UBT

Ish konzullja shqiptare në Romë, kampione e shahit‏

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Loja e Heshtjes, shahistja bën mat…midis pasionit ndaj shahut dhe profesionit të avokatisë lidhet ngushtë jeta e Rozana Gjergjit.

Është 5 herë kampione kombëtare, torturuesja e gjithë shahistëve të Shqipërisë. Me angazhimin e saj në diplomaci ku shërbeu me gradë diplomatike “Sekretar i Parë” dhe me funksion Konsull në një nga Ambasadat më të rëndësishme të vendit tonë, në Romë (Itali), aktualisht ushtron profesionin e Avokatit. “Avokatia është një nga profesionet që unë e kam ëndërruar gjithë jetën dhe më duket se jam në kohën e duhur dhe vendin e duhur për ta ushtruar këtë zanat” shprehet ajo.

Këtë profesion e lidh me shahun kur na rrëfen se ashtu si një avokat bën të pamundurën për të fituar çështjen ashtu bën dhe një shahist me lojën. Në studion saj të avokatisë veçmas librave të shumtë, e trofeve nuk kishte si të mos mungonin gurët e shahut me të cilët lidhet pasioni dhe dashuria e saj më e madhe.

“Janë profesione që kërkojnë shumë maturi, studim dhe i shkojnë për shtat proverbit: ”Sa më e vjetër të jetë vera aq më e shijshme dhe në shah, avokati apo diplomaci eksperienca është decizive…sa më eksperiencë aq më shumë sukses” – rrëfen Rozana. Ishte vetëm 4 vjec kur i ati e indentifikoi talentin e saj dhe filloi ta shoqëronte atë në çdo garë. E nuk harron momentet kur zyshat nuk e donin në klasë se bënte shumë mungesa.

“Më kujtohet që zysha i thoshte një anëtari të federatës, mos e pranoni në shah se bie nga mësimet,..s’kam pas fare përkrahje nga shkolla…por shoqet ishin shumë të interesuara sidomos kur kthehesha nga udhëtimet u flisja me orë të tëra për vendet që shihja. Herën e pare që shkova jashtë isha 8-vjeç, solla dhurata për shokët e klasës, fanta e kola të cilat i vënë në bufe” – tregon ajo. Rozana ka qenë përfaqësuesja e parë e femrave shqiptare në kampionatet ndërkombëtare e që në moshë të vogël, ajo spikati si një shahiste e talentuar dhe është identifikuar si “fëmija mrekulli”, ku gjatë viteve 80 për të u fol gjerësisht në shtypin e kohës. “Ka pas botime të ndryshme tek “Fatosi”, “Yllkat” dhe më e rëndësishmja në atë kohë ishte revista “Shkenca dhe Jeta” e cila ishte ndër më të rëndësishmet për kohën dhe dilte në disa gjuhë të botës” – vazhdon ajo.

Që atëherë Rozanën e thërrisnin për të luajtur shumë të rritur. Rreth viteve 81-82 në Tiranë u zhvillua kampionati i shahut për femra, me rastin e festës së nënave. Në kampionat mori pjesë edhe Rozana. Atje ajo nuk u mund asnjëherë. Tri ndeshjet e para i fitoi. Gjithë ata të rritur rrinin me orë të tëra dhe shikonin me habi si luante ajo. Ditën e fundit lozi me një tetë. Tre orë nuk lëvizi nga tavolina.

Mobi Casa

As shikimin nuk e ngriti nga fusha e shahut. Mezi qëndronte në karrige. Këmbët i kishte shumë lart nga dyshemeja. Mjekra i prekte anën e tavolinës. E kapte gurin që do të luante dhe shtrihej në tavolinë që ta lëvizte në një kuti tjetër.

Herë ulej ne karrige mbi gjunjë, herë ngrihej këmbalec. Papritur, një xhaxhi i solli një çokollatë. Ajo nuk pranoi. “ Po nuk fitova, nuk e marr”. Pas tre orësh, në sallë shpërthen duartrokitje. Vetëm atëherë Rozana u kujtua për çokollatën. Garat ndërkombëtare dhe Olimpadat e shahut janë momentet që ajo i pret me padurim. Por cfarë vendi zë shahu në angazhimet e saj sot?! “Dashuria dhe pasioni i vetëm është shahu dhe do ti përkushtohem gjithmonë”, janë fjalët e saj teksa lëviz gurët e shahut. Ka qenë viti 1986 kur shahistes Rozana Gjergji i dedikohet filmi “Dy herë mat”.

Shumë e vogël për të qenë ajo protagonistja por jeta e saj mishërohet qartë tëk ai. Kujton me nostalgji simultanen, babin e saj që kur i ngriheshin nervat tek luanin i shkulte veshin apo dhe tifozët që e prisnin me orë të tëra të mbaronte ndeshjen për ta qerasur me një akullore ose çokollatë. Filmi “Dy herë mat”, përveçse është pjesë e vegjëlisë së saj, e bën Rozanen ti dedikohet shahut në një formë tjetër, duke përkushtuar kohë edhe nga jeta e fëmijëve të saj. Atë sot e shohim që shoqëron dy fëmijët e saj Ajkunën dhe Danielin në kurse shahut duke i ushqyer që në vegjëli pasionin ndaj sportit të shahut. Tregon se talentin e saj mund t’ja ketë trashëguar me doza pak më të mëdha Ajkunës dhe shpreson që edhe ajo të behët një shahiste e zonja.

Papritur një zile e humbur në sfond dëgjohet… ishte zilja e telefonit të saj e cila kishte humbur diku në xhepin e çantës së zezë me të bardhë, që sa herë i hidhje sytë te jepte përshtypjen e një fushe shahu. Ishte bashkëshorti i Roz-it, Nardi, me të cilin është njohur plot 14 vite më parë në mënyrë fare të rastësishme. “Ai ka qenë mbështetja dhe shtysa ime kryesore në aktivitetin tim shahist e them me plot bindje që është tifozi im i dashur, më përkrah pa kushte, gëzon e hidhërohet me mua në çdo sfidë” – vazhdon ajo.

Ajo është e rrethuar nga një familje e njerëz që e duan dhe mbi të gjitha për të ka një dashuri që rritet çdo ditë. “Shahu është shkenca e mendjes” kjo është një nga thëniet e ekspozuara në sallën e lojërave të Federatës Shqiptare të Shahut e me të cilën vetë ajo ndan këtë mendim. “Tentoj t’i bëj njerëzve mat dhe në jetë dhe në shah”- shprehet e buzëqeshur. E si një familje e persekutuar dhe Rozana ka vuajtur me pasojat e regjimit komunist të asaj kohe. E kujton shumë mirë herën e parë kur u përballë me deklasimin, në kampionatin ballkanik të shahut, ku e kishte të vështirë të dëgjonte se ky fëmijë nuk duhet të shkojë se është i përndjekur.

“Mendoj se e lindur në një kohë dhe system tjetër, sukseset dhe arritjet do të ishin të tjera. vështirësitë e asaj periudhe mua më kanë bërë më të fortë, me objektiva të prekshëm dhe mundësi për të gjetur rrugën” shton ajo. E fundja, cdo te thotë “Dy herë mat” për Rozanën?! “Përveç faktit që më jep një sadisfaksion kur shoh që muza e këtij filmi isha unë, mendoj se çdo shahist në momentin e fitores ka bërë dy herë mat, një herë në fushë dhe një herë në intelektin ose mendjen e kundërshtarit. Kjo është një fitore akoma më e madhe mendoj. Unë jam nga ata njerëz që bota e shahut do t’i ketë gjatë” – përfundon ajo.