeve veçmas në kohën kur njerëzit në veri kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës për herë të parë, por po ashtu i dërgohet edhe njëmesazh i fortë dhe kredibil bashkësisë ndërkombëtare se Kosova është e gatshme që të ec përpara si një demokraci multietnike. Sido që të jetë, unë nuk kam votë në Kuvend, kjo është diçka që individët në Parlament duhet të vendosin. Unë personalisht mendoj se është ide e mirë, por e kuptoj se ka të tjerë në Parlament,veçmas LDK dhe Vetëvendosje, që janë kundër kësaj ideje. Për vazhdimin e vendeve të rezervuara duhen 2/3 e votave , kështu që kjo është një pengesë mjaft e madhe, është diçka për të cilën Parlamenti duhet të vendosë. Nëse nuk do të munden që t’i vazhdojnë vendet e rezervuara, mendoj se kjo do të ishte gabim dhe një sinjal i keq. Por, vendimi për këtë i takon Kuvendit të Kosovës.

Express: Pra, problemi kryesor po del të jetë LDK e cila po refuzon të votojë për ulëset e rezervuara?

Jacobson: Nuk mund të bëjë me gisht në drejtim të askujt, por mendoj se LDK’jaka qenë shumë e qartë – z.Mustafa ka qenë shumë i qartë – se është kundër ulëseve të rezervuara dhe pa 2/3 të shumicës në Parlament nuk mund të shkojmë përpara.

Express: Ka ofruar z.Mustafa argumente të duhura për këtë ?

Jacobson: Kam pasur shumë biseda me z.Mustafa. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, bisedojmë gjatë gjithë kohës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me këtë.

Express: Një çështje tjetër janë zgjedhjet në Serbi. Z.Vucic një figurë me prapavijë nacionaliste, do të jetë lideri që do ta përfaqësojë Serbinë në bisedime. A mendoni se kjo e vështirëson dialogun me Kosovën?

Jacobson: Ajo që është e rëndësishme të mbahet në mend për dialogun, është se nuk është vetëm ndërmjet dy kryeministrave, por ndërmjet dy shteteve, që përfaqësohen në këto bisedime nga Kryeministrat. Jam tepër e impresionuar me punën që Kryeministri Thaçi dhe Kryeministri Dacic e kanë bërë me ndërmjetësimin e mrekullueshëm dhe me përpjekjet e mëdha të Zonjës Ashton, në emër të BE’së. Jam shumë konfidente që ky proces mund të vazhdojë . Z.Vucic ka qenë i pranishëm në disa takime të dialogut. Nuk është hera e parë.Siç e marr vesh, z.Dacic dhe z.Vucic, do të shkojnë në Bruksel të hënën për bisedime me Kryeministrin Thaçi. Mbetet ende shumë punë e rëndësishme për tu bërë.Mendoj se edhe Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se puna duhet të vazhdojë jo vetëm për çështjen e stabilitetit dhe jetës më të mirë për të dyja vendet, por edhe për rrugën europiane të tyre. Dhe dëshiroj të shpresoj se dialogu do të vazhdojë dhe se z.Vucic do të jetë pjesëmarrës po aq aktiv sikur që ka qenë z.Dacic.

Uji Dea

Express:Përsëri do të kemi një pauzë të dialogut pasi edhe këtu zgjedhjet janë shpejt…

Jacobson: Mendoj se kur vendet kanë zgjedhje, atëherë është paksa më sfiduese për t’u fokusuar në çështje tjera, por kjo është çështje strategjikisht e rëndësishme për të dyja vendet. Mendoj se e kemi parë Serbinë duke marrë pjesë në dialog derisa po shkonte në zgjedhje dhe mendoj se do ta shohim edhe Kosovën duke marrë pjesë në takime të dialogut edhe para zgjedhjeve. Në njëfarë mënyrë, implemetimi i marrëveshjeve të dialogut, përparimi në rrugën europiane duhet të jetë çështje për të cilën pajtohen shumica e partive politike dhe është e rëndësishme që të lëvizet përpara me këtë prioritet strategjik edhe pse individët mund të jenë të shpërqendruar për shkak të zgjedhjeve.

Brenga ime kryesore është që ato të jenë të lira dhe të drejta, të jenë transparente dhe që të zhvillohen mirë dhe që Kuvendi aktual i Kosovës të jetë në gjendje t’i kryej detyrat e tij para shpërbërjes.

Express:Do të jetë përsëri dialogu me Serbinë prioritet gjatë mandatit të ardhshëm pasi ka qenë kështu gjatë këtij mandati të z.Thaçi?

Jacobson: Mendoj se ka qenë prioritet i rëndësishëm. Se çka vendos një qeveri e re se cilat janë prioritetet e saj, kjo është çështje që duhet të jetë temë e bisedës me votuesit që i zgjedhin ata. Mendoj se vazhdimi i dialogut është i rëndësishëm, ne ende kemi çështje që ende nuk janë implementuar për shembull, integrimi i drejtësisë është një çështje e rëndësishme, themelimi i Asociacionit të Komunave duhet të lëviz përpara. Ka edhe tema tjera që Kosova dhe Serbia duhet ti diskutojnë në të ardhmen. Sido që të jetë kjo është vetëm një çështje nga shumë të tjera me të cilën ballafaqohet qeveria aktuale e Kosovës dhe ajo e ardhshmja. Të tjerat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit. Ka edhe shumë çështje tjera me të cilat ballafaqohen qeveritë në botë, por një nga gjërat që kam parë këtu në Kosovë, është se njerëzit janë të aftë që të punojnë në shumë projekte në të njëjtën kohë. Këtë mendoj se e kemi parë gjatë vjeshtës së fundit me vazhdimin e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, me fillimin e integrimit të policisë në veri gjatë kohës sa ka vazhduar dialogu dhe në kohë kur u mbajtënzgjedhjet e para në tërë territorin e Kosovës me ligjet e Kosovës.

Pra Qeveria këtu, parlamenti, populli i Kosovës janë mjaft tëaftë për të kryer njëkohësisht shumë detyra. Dhe shpresoj se për këtë do të bisedohet ndërmjet votuesve dhe të zgjedhurve se cilat duhet të jenë prioritetet.

Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për të gjitha prioritetet.

Express: Pse ka vështirësi në implementimin e marrëveshjeve me Serbinë ?

Jacobson: Ka pasur disa sfida,por është e rëndësishme të mbahet në mend se dy palët kanë qenë në gjendje që ti tejkalojnë këto sfida. Ka pasur një debat të gjatë për zgjedhjet lokale, ka pasur probleme me zgjedhjet komunale, për shembull në Mitrovicën e Veriut, por ne i tejkaluam ato hap pas hapi duke punuar së bashku me ndërmjetësimin e BE’së dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA’ve. Mendoj se sfidat që i kemi pasur do të tejkalohen dhe duke punuar në një frymë të ngjashme mund ti tejkalojmë edhe sfidat e ardhshme. Një sidë e rradhës që do të diskutohet të hënën e ardhshme në Bruksel ka të bëjë më integrimin e gjyqësorit.

Express: Zonja Ambasadore, ju e njihni ambientin politik këtu dhe të gjithë liderët. A mendoni se edhe dikush tjetër përveç z.Thaçi mund të zhvillojë bisedime me Serbinë?

Jacobson: Ky është një vendim që duhet ta marrë Kosova. Aktualisht mendoj se Kryeministri ka bërë një punë fantastike duke e çuar përpara këtë proces që nuk ka qenë i lehtë, që nuk ka qenë politikisht popullor, por ai është angazhuar në këtë proces historik pasi ai e kupton se kjo është në interesin afatgjatë të Kosovës. Është e rëndësishme që në Qeverinë e ardhshme këtij procesi t’i kushtohet vëmendje nga niveli i lartë derisa ky proces shkon përpara. Mendoj se Kryeministri Thaçi ka bërë një punë të mirë, por nuk më takon mua të them se kush merr pjesë, në çfarë niveli si përfaqësues i Kosovës në takimet e ardhshme të dialogut apo në angazhimet e ardhshme me Serbinë që mund të ndodhin.

Express: Një çështje tjetër aktuale janë edhe krahasimet që ka bërë Rusia me Krimenë . Ka pasur deklarata, përfshirë edhe Presidentin Obama për këtë çështje, i cili i ka përjashtuar këto krahasime? A mund të na jepni një koment në lidhje me këtë?

Jacobson: Po, pajtohem me Presidentin Obama dhe nuk do ta citojë atë në mënyrë direkte, por e di se çka ka thënë… se krahasimet ndërmjet Krimesë dhe Kosovës nuk kanë kuptim fare. Situata në Kosovë ka qenë krejtësisht e ndryshme në krahasim me situatën në Krime. Nuk ka pasur një katastrofë humanitare në Krime sikur që ka pasur në Kosovë. Mendoj se nëse e lexoni deklaratën e Presidentit Obama thotë se nuk mund ta krahasoni situatën në Krime me situatën në Kosovë ku qeveria vriste mijëra njerëz të saj dhe ku popullata civile u desh të dalë në ekzil. Pajtohem plotësisht me Presidentin tim në lidhje me këto deklarata. Kosova nuk ka lidhje me këtë, nuk është pjesë e këtij kontesti dhe mendoj se përmendja e Kosovës vërtetë është një zhvendosje e vëmendjes.Më me dëshirë do të fokusohesha se çfarë po ndodhë sot në Kosovë dhe se si ne si SHBA mund të ndihmojmë që ta çojmë vendin përpara.

Do të punojmë me secilën Qeveri që del nga zgjedhjet, sikur që po punojmë me Qeverinë aktuale.

Express: Një temë shumë e përfolur në Kosovë është ekstremizmi fetar. Dihet se nga Kosova kanë shkuar shumë njerëz për të luftuar ndërkohë që kanë bërë propagandë duke i ftuar të rinjtë që ti bashkohen “luftës së shenjtë”. Sa është e rrezikshme kjo për një vend si ne?

Jacobson: Mendoj se çështja e luftëtarëve të huaj që shkojnë në Siri është e rrezikshme. Kur njerëzit luftojnë në Siri ata kanë kontakte me forca shumë ekstreme që propagojnë politika të dhunshme dhe mendoj se kjo është e rrezikshme për të gjitha vendet, shtetasit e të cilave shkojnë në Siri dhe Kosova është një nga këto vende. Unë e përgëzoj Qeverinë për hapat e ndërmarrë për miratimin e ligjit që penalizonpjesëmarrjen ekëtyre grupeve në Siri. Mendoj se është rëndësishme për vendet në rajon dhe në botë të bashkëpunojnë dhe ti shkëmbejnëinformacionet që i kanë për këta individë në mënyrë që të dimë se ku janë dhe ti parandalojmë që të mos bëjnë ndonjë të këqija në vendet e tyre.

Ne kemi pasur diskutime me Kosovën për këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen.

Express: A mendoni se ligji i hartuar për këtë çështje është zgjidhje e mirë?

Jacobson: Është një hap i mirë por kjo është një çështje e sundimit të ligjit, çështje e inteligjencës, pra duhet ditur se kush janë këta njerëz, por po ashtu edhe çështje më e gjerë shoqërore që duhet të adresohet. Mendoj se njerëzit nganjëherë tërhiqen pas filozofive ekstremiste kur nuk kanë mundësi ekonomike. Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm duhet të bëhet nga aspekti i sundimit të ligjit, por duhet të bëhet edhe nga aspekti i shoqërisë, në kuptimin e arsimimit, punësimit në kuptim të qasjes në Qeveri, pra bëhet fjalë për një fotografi më të madhe dhe ne jemi krenar që kemi një bashkëpunim me Kosovën në të gjitha këto fusha.

Express: A mendoni që arsyeja ekonomike është kryesore apo këtu kemi të bëjmë me një ambient ku mbi 90 përqind janë myslimanë dhe dikush mund ta bëjë edhe për arsye ideologjike?

Jacobson: Mendoj se janë arsye të ndryshme prapa këtij fenomeni të ekstremizmit të dhunshëm. Disa nga ta janë të shtyrë nga ideologjia, por mendoj se kur njerëzit janë të edukuar mirë dhe të punësuar dhe kur shohin mundësi për vete dhe familjet e tyre, atëherë ata më pak do të tërhiqen nga kjo ideologji.

Express: Për këtë një pjesë të fajit e bartë edhe qeverisja që nuk bën asgjë në çështjen e punësimit dhe të ekonomisë….

Jacobson: Ne po punojmë me qeverinë në fusha të ndryshme ekonomike. Po përgatitemi që së shpejti, ndoshta muajin e ardhshëm, të japim edhe një kontratë të re përmesprogramit tonë për zhvillim ekonomik të USAID-it. Është e rëndësishme për Qeverinë që të vendos një shteg që do të krijojë një mjedis që promovon investimet vendore dhe ndërkombëtare. Është e rëndësishme për Qeverinë që të angazhohet më fuqishëm në luftimin e korrupsionit dhe të promovimit të sundimit të ligjit. Por,për ne po ashtu është e rëndësishme që të punojmë drejtpërdrejt me ndërmarrësit që tu ofrojmë trajnime dhe ndihmë,veçmas në bujqësiku ne po u ofrojmë kredi që ti zgjerojnë bizneset e tyre. Ekonomia është në një situatë të komplikuar dhe kërkon që Qeveria dhe sektori privat të punojnë së bashku dhe përkrahje donatorësh, të cilën jemi të lumtur ta ofrojmë.

Express:A është Kosova në hartën e vendeve të rrezikshme që eksportojnë ekstremizëm islamik?

Jacobson: Ajo që po shohim në Kosovë tani është një numër i vogël i njerëzve që po shkojnë në Siri dhe që po marrin pjesë në aktivitete ekstremiste. Natyrisht, duhet të brengosemi edhe për një numër të vogël, por përgjithësisht shumica e kosovarëve janë krenarë për historinë e Kosovës si shtet tolerant, si shtet që ka një formë të Islamit që respekton religjionet tjera, që historikisht është i hapur ndaj diversitetit. Kjo mendoj se është edhe e ardhmja e Kosovës dhe se kosovarët pajtohen se ky është mjedisi që duan të kenë në vendin e tyre, e jo ai i ekstremizmit fetar.

Express: Një temë e rëndë në Kosovë është edhe çështja e korrupsionit. Sipas jush, a kanë bërë autoritetet kosovare diçka për ta luftuar korrupsionin?

Jacobson: Korrupsioni është një problem kompleks me të cilin përballet secili vend, përfshirë edhe vendin tim. Por, mendoj se Kosovës i duhet që të bëjë më shumë në këtë aspekt. Një nga mënyrat se si Kosova mund ta luftojë korrupsionin është duke emëruar njerëz kompetent, kredibil dhe të pavarur në organete pavarura që ekzistojnë, p.sh. në Agjencinë e Privatizimit. E di se së fundi përfundimisht pati emërime në Bordin Mbikëqyrës të Prokurimit. Por, pavarësisht se për cilin organizatë po flasim, ne duam të shohim njerëz të emëruar për ti udhëhequr këto organizata, që janë zgjedhur duke u bazuar në kualifikimet profesionale të tyre, aftësinë e tyre, etikën e tyre dhe kredibilitetin e tyre e jo pse ata kanë ndonjë lidhje në parti politike apo me ndonjë politikan. Mendoj se kjo është fusha ku Kosova duhet të punojëmë shumë.

Express: Një pyetje rreth koalicioneve të ardhshme. Aktualisht partitë politike përjashtojnë, p.sh. LDK thotë se ne e përjashtojmë PDK’në duke thënë se nuk duam të qeverisim me ta …ose edhe partitë tjera? Nga këto që thuhen duket se nuk do të kemi fare Qeveri të re fare. A mendoni se do ti ndryshojnë opinionet?

Jacobson: Mendoj se aktualisht ka shumë debate. Për çdo ditë në media mund të lexosh artikuj të ndryshëm për këtë ose atë koalicion të mundshëm. Kjo është e natyrshme para zgjedhjeve dhe do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve. Kam besim se pas zgjedhjeve Kosova do të jetë në gjendje të krijojë një qeveri. Nuk kam asnjë ide se kush do të jetë në atë qeveri, se si do të duket koalicioni, por ne jemi të gatshëm të punojmë me secilën qeveri të re sikur që punojmë me qeverinë ekzistuese në çështje që kanë të bëjnë me suksesin dhe prosperitetin afatgjatë të Kosovës, në çështjen e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, qeverisjes transparente, çështjet e integrimit ndëretnik, të gjitha këto çështje që mbesin të rëndësishme për ne dhe mendoj se do të mund të të bashkëpunojmë edhe me qeveritë e ardhshme në Kosovë.